Hipokrizia e menaxhimit të shtyllës

Kur u hoq flamuri i Kosovës dhe u vendos ai kuqezi në shtyllën Te Rrethi në Prishinë, kryetari tha se atë veprim e kishin bërë qytetarët, duke e hequr përgjegjësinë nga Komuna. E kur artisti Driton Selmani hoqi flamurin kuqezi dhe, si protestë artistike, e vendosi atë të ofsajdit, u mobilizua Inspekcioni dhe doli të jetë përgjegjësi e Komunës. Shumë hipokrizi për menaxhimin e shtyllës, shumë hipokrizi për menaxhimin e flamurit, shumë hipokrizi për menaxhimin e shtetit

Imer Mushkolaj

Një shtyllë metalike, në mes të një rrethi në kryeqytet, është vënë në qendër të vëmendjes ditëve të fundit. Është shtylla që dikur mbante flamurin e Kosovës, por me marrjen e qeverisjes në Prishtinë nga Lëvizja Vetëvendosje, flamuri bardhekaltër u hoq dhe u vendos ai kuqezi.

Arsyetimi i autoriteteve komunale, duke filluar nga kryetari, ishte fort i lodhtë. Sipas tyre, flamurin kosovar e paska hequr një grup qytetarësh dhe nuk qenka përgjegjësi e Komunës së Prishtinës kthimi i tij në vendin ku ka qenë.

Së pari, një deklaratë e tillë është e rrezikshme, ngase i jep të drejtë secilit qytetar që të vendos në atë shtyllë çfarëdo flamuri që i teket dhe autoritetet komunakle nuk mbajnë përgjegjësi. Por nuk është kështu.

Shtylla në rreth është paguar nga Komuna dhe atëbotë flamuri i Kosovës është vendosur po nga Komuna. Po ashtu, nuk është e vërtetë se ky flamur është hequr “nga qytetarët”, ngase dihet se këtë veprim e ka bërë një aktivist i Vetëvendosjes, një ish-drejtor komunal tash deputet dhe për këtë ndaj tij është zhvilluar një proces gjyqësor që, për arsye të panjohura, nuk është çuar në fund.

Logjikisht, nëse një shtyllë është paguar me paratë e taksapaguesve, atëherë Komuna duhet ta ketë në menaxhim. Dhe e ka. Por, e menaxhon sipas dëshirës.

“Ajo nuk ka qenë asnjëherë përgjegjësi e Komunës së Prishtinës. Nuk është e nënshkruar as me protokol që flamurin atje duhet ta kemi kështu apo ashtu. Atëherë nuk e ka pasë hequr Komuna, atë e kanë bërë dhe qytetarët, edhe ata kanë marrë pjesë në vendosjen e flamurit kombëtar. Kjo tregon se nuk është përgjegjësi e jona edhe kthimi i flamurit të Kosovës”, ka deklaruar kryetari Shpend Ahmeti.

Por, kjo është një deklaratë plotësisht e pasinqertë e tij. E pasinqertë dhe e pasaktë.

* * *

Më 27 janar artisti Driton Selmani kishte vendosur në vend të flamurit kuqezi, në shtyllën e famshme të rrethit të famshëm, një flamur ofsajdi, një shprehje proteste artistike shumë domethënëse. Shpend Ahmeti në profilin e tij në Facebook vetë kishte treguar se në vendin e ngjarjes kishte dalë Inspekcioni i Komunës, që e kishte hequr flamurin e Selmanit për ta rivendosur atë kuqezi.

Tash, nëse puna e flamurit Te Rrethi nuk qenka përgjegjësi e Komunës, siç po thotë Ahmeti, si ndodhi që u bë përgjegjësi me rastin e artistit Selmani? Pse intervenoi Inspekcioni i Komunës, madje i prirë nga drejtori përkatës komunal? Pse nuk u la flamuri i ofsajdit, pasi që edhe atë e vendosën qytetarët, por Komuna intervenoi që të rikthehet flamuri kuqezi?

Këto veprime tregojnë se, kur i konvenon, Komuna dhe zyrtarët e saj e marrin përgjegjësinë për shtyllën dhe vendosjen e flamujve në të, e kur nuk iu konvenon, përpiqen ta hedhin fajin tjetërkund.

Këto veprime tregojnë hipokrizinë e zyrtarëve komunalë, të cilët veprimet e tyre ua përshtatin kalkulimeve politike. Është e lehtë të hiqet përgjegjësia nga vetja por, po ashtu, është e pandershme të manipulohet me këtë përgjegjësi për qëllime ekskluzivisht partiake dhe politike. Komuna ka përgjegjësi për gjithçka që ndodh në territorin e vet, aq më shumë për çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e aseteve të veta, qoftë edhe të një shtylle metalike.

* * *

Më e drejtë është të tregosh se nuk mund të menaxhosh diçka, sesa të provosh t’u hedhësh hi syve qytetarëve. Përtej vendosjes së një flamuri a një tjetri, pamundësia e menaxhimit të një shtylle ose heqja e përgjegjësisë për menaxhimin e saj tregon shumë për mendësinë qeverisëse. Cinikët do të ngrinin dilemën se, nëse nuk mund të menaxhosh një shtyllë, si të menaxhosh atëherë një qytet, një kryeqytet?

E kryetari i Prishtinës del të ketë problem me menaxhimin e shtyllave. Ato që quhen shtylla antiparking, skaj trotuareve, në përpjekje për t’i liruar ato për këmbësorët, janë vendosur pa siguruar paraprakisht parkingje të mjaftueshme për qytetarët.

Probleme duket të ketë edhe me menaxhimin e flamujve që vendosen në qytetin që qeveriset nga ai. Prishtina është kryeqytet i shtetit të Kosovës dhe vendosja e flamurit bardhekaltër nuk është dëshirë, por obligim. Nëse njerëzit që qeverisin dhe secili qytetar nuk kontribuon në promovimin e flamurit që simbolizon shtetin e Kosovës, atëherë për çfarë po flasim?

Është krejt çështje tjetër nëse ky flamur na pëlqen ose jo. Atë duhet respektuar e promovuar, sepse në këtë mënyrë respektojmë dhe promovojmë shtetin, me të metat dhe të mirat e tij. Natyrisht, duhet menaxhuar mirë secila shtyllë e shtetit, ashtu si dhe shtylla Te Rrethi. Është përgjegjësi ligjore, nëse jo edhe morale. Tekefundit, flamuri e shteti janë tanët, jo të politikanëve.

Të tjera

Lajmet e fundit