Kërcënimi i dyfishtë ndaj Demokracisë Liberale

Demokracia joliberale - apo populizmi - nuk është kërcënimi i vetëm politik me të cilin përballen vendet e Perëndimit. Demokracia liberale po minohet gjithashtu n ga një tendencë për të theksuar "liberalen" në kurriz të "demokracisë"

Dani Rodrik

Kriza e demokracisë liberale po diskutohet gjerësisht tashmë. Presidenca e Donald Trump, vota për Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe ngritja elektorale e populistëve të tjerë në Europë kanë nënvijëzuar kërcënimin që është krijuar nga “demokracia joliberale” – një lloj politike autoritariste që ka për tipar zgjedhje popullore por shumë pak respekt për sundimin e ligjit apo të drejtat e minoriteteve.

Por shumë pak analistë kanë vërejtur se demokracia joliberale – apo populizmi – nuk është i vetmi kërcënim politik. Demokracia liberale po minohet edhe nga një tendencë për të theksuar “liberalen” në kurriz të “demokracisë”. Në këtë lloj politike, sundimtarët mbrohen nga llogaridhënia demokratike nga një gamë masash që kufizojnë gamën e politikave që ata mund të ndërmarrin. Organizma burrokratike, rregullatorë autonomë dhe politika të vendosura nga gjykatat, ose nga rregulla të imponuara nga ekonomia botërore.

Në librin e tij të ri të rëndësishëm The People vs. Democracy, Njerëzit Kundër Demokracisë, teoricieni politik Yascha Mounk e quan këtë lloj regjimi – në simetri të përshtatshme me demokracinë joliberale – “liberalizëm jodemokratik”. Ai vëren se regjimet tona politike kanë ndaluar tashmë prej kohësh së funksionuari si demokraci liberale dhe duken gjithnjë e më shumë si liberalizëm jodemokratik.

Bashkimi Europian përfaqëson ndoshta apogjenë e kësaj tendence. Krijimi i një tregu të përbashkët dhe unifikimi monetar është në kryer në mungesë të integrimit politik dhe ka kërkuar delegimin e politikave te organe teknokratike të tillë si Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Gjykata Europiane e Drejtësisë. Vendimmarrja gjithnjë e më shumë ndodh në një distancë të konsiderueshme nga publiku. Edhe pse Britania nuk është një vend anëtar në Eurozonë, thirrjet e Breksiterëve për “të rimarrë kontrollin” tregoi për lodhjen e shumë votuesve Europianë.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë përjetuar asgjë të ngjashme me këtë, por tendenca të ngjashme kanë bërë që shumë njerëz të ndjehen të përjashtuar nga qeverisja. Siç vëren Mounk, politikëbërja është fusha e çorbës së organeve regullatore – nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit te Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve. Përdorimi nga ana e gjykatave të pavarura e të drejtës së tyre për të rishikuar vendimet politike në mbrojtje të të drejtave të njeriut, për zgjerimin e lirisë për riprodhim dhe për të vendosur shumë reforma të tjera shoqërore kanë shkaktuar armiqësi të konsiderueshme nga segmente të ndryshme të popullsisë. Dhe rregullat e ekonomisë botërore, të administruara përmes marrëveshjeve ndërkombëtare të tilla si Organizata Botërore e Tregtisë apo Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, perceptohen gjerësisht si të manipuluara kundër punëtorëve të zakonshëm.

Vlera e librit të Mounk është të theksojë rëndësinë e të dyja termave përbërës të demokracisë liberale. Ne duhet të vetëpërmbahemi nga ushtrimi i pushtetit politik për të parandaluar shumicat (apo ata në pushtet) që të shkelin me këmbë të drejtat e minoriteteve (apo ato jo në pushtet). Por ne kemi gjithashtu nevojë që politika publike të jetë reaguese dhe llogaridhënëse ndaj pëlqimeve të elektoratit.
Demokracia liberale është në tërësi delikate për shkak se pajtimi i termave të saj nuk prodhon një ekuilibër politik natyror. Kur elitat kanë pushtet të mjaftueshëm, ata kanë pak interes në reflektimin e pëlqimeve të publikut të gjerë. Dhe kur masat mobilizohen dhe kërkojnë pushtet, kompromisi që pason me elitat rrallë herë prodhon mbrojtje të qëndrueshme për të drejtat e atyre që nuk janë të përfaqësuar në tavolinën e kompromisit. Për rrjedhojë, demokracia liberale ka tendencën të përkeqësohet në një apo një tjetër nga versionet e saj perverse – në demokraci joliberale ose në liberalizëm jodemokratik.

Në studimin tonë, “Politika Ekonomike e Demokracisë Liberale,” Sharun Mukand dhe unë diskutojmë themelet e demokracisë liberale në terma të ngjashme me ato që përdor Mounk. Ne theksojmë se shoqëritë janë të ndara nga dy çarje potenciale: nga një ndasi në identitet që mban larg një minorancë nga një maxhorancë etnike, fetare apo ideologjike, dhe nga një ndasi në pasuri e cila vë përballë të pasurit me pjesën tjetër të shoqërisë.

Thellësia e këtyre ndasive përcakton probabilitetin e lindjes së regjimeve të ndryshme politike. Mundësia për demokraci liberale është gjithmonë përballë rrezikut të demokracisë joliberale nga njëra anë dhe përballë asaj që ne e quajmë “autokracia liberale” në anën tjetër, në varësi të faktit kush ka më shumë pushtet, maxhoranca apo elita.

Kuadri jonë ndihmon për të theksuar situatat rrethanore në të cilat shfaqet demokracia liberale. Në Perëndim, liberalizmi i parapriu demokracisë: ndarja e pushteteve, liria e shprehjes dhe sundimi i ligjit ishin sakaq funksionale para se elitat të binin dakord për të zgjeruar të drejtën e votës dhe për t’iu nënshtruar sundimit popullor. “Tirania e shumicës” mbeti një shqetësim madhor për elitat dhe u kundërshtua në SHBA, për shembull, me një sistem të stërholluar kontrollesh dhe balancash, efektivisht duke paralizuar ekzekutivin për një periudhë të gjatë.

Në vende të tjera në botën në zhvillim, mobilizimi popullor ndodhi në mungesë të traditave apo praktikave liberale. Demokracia liberale rrallë herë rezultoi e qëndrueshme këtu. Përjashtimet e vetme duket se janë vetëm shtetet kombe relativisht të barabarta dhe shumë homogjene të tilla si Koreja e Jugut, ku nuk ka ndasi të dukshme shoqërore, ideologjike, etnike apo gjuhësore që autokratët e kujtdo lloji – joliberalë apo jodemokratikë – të mund të shfrytëzojnë.

Zhvillimet e kohës sonë në Europë dhe në SHBA sugjerojnë se demokracia liberale mund të jetë në tërësi një fazë kalimtare. Ndërsa ne qahemi për krizën e demokracisë liberale, nuk duhet të harrojmë se joliberalizmi nuk është kërcënimi i vetëm për të. Ne duhet të gjejmë ilaç edhe për defektet e vetë demokracisë.

/Project Syndicate

Të tjera

Lajmet e fundit