Kthehu lart

Këshilla ime për Kadri Veselin

Këshilla ime për Kadri Veselin Autori: Berat Buzhala GazetaExpress

Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt, Thaçi është manipulator, spekulator dhe intrigant par excellence. I pashoq në këto territore. Dhe këto nuk po i them në kuptimin negativ të fjalës. Madje, po ia atribuoj si vlera - ndonëse nuk janë të tilla. Veseli edhe më tutje nuk po mund të dalë nga rrjeta e tij.

Idetë gjeniale nuk janë të tilla nëse në fillim kur thuhen nuk duken të çmendura.

Assesi nuk dëshiroj të pretendoj që kjo ide e imja është gjeniale, por kjo ide ka mundësi që Kryetarit të PDK'së t'i duket e çmendur.

Mund të mos i duket e çmendur. Ka mundësi t'i duket e panevojshme. Ndoshta ai nuk është i lindur për ide të forta. Ka mundësi që ka zgjedhur që karrierën e tij politike ta shpenzojë duke lundruar në ujëra të cekëta, të qeta, të sigurta, e, më e rëndësishmja, në ujëra të papastra. Duke i bërë hije ish-kryetarit të këtij subjekti, PDK'së, aktualisht, fatkeqësisht, Presidentit të Kosovës.

Veseli, deri më tash, prej kur e mori kreun e PDK'së më shumë është sjellë si ushtrues i detyrës, mbikëqyrës i përkohshëm i PDK'së, sesa si kryetari real. E kuptoj. Nuk është aspak e lehtë. Nuk është e lehtë që të konfrontohesh, ose t'i tregosh vendin, njeriut me të cilin je rritur, me të cilin i ke ndarë të mirat, e posaçërisht të këqijat, bashkë.

Nuk është aspak e lehtë që të konfrontohesh me dikë si Thaçi, i cili, edhe po të flasim me shifra jashtëzakonisht konservative, ia sjell Veselit dhe PDK'së një sasi enorme të votave. T'i thuash JO Thaçit, njeriut që e bëri PDK'në këtë që është, ose që thotë që e bëri PDK'në këtë që është, me të mirat dhe të këqijat e saj, do të ishte një aventurë e paparashikueshme. Do të ishte sikur të futeshe qëllimshëm në një rrugë plot gropa me shpresë që do të ketë të ardhme, duke u larguar nga një rrugë e rrahur por që nuk të çon askund.

Dhe këtë e di më së miri Thaçi, prandaj ai futet serbez në çdo skutë të mundshme politike, i takoi atij apo nuk i takoi. Duke e ditur forcën e tij politike, fatkeqësisht, ai nuk heziton, madje e ka për kënaqësi, të bëjë sabotazh në PDK, pse jo edhe në parti tjera nëse e gjen vetëm pak hapësirë. Këtë nuk e bën ai më qëllime të këqija. Ai mendon që po bën mirë.

Këtë na e konfirmoi edhe Kryeministri Haradinaj në intervistën e tij të fundit në Pressing, kur tha se Thaçi "nesër me deshtë i merr do deputetë të Drenicës edhe e prish Qeverinë". Një gjë të tillë, të thënë në mënyrë kaq grafike, Haradinaj nuk e shpiku nga mendja e tij. Ai diku e ka dëgjuar. Gjasat më të mëdha janë që e ka dëgjuar nga goja e Thaçit. Sigurisht që Thaçi nuk i ka thënë që i ka kaq pak deputetë në Kuvend, por Haradinaj për ta kursyer Veselin e rrudhi në katër pesë syresh.

Për këto arsye, e për shumë të tjera, unë vazhdimisht e shoh Veselin si gardian të PDK'së, më shumë sesa si kryetar real të këtij subjekti. Veseli thjesht e ruan PDK'në. Për fatin e tij të keq, sepse kështu edhe ndodh, nuk po arrin ta ruajë ashtu siç duhet.

Dhe për këtë, jam i bindur, që ai tallet nga pararendësi i tij Thaçi, sa herë që këtij të fundit i jepet mundësia për të përgojuar nëpër darka e dreka të gjata.

"Do me prishë Kadrija partinë. Unë ia lashë me 30 për qind. Po gabon Kadrija. Nuk po din Kadrija". Këto janë vetëm disa prej breshërive që Thaçi do t'i ketë thënë me qindra herë prej kur është larguar nga ky subjekt.

Në anën tjetër, për Thaçin është irrelevante se sa shumë ka përfituar nga PDK, e nga Veseli, gjatë gjithë jetës së tij. Thaçi as nuk ka qenë luftëtar brilant, dorën në zemër nuk ka qenë e as nuk është as orator që kur e dëgjon të shkon lëng për goje, e gjithashtu nuk është as i ditur.

Mirëpo, të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt, Thaçi është manipulator, spekulator dhe intrigant par excellence. I pashoq në këto territore. Dhe këto nuk po i them në kuptimin negativ të fjalës. Madje, po ia atribuoj si vlera - ndonëse nuk janë të tilla.

Është pak problematike ta transmetoj në shkrim atë çfarë e kam në mendje, por po provoj të them. Thaçi mund të jetë personi i vetëm i gjallë në Republikën e Kosovës që kurrë askujt "faleminderit" nuk i ka thënë. Jo pse nuk dëshiron ta thotë, sigurisht që ndonjëherë edhe e ndjen, sepse njeri është edhe ai, së paku shpresojmë që është, mirëpo nuk e bën një gjë të tillë për arsye praktike. Një faleminderit e thënë nga ai ka frikë që automatikisht e rrit vlerën e shërbimit të kryer për të. Kurse karriera e tij politike është ndërtuar duke i ulur vlerat e shërbimeve të të tjerëve, e jo duke i rritur ato, ose duke ia dhënë hakun meritor atyre.

Po besoj që as z. Veseli nuk e ka pasur rastin që ta pranojë një "faleminderit" nga z. Thaçi, derisa ky i fundit ka qenë vazhdimisht i hapur për të pranuar "falënderime", qoftë nga Veseli, qoftë nga Haradinaj tash.

Mirëpo ky shkrim nuk u nis për z. Haradinaj, por për z. Veseli, i cili ndonëse në krye të PDK'së tash e sa vite, assesi ta marrë plotësisht veten. Deri tash, përveç ca gafave qesharake duke e harrur mikrofonin hapur në Kuvend, Veseli nuk ka lënë shije të hidhura te qytetarët. Kjo nuk është e mjaftueshme për kryetarin e partisë deri-dje më të madhe në vend, me ambicie për t'u rikthyer prapë atje.

Lajmi i keq është që Veseli, duke e toleruar vazhdimisht Thaçin të qëndrojë para vetes, të cilit nuk është që i frikësohet në kuptimin banal të fjalës, nuk është i sigurt as vetë nëse është më mirë me të apo pa të.

Nuk është i sigurt Veseli se ku do t'i gjejë votat e Drenicës, nëse do të ndahej nga Thaçi. Nuk është i sigurt Veseli nëse ato vota do të dilnin në ankand të hapur sapo të niste përplasja e parë. Kurrkush më mirë se sa Thaçi nuk është në gjendja t'ia lexojë këto mendime të Veselit, i cili, përveç në momente sikur në rastin me turqit, kur del nga kontrolli për të mirë, duket që është i kënaqur ta tolerojë Thaçin t'i kryejë disa punë për të.

Veseli, në vetvete, mendon se Thaçi, duke marrë përgjegjësi që nuk i takojnë, një ditë, kurdo qoftë ajo ditë, do të komprometohet. Do të ishte gjë e zgjuar kjo sikur jeta politike të zgjaste 1000 vjet. Atëherë brenda kësaj periudhe të gjatë kohore sigurisht që lojërat e ulëta politike të Thaçit do të dilnin në sipërfaqe. Ne po flasim për një jetë politike prej dy tri palë zgjedhjesh, brenda të cilave çdokush mund të kamuflohet për tri katër pafytyrësi të mëdha dhe ca të tjera më të imta.

Por çfarë mund të bëjë Veseli dhe a është pasqyra kaq e pashpresë sa duket?

Skena politike në vendin kurrë nuk ka qenë më e plleshme për ide interesante politike. Përveç LDK, asnjë subjekt tjetër politik, kurdo që mbahen zgjedhjet, nuk e ka të sigurt që do të mund të prekë 20 për qind të votave. As Veseli nuk do të mund ta çojë PDK'në mbi 20 për qind, nëse vazhdon të qëndrojë si ushtrues i detyrës, gjë të cilën e ka bërë deri tash. Ai, nëse dëshiron të rritët, duhet të synojë audienca të reja elektorale, me shpresën se do t'i ruajë disa nga këto që i ka tash. Veseli duhet ta dijë që me një strategji të qartë dhe të guximshme mund të marrë më shumë vota se sa mund të humbë. Këtë nuk mund ta bëjë duke e pasur Thaçin në ulësen e parë, sado joshëse që mund të tingëllojnë mundësitë që ai t'i ofron.

Fausti bëri pakt me djallin, Mefistofelin, duke pasur në mendje arritjen e qëllimeve të mira. Shpresonte në ndihmën e tij. Mirëpo Mefistofeli, nga ana e tij, ishte djall por nuk ishte idiot. Ai thoshte se "djalli në shumë raste bënte punë të mira, për të arritur qëllime të këqija".

    Data: 22 Prill 2018 12:16
    Autori: Berat Buzhala

    Të tjera