Kthehu lart

​Kosova: Hisja e madhe e një shteti të vogël në terrorizmin global

​Kosova: Hisja e madhe e një shteti të vogël në terrorizmin global Autori: Visar Duriqi GazetaExpress

Kosova është shtet i pavarur që nga shkurti i vitit 2008 dhe ka një popullatë prej 1.8 milionë banorësh. 90 % e popullatës janë myslimanë. Zyrtarisht, në grupet terroriste ISIS dhe “al-Nusra” janë më shumë se 200 kosovarë. Në mesin e 22 shteteve perëndimore prej ku shumica e luftëtarëve të huaj u janë bashkuar organizatave terrorist në Siri dhe Irak, Kosova renditet në vendin e teta. 70 % e xhihadistëve kosovarë janë në ISIS. Lexoni në Express analizën pse ky shtet i vogël e i ri ka një hise kaq të madhe në terrorizmin global

Ishte Ramazani (muaji i shenjtë myslimanëve) i viti 2007 dhe në xhaminë e Kaçanikut, një qytezë e vogël kosovare në kufi me Republikën e Maqedonisë, ndodhi një incident. I vogël për atë kohë. Imami Musli Verbani do t’ua tërhiqte vërejtjen disa të rinjve në lutjen e veçantë të natës (Teravi) - pasi që ata po e ngisnin lart zërin në fjalën “amin”, diçka e papranueshme atë kohë për shumicën në xhami- xhematin e vjetër. Pas disa ditësh makina e tij do të digjej.

Një gjykatë kosovare për këtë akt (dëmtim të pronës) e kishte shpallur fajtor Jeton Rakën, një anëtar i ri i lëvizjes “wahabiste” në Kosovë, grup që veten e quajnë “salafistë”. Jeton Raka tash është njëri nga anëtarët më të shquar të grupit terrorist “Xhabhatu Al-Nusra”, dega e “Al-Kaidasë” në Siri. Raka e dogji makinën e imamit Verbani me koktej molotovi që e kishte përgatitur vetë, thotë vendimi i Gjyqit.

Deri në vitin 2014 ky incident që nisi për një “amin” (si shkas) do të konsiderohej thjesht: një incident i izoluar. Një incident i parëndësishëm. Por, Kosova, një shtet që njëanshëm e deklaroi pavarësinë në vitin 2008, me një popullatë prej 1.8 milionë banores e ku 90 % janë myslimanë, do të tronditej nga një “mik” i Jeton Rakës, që jo krejt për koincidencë është po ashtu nga Kaçaniku.

Lajmi i fundit në Gazeta Express

Lavdrim Muahaxheri, ish-komandanti i xhihadistëve shqiptarë në Shtetin Islamik të Irakut dhe Shamit (ISIS) në verën e viti 2014 u shfaq me disa pamje duke prerë kokën e një fëmije irakian të shpallur nga ISIS’i si spiun amerikan. Lavdrim Muahxheri është tash në listën e të kërkuarve të “Interpolit”. Por, sikur ai janë edhe qindra kosovarë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se Kosova ka më shumë se 200 xhihadistë në ISIS dhe në “al-Nusra”, konstatim që nuk është mohuar nga autoritet në Prishtinë, kryeqyteti i Republikës së Kosovës.

Konflikti ideologjik

Pse një “amin” ishte problem (që Jeton Raka të e digjte veturën e imamit Musli Verbani)? Nga jashtë duket krejt pa kuptim, por kjo fjalë e vogël përfaqëson ndarjen e thellë në mes të shkollës së vjetër juridike islame të aplikuar në Kosovë, shkollës juridike të “Hanefije” dhe lëvizjes politike islame të “wahabive” që qendrën e kanë në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Këto dy grupe kanë aq shumë dallime aq sa edhe nuk mund të pajtohen se si duhet të thuhet as fjala “amin”gjatë lutjeve të përbashkëta në xhami.

Kosovarët që tash janë pjesëtarë të organizatave terroriste kryesisht ndjekin mësimet e shkollës salafiste - që në thelb janë interpretime radikale të ligjit të “sheriatit islam”. Ky është mendimi i shumicës së atyre që janë ballafaquar drejtpërdrejt me xhihadistët: ata kanë përqafuar interpretimet e islamit që i ka bërë themeluesi i kësaj lëvizje, Muhamed Ibn Abd-el- Whabi.

Por, ka edhe të nga ata që nuk pajtohen me këtë konstatim dhe këtë person e shohin si “Matir Lutheri i fesë Islame”, siç është rasti me profesoreshën e Universitetit Georgetown, DeLong Bas, e cituar aq fort nga një raport i një OJQ’je lokale e i financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Gazetari amerikan, Stephen Suleyman Schwartz trumbetimin e këtij konstatimi do ta konsideronte hiq më pak se tentativë për ta përmirësuar imazhin brutal të wahabistëve.

Ideologjitë salafiste në Kosovë kanë ekzistuar që nga vitet e hershme, 1992 kur kosovarët e parë filluan shkollimin në botën arabe. Por, ky problem shfaqet më shumë pas çlirimit të Kosovës (në qershor të vitit 1999 nga NATO). Pas kësaj kohe, në Kosovë vijnë dhjetëra organizata humanitare nga bota arabe, përfshirë edhe organizata që më vonë u identifikuan si financues të “al-Kaidës”.

OJQ-ja “Al-Waqfu Al-Islam”, sipas raporti të kompanisë ““JCB Consulting” (që ishte angazhuar nga familjarët e viktimave të sulmeve terroriste të “11 shtatorit” 2001), ishte OJQ-ja që e ka financuar organizatën e Osama Bin Ladenit. Kjo organizatë ka funksionuar në Kosovë si subjekt juridik në kuadër të një ordinance mjekësore që merrej me operacionin e obliguar për mysliman: “synnetija”.

Në Kosovë kanë funksionuar edhe një degë e “Saudi Joint Relief Committee” (SJRC), që është e lidhur po ashtu me “Al-Kaidën”, por ishte mbyllur në vitin 2002 nga UNMIK’u (misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë), por edhe degë të OJQ-së “KAD” të lidhura përmes Jemenit me “Xhematul Islami” dhe me “Vëllazërinë Myslimane”. Vetëm në vitin 2014, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që t’i mbyllte disa Organizata Jo-Qeveritare të lidhura me veprimtari të dyshimta me terrorizmin , por që u mbyllen me akuzën për veprimtari anti-kushtetuese, dhe ato janë: “Al Waqfu Al Islami” me numër regjistri 5300183-1; “Sinqeriteti” nga Prizreni me numër regjistri: 5102259-9; “Rinia Istogase” me numër regjistri: 51127706-6; “Pema e Bamirësisë” nga Peja me numër: 5111354-3; “Parimi” nga Kaçaniku me numër: 5113018-9; “Njëshmëria” nga Gjilani me numër: 5102111-8; “Nektari-HE” me numër: 5113004-9; “KAD” në Podujevë me numër: 5110388-2; “Gjurma” me numër: 5100152-4; “Kalliri i Mirësisë” me numër: 5100070-6; “Çelësi” me numër: 5113595-4; “Argumenti” me numër: 5114312-4; “AKEA” me numër: 5110087-1.

Sulmet e pazbuluara kundër imamëve

Ky konflikt në mes të “shkollës së vjetër” të islamit në Kosovë dhe rrymës së re të wahabistëve do të eskalonte disa vite pas incidentit në Kaçanik. Në vitin 2008, Xhabir Hamiti, një kritik i hapur i salafizmit në Kosovë, është raportuar të ketë qenë i sulmuar nga katër njerëz të maskuar. Ai tha se sulmet kanë ardhur nga njerëz që nuk e pëlqejnë faktin se ai ka qenë i sinqertë kundër futjes së praktikave të ndryshme të Islamit në Kosovë. Në vitin 2009 edhe imami Osman Musliu, nga regjioni i Drenicës në Kosovë, gjithashtu ka pohuar se ka qenë i sulmuar nga ekstremistët islamikë. Ai ishte sulmuar në xhami dhe fotografitë tregojnë dëmtime serioze. Por, për këto dy raste, asnjë person nuk është dënuar ende.

Këto tri raste, prona (vetura) e dëmtuar e Musli Verbanit dhe sulmi fizik në Xhabir Hamitin dhe Osman Musliun nuk e mbyllin numrin e sulmeve të ardhura nga kampi i selafistëve në Kosovë. Numri i kërcënimeve me vdekje i imamëve që e kundërshtojnë salafizmin në Kosovë dhe i gazetarëve që raportojnë në rastet e terrorizmit me bazë fetare është i panumërueshëm. Në vitin 2014 Bekim Paçarizi nga Komuna e Malishevës u akuzua nga Prokuroria e Shtetit në Kosovë për kërcënimin me vdekje që i kishte bërë një gazetari profesorit Xhabir Hamiti, kurse në shtëpinë e tij u gjet material propagandistik pro xhihadit. Rasti ende nuk ka përfunduar.

Sulmet jashtë kufijve: sulm kamikaz dhe ekzekutime morbide

Kosova i ka mbi 200 xhihadistë aktivë në ISIS dhe “al-Nusra”, por deri tash në Kosovë nuk ka ndodhur asnjë sulm terrorist. Megjithatë, ka pasur sulem në tentativë dhe për këtë Prokuroria Speciale e Kosovës në tetorin e viti 2013 kishte lëshuar urdhër arresti për 7 qytetarë, shqiptarë të Kosovës.

Pas 14 muajsh hetime ky institucion ka ngritur një aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës vetëm kundër pesë të pandehurve e që akuzohen të akuzuar për vepra të ndryshme lidhur me terrorizmin, përfshirë organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist; pjesëmarrjen në grup terrorist; përgatitjen e veprave penale terroriste; prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese; posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare dhe për sulm të rëndë në territorin e Kosovës, si edhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Republikës Arabe të Sirisë (Siri).

Të akuzuarit janë: Valon Shala nga Bresalci (Gjilan), Adrian Mehmeti nga Gjilani, Genc Selimi nga Bresalci (Gjilan), Nuredin Sylejmani, Prishtinë dhe Bekim Mulolli, Prishtinë. Procesi kundër tyre po vazhdon.

Derisa në Kosovë ende nuk është kryer ndonjë sulm nga anëtarët e grupeve terroriste, ISIS e “al-Nusra” me shtetësi kosovare ata jashtë kanë bërë krime të rënda.

Në prillin e viti 2014 Blerim Heta, 19 vjeç, nga qyteti i Ferizajt bëri një sulm kamikaz në qytetin Faluxha të Irakut. Ai në këtë aksion vrau 52 irakianë.

Familja e Blerim Hetës, jo familje religjioze që për një kohë të gjatë kishin jetuar në Gjermani, deklaruan më vonë në media se djali i tyre ishte inspiruar nga ligjëratat e imamit kontrovers kosovar, Shefqet Krasniqi. Krasniqi për më shumë se një dekadë ka qenë imam i xhamisë kryesore në Kosovë, xhamia “Sulltan Fatih” në Kryeqytet dhe Ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai u suspendua nga pozita e imamit në këtë xhami në fillim të viti 20015, afro 6 muaj pasi që ishte arrestuar me dyshimin për përdorim të gjuhës së urrejtjes në publik dhe për shpëlarje të parave.

Por, Blerim Heta nuk është shembulli i vetëm i terroristëve të dhunshëm që bëjnë akte të tmerrshme jashtë kufijve të Kosovës. Lavdrim Muhaxheri (i kërkuar nga Interpoli për terrorizëm me bazë fetare) në vitin 2014 kishte publikuar fotografi gjatë ekzekutimit të një fëmije të lidhur. Këtë vit është publikuar nga “Al Arabya” edhe një tjetër video ku Muhaxheri e vret një sirian me “bazukë”, një armë anti-tank.

Edhe anëtarët e tjerë të ISIS dhe ”al-Nusra” që kanë shtetësi të Kosovës janë aktiv në luftimet e këtyre organizatave terroriste, në përpjekjet e tyre për ta krijuar Kalifatin e ri Islamik.

Deri tash Prokuroria e Kosovës, sipas ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha ka futur nën hetime zyrtare mbi 130 kosovarë që akuzohen për vepra të lidhura me terrorizmin, që nga nxitja e urrejtjes fetare në publik, rekrutimi i xhihadistëve e deri pjesëmarrja direkt në xhihad.

Në verën e vitit 2014, kur Kosova iu bashkua koalicionit ndërkombëtar “anti-ISIS”, Prokuroria Speciale mori disa masa radikale: u lëshuan 57 fletë-arreste me akuzën “pjesëmarrje në grupet terroriste”, u arrestuan 40 persona dhe 17 arritën të arratisen.

Në fazën e dytë u arrestuan edhe 11 imamë dhe atë imamët më të shquar të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ata u arrestuan me akuzën për ligjërata me gjuhë të urrejtjes, për rekrutim në terrorizëm, por edhe për shpëlarje të parave. Pjesa më e madhe tyre qëndruan nga një muaj në paraburgim dhe tash të janë nën hetime, dhe ata janë: Enes Goga, Eroll Nesimi, Idriz Bilibani, Zekirja Qazimi , Dardan Gjuka, Shefqet Krasniqi, Mazllam Mazllami, Bedri Robaj, Ekrem Avdiu, Enis Rama.

Rekrutimi i xhihadistëve nga imamët kosovarë

Nga imamët e arrestuar vetëm Zekirja Qazimi ende është në paraburgim. Ai dyshohet si person kryesor në rekrutimin e kosovarëve që iu bashkuan grupeve terroriste në konfliktin në Siri dhe Irak. Ai kishte mbajtur ligjërata për çdo javë në Organizatën Jo-qeveritare “Rinia Islame-Kaçanik”, në qytezën e Kaçanikut, drejtor i së cilës ishte terroristi në kërkim nga Interpoli, Lavdrim Muhaxheri dhe një grusht terroristë të tjerë (anëtarë të organizatës ISIS).

Deri në vitin 2014 në ISIS, në “xhematin e shqiptarëve” ishte Lavdrim Muhaxheri, por pas aktit të tij të publikuar në facebook, ku ai ekzekuton një fëmijë të lidhur, ai u shkarkua dhe komandant i “xhematit të shqiptarëve” u emërua Ridvan Haqifi nga Gjilani.

ISIS ka brigada dhe “xhematë”. Brigadat janë më të mëdha dhe përfaqësojnë territore nën kontroll dhe prejardhje të përgjithshme të xhihadistëve siç është “Brigada e luftëtarë të huaj” që deri tash ka përfaqësuar rreth 20 % të krejt xhihadistëve në ISIS , kurse “xhematët” përfaqësojnë prejardhjen në baza nacionale të luftëtarëve në ISIS, dhe në këtë organizatë ka, shembull : “xhemati i shqiptarëve”, “xhemati i turqve ”, “xhemati i gjermanëve”..., - të dhëna këto të nxjerra nga bisedat e drejtpërdrejta me Fitim Lladrovcin, kosovari që e braktisi ISIS-in dhe tash është duka vuajtur dënimin dënuar e shqiptuar nga Gjykata e Kosovës ( Ai u dënua me afro 5 vjet në burg për pjesëmarrje në terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje).

Edhe komandanti aktual i “xhematit të shqiptarëve”, Ridvan Haqifi është i lidhur me imamin Zekirja Qazimi. Ai ka qenë nxënës personal i imamit Qazimi dhe ky imam e kishte përkrahur Haqifin edhe duke ia dhënë hapësirën e xhamisë së tij që të bëhej i famshëm në komunitetin mysliman. Më vonë, edhe Ridvan Haqifi vetë do të punësohej në Bashkësinë Islame të Kosovës si imam. Kur ai u bë xhihadist i ISIS-it ishte ende (zyrtarisht) imam i BIK’ut.

Edhe Patriot Matoshi, nxënës i Medresesë në Gjilan, që u vra në fundin e viti 2014 në Irak duke luftuar si xhihadistë i ISIS’it, ishte nxënës personal i Zekirja Qazimit.

Ligjet dhe pjesëmarrja e kosovarëve në konflikte të armatosura

Ligji për Liritë Fetare në Kosovë i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2006 i njeh 5 bashkësi fetare: Bashkësinë Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësia e Besimit Hebre, dhe Kisha Evangjeliste (protestantët).

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) që zotëron “numrin më të madh të shpirtrave”( 90 % e kosovarëve janë deklaruar si mysliman në regjistrimin e vitit 2012) është edhe subjekti që del më në pah në rrafshin fetar në Kosovë, derisa të tjerat ndajnë në mes vete at më pak se 10 % hapësirë publike për diskutim nga ta dhe për ta.

Si bashkësi e pavarur, BIK-u ekziston që nga 11 dhjetori i viti 1993, kur në një kuvend të asaj kohe ata deklaruan ndarjen nga “Reisijati” i Jugosllavisë. Nga ajo kohë, BIK ka vetë-deklaruar që është në lidhje (për koordinimin e aktiviteteve fetare dhe kalendarit fetar) me “Dijanetin” e Turqisë.

Pas luftës së fundit në Kosovë (1998-1999) kjo bashkësi u drejtua nga Rexhep Boja (më vonë ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite) për pak vite, dhe nga viti 2003 merret nën kontroll nga Naim Tërnava, një ish-drejtori Medresesë “Alaud-din” (shkollë e mbajtur me fonde të Ministrisë së Arsimit por në aspektin e kutikulave e përzgjedhjes së kuadrove që ligjërojnë e menaxhuar nga BIK’u).

Naim Tërnava, një ish-zëvendësministër në Qeverinë e parë të Hashim Thaçit ka ndryshuar edhe statutin e kësaj bashkësie fetare për t’ia bërë të mundur vetës që të jetë pafundësisht Myfti i Kosovës. Statuti i vjetër sanksiononte që një person mund të bëhet Myfti vetëm dy mandate në jetë dhe ku një mandat zgjatë vetëm 5 vjet.

Autoritet e shtetit në Kosovë nuk mund të ndërhyjnë në prishjen e tentativës së Tërnavës për t'u bërë kontrollues absolut i kësaj bashkësie fetare, pasi që Ligji për Liritë Fetare në Kosovë nuk i jep asnjë kompetencë shtetit mbi bashkësitë fetare.

Por, kontrolli i mirë i BIK-t është i domosdoshëm dhe do të argumentojmë këtu pse.

Arsyeja e parë është ajo financiare. Sipas dokumenteve që kam siguruar kohë më parë, vetëm buxheti i Kryesisë së BIK-ut është mbi 6.5 milionë euro për vit, dhe ky është vetëm buxheti i Kryesisë, pa llogaritur që të 28 këshillat lokal kanë buxhetet e veta dhe të gjitha kontribuojnë në Buxhetin e Kryesisë. Buxheti i Kryesisë ka edhe “donacione të pa identifikuara”, të hyra nga Monopoli i organizimit të Haxhit (udhëtimi i përvitshëm në vendet e shejtan ë Arabinë Saudite), të hyra nga lëshimi me qira i pronave dhe ndërtesave që ka në pronësi nëpër Kosovë, menaxhimi i dhuratave për Medresenë (shkollën për edukimin e imamëve), menaxhimi i kurbaneve (sakrificave që bëhen për Kurban-Bajramin) etj.

BIK’u ka në posedim mbi 800 xhami, me pronat për rreth tyre, teqetë me pronat për rreth tyre, lokale po thuajse në secilin qytet (lëshon me qira), prona të lëna si “vakëf” nga njerëz të lidhur shpirtërisht me islamin, ndër to edhe disa prona në lagjen Arbëria në Prishtinë, lagja ku janë të stacionuara ambasadat- rrjedhimisht lagja më e shtrenjtë, për të cilat Kryesia BIK’ut nuk raporton as në Kuvendin e vet.

Përfundimisht, flasim për një organizatë multi-milionëshe të drejtuar me zero transparencë karshi publikut dhe xhematit (anëtarëve të tyre), ani pse anëtarët (xhemati) e BIK’ut paguajnë nga taksë vjetore për mirëmbajtjen e BIK’ut dhe pagesa ekstra për shërbim fetare: varrime, dasma, e procesione tjera me motive fetare.

Deri tash nuk ka pasur asnjë auditim të pavarur financiar në BIK.

Arsyeja e dytë është lidhja e fortë e kësaj bashkësie fetare me kosovarët xhihadistë. Siç shpjeguam më lartë, 11 imamë (të punësuar) të kësaj bashkësie ishin arrestuar dhe ende janë nën hetime për vepra penale të lidhura me terrorizmin, kurse ish-imami i kësaj bashkësie fetare, Ridvan Haqifi tash është komandant i të gjithë shqiptarëve që luftojnë në favor të ISIS-it.

Kryetrari i kësaj Bashkësie Fetare, Naim Tërnava vetëm në fund të viti 2013 (kur tashmë kosovarët ishin futur në organizatat terroriste) kishte dhënë disa deklarata duke thënë që të rinjtë myslimanë të Kosovës nuk duhet të shkojnë të luftojnë në Siri dhe Irak, por në të njëjtën kohë djali i tij i vetëm, Haris Tërnava bënte thirrje në facebook që të shkohet në xhihad.

Kjo bashkësi fetar në gusht të viti 2012 kishte lëshuar edhe një urdhër që në të gjitha xhamitë e Kosovës të mbahej e njëjta ligjëratë, dhe ligjërata ishte “Vlerat e shenjta të Tokës së Shamit”. Kjo ligjëratë e përgatitur nga Kryem-imami kosovar, Sabri Bajgora ndër të tjera thuhet edhe se ‘Toka e Shamit është tokë e bekuar”, “Shami është toka e përzgjedhur e Allahut”, “Shtylla e Fesë është vendosur në Sham”, ‘Besimtarët e Shamit qëndrojnë stoik në Fe”, “Damasku do të jetë fortifikate besimtarëve në kohët e fundit”, “''Do të ketë hixhret (shpërngulje) pas hixhreti, e njerëzit më të mirë të tokës janë ata që më së shumti i përmbahen vend-shpërnguljes së Ibrahimit a.s.- Shamit”... ishin konsideruar edhe si nxitje për të rinjtë kosovarë që të bashkohen me luftëtarët në Siri e Irak, që në fillim ishin vetëm rebelë kundër regjimit të Bashar Al-ASadit, por më vonë u shfaqën si të pavarur dhe që kërkojnë krijimin e Kalifatit të ri Islamik.

Sikur të mos mjaftonte, në këtë ligjëratë, BIK’u i obligoi imamët e tyre, që janë mbi 800, që të u thonë njerëzve nëpër xhami edhe se “obligim i prerë për të gjithë besimtarët është që vëllezërve besimtarë”.” Të kontribuojnë materialisht”.

Për t’i nxitur kosovarët që të shkojnë në Sham, pos thënieve të Profetit Muhamed që atje jetojnë veç njerëzit më të mirë, BIK’u në deklaratën zyrtare nxiti urrejtje kund kombit “alevi”, të cilit i takon Presidentit sirian, “Bashar Al-Asad”.

“Siria është me mbi 98% myslimanë ku shumica absolute janë musliman suni, ndërsa figurat kryesore të qeverisë janë Alevi sekt i devijuar që lidhen me Shiat e Iranit. Ky sekt mban pushtetin me hekur e zjarr qe plot 42 vite, pa zgjedhur mjet e as metodë. Prandaj mu për këtë, qeveria është mbështetur publikisht dhe zyrtarisht nga Shiat e Iranit dhe Hizbullahu (parti shiite) në Liban”, thuhet në deklaratën e postuar në faqen zyrtare te BIK’ut.

Niveli i sigurisë pas paralajmërimeve për sulme nga ISIS në Kosovë

Edhe Raporti i fundit i Departamenti amerikan të Shtetit për Terrorizmin konstaton që në Kosovë nuk ka pasur ende ndonjë sulm terrorist, kosovarët e përfshirë në xhihad (mbi 200) janë bërë tashmë të rrezikshëm edhe për vetë Kosovën.

Në muajin qershor 2015 organizata ISIS ka publikuar disa kërcënime, disa video. Në këto video komandanti i “xhematit të shqiptarëve” në ISIS ka paralajmëruar sulme direkt në Kosovë, dhe saktësisht i ka përmendur sulmet kamikazë (në terminologjinë e terrorizmit islamik “Amelije” dhe “Shehidije” përfaqësojnë sulmin kamikaz). “ Do të vijmë dhe do të ju trishtojmë edhe në ëndrrat tuaja”, tha Ridvan Haqifi, ish imam i organizatës së drejtuar nga Tërnava në këtë kërcënim.

Pas kërcënimeve niveli i sigurisë është ngritur. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës shihen të veshur anti-plumb gjatë tërë kohës, kurse është shtuar numri i patrullave të policisë në qytet. Masta e sigurisë janë rritur në të gjitha hyrjet e ndërtesave të institucioneve, objekteve fetare të minoriteteve, ambasadave, por edhe në çdo ngjarje publike numri i policëve është më i madh se zakonisht.

Mediat në këtë situatë, që nga fillimi i radikalizmit të disa pjesëtarëve të komunitetit myslimanë në Kosovë janë fajësuar që po i ekzagjerojnë raportimet. Mediat janë akuzuar si islamofobe dhe grupe të afërta me shqiptarët që janë tashmë pjesëtarë të ISIS’-it e kanë hapur edhe një faqe në internet me emrin “Observatori Shqiptar kundër Islamofobisë”, ku akuzojnë çdo gazetarë që raporton për lidhjet e Bashkësisë Islame me terrorizmin si gazetar islamofobë. E njëjta përmbajtje është shpërndarë edhe nga dy partitë islamike në Kosovë, Partia e Drejtësisë që është në koalicion qeveritar dhe që është e lidhur me partinë AKP të Presidentit turk, Tayp Erdogan dhe Lëvizja Islamike për Bashkim (LISBA), themeluesi i së cilës, Fuad Ramiqi është arrestuar bashkë me imamët e BIK’ut dhe atë nën të njëjtat dyshime që lidhen me terrorizmin.

Edhe Ulrich Beck në artikullin “The Terrorist Threat. World Risk Society Revisited”, konstaton diçka të ngjashme. “Kërcënimi i terrorizmi, sigurisht, është ri-prodhim i medias globale””, thotë Beck.

Por, nuk mund të pajtohem me këtë konstatim. Pajtohem me konstatimin e Mary Kaldor në artikullin “Old Wars, Cold Wars, New Wars, and the War on Terror”. “Derisa problemi i Luftës së ftohtë, sido që të jetë, është imagjinar, Lufta kundër Terrorizmit është tepër reale”, thotë Kaldor.

Nuk mund të pajtohem me konstatimin e Ulrich Beck edhe nga përvoja personale në media. Në disa media, dhe jo vetëm në një. Nga kjo përvojë, mund të konstatojmë se asnjë nga rastet e terrorizmit që është raportuar deri më tash në mediat në Kosovë nga ana jonë, nuk ka qen i ekzagjeruar, përkundrazi, shumë detaje janë “zbutur” me qëllim që publiku të mos merr panik.

Kërcënimi është real, dhe më i rrezikshëm se sa që është dhënë në publik, edhe për arsye politike dhe për mënyrën se si funksionon Republika e Kosovës.

Kosova është shtet i ri dhe me nivel të lartë të korrupsionit në të gjitha institucionet e sigurisë; një pjesë e konsiderueshme e territorit është jashtë kontrollit të plotë- shtet pa sovranitet të plotë (Mitrovica e Veriut që kontrollohet nga grupet kriminale që trafikojnë mallra nga Republika e Serbisë); por, më e rëndësishmja: institucionet e Kosovës janë pa përvojë në hetimin e terrorizmit. Këtë e konstatoi edhe në intervistën e parë dhënë për Express si i nominuar për kryeprokuror të Shtetit të Kosovës, prokurori Aleksandër Lumezi. Ai tha se ju duhen trajnime dhe prokuror që mund të specializohen në hetimin e terrorizmit.

Shteti i Kosovës është i brishtë. Ky shtet është i paaftë edhe që ti ndalojë qytetarët e Kosovës që ti bashkohen ISIS-it dhe organizatave terroriste. Kuvendi i Kosovës në mars të vitit 2015 e ka miratuar edhe një ligj të ri: Ligjin për Parandalimin në Bashkimin në Konflikte të Armatosura jashtë Vendit, që parashikon dënim deri në 15 vite burg për ata që bashkohen në konflikte të armatosura. Por, sukseset nga ky ligj ende duken larg.

Në muajin maj në Maqedoni nisi një konflikt në mes një grupi të armatosur dhe policisë maqedonase, në qytetin Kumanovës. Një pjesë e konsiderueshme e rebelëve të këtij grupi që pas dy ditësh luftime u dorëzua, shin shqiptarë nga Kosova, dhe rrjedhimisht, ata edhe nëse ekstradohen në Kosovë mund të dënohen me nga 15 vjet burg. Ata që ende janë gjallë janë në burgun e Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë, kurse të vrarët u varrosën në varrezat e dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me nderime nga liderë politikë të votuar kosovarë.

Për këta persona edhe Prokuroria e Kosovës është duke bërë një hetim për një plan të tyre : Ata planifikonin që ta sulmonin burgun e sigurisë së lartë dhe të nxirrnin të burgosur të dënuar me dënime të mëdha nga atje. Mediat raportuan që qëllimi ishte që këta të burgosur, këta kriminelë, të i dërgonin në ISIS. Ky pohim i medieve ende nuk është mohuar nga Prokuroria e Kosovës.

Kosovarët që ishin bindur nga idetë wahabiste që t'i bashkoheshin luftës së shenjët (xhihadit) nuk ndiejnë asnjë frikë nga Prokuroria e Kosovës. Edhe sipas Kodit Penal të Kosovës, pa pasur nevojë për një ligj të veçan, anëtarësimi në një organizatë terroriste dhe pjesëmarrja në konflikte të armatosura jashtë vendit është vepër penale, por tashmë mbi 200 kosovarë janë duke e bërë këtë krim.

Hisja e Kosovës, shtet i vogël dhe i ri, në terrorizmin global është e madhe. Ky nuk është rezultat i medieve, por i ligjëratave të imamëve salafistë dhe librave të shpërndara falas (që shpërndajnë këtë ide) nga OJQ që merrnin fonacione nga Arabia Saudite dhe nga organizatat e njëjta që e ndihmuan edhe Al-Kaidën.

Shënim: Përmbledhje nga punimi me të njëjtin titull i bërë për diplomim në programin “Security Governance and Conflict Resolution”- Fakulteti i Shkencave Social në Universitetin e Amsterdamit (UvA).

    Data: 13 Korrik 2015 13:55
    Autori: Visar Duriqi
    • "Fëmijë të kriminalizuar" - prodhim i shkollave dhe prindërve shpërfillës

      "Fëmijë të kriminalizuar" - prodhim i shkollave dhe prindërve shpërfillës 0

    Të tjera