Kthehu lart

Hipokrizi dështakësh

Hipokrizi dështakësh Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Zyrtarët e partive politike në Kosovë po dëshmojnë për të satën herë se skena politike në Kosovë është skenë inatesh të ndërsjella, zhurmash, hipokrizish, ndërskamcash e bllokadash, e jo skenë politike e parimeve dhe alternativave.

E pavendosur karshi Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon të gjejë arsye për të minuar gjetjen e një mënyre për të bashkëpunuar me këtë subjekt politik.

Përderisa para pak javësh zyrtarë të LDK’së e kushtëzonin një bashkëpunim të mundshëm me njohjen e figurës së presidentit Ibrahim Rugova, tash ata kanë ”kushte” të reja.

Avdullah Hoti ka deklaruar se Vetëvendosja së pari duhet të kërkojë falje për të gjitha veprimet e dhunshme që ka bërë, gjuajtjen e gazit lotsjellës e koktej molotovit, thyerjen e institucioneve dhe tek pastaj do të mund të lëvizet përpara për një bashkëpunim të mundshëm.

“T’u kërkojnë falje qytetarëve të vendit, LDK’së e kryeministrit. Kryeministri është sulmuar në familje në shtëpinë e tij. Është gjuajtur me koktej. Është sulmuar vetura e tij. S’ka qenë sulm me vezë apo sulm simbolik, por ka qenë sulm që ka pasë mundësi të shkaktojë vdekjen e kryeministrit dhe stafit të tij”, ka thënë Hoti.

Vërtet do të duhej të ishte kështu siç thotë Hoti, me kusht që LDK të ishte një parti me parime e vizion të qartë politik. Por, në vazhdimësi, LDK ka dëshmuar se është larg nga parimet, andaj deklaratat e tilla tingëllojnë jo të sinqerta dhe joserioze.

LDK po kërkon nga Lëvizja Vetëvëndosje të kërkojë falje, ndërkohë që asnjëherë nuk ka kërkuar nga Partia Demokratike ta bëjë një gjë të tillë. Në mos për asgjë tjetër, të paktën për faktin se udhëheqës të kësaj partie e kishin shpallur tradhtar ish-kryetarin e LDK’së, Ibrahim Rugova. Për më tepër, zyrtarë të LDK’së kishin drejtuar gishtin drejt PDK’së rreth dyshimeve për vrasjet e pasluftës.

Por, përkundër kësaj, pa kërkuar kurrfarë llogarie, zyrtarë të LDK’së kanë bashkëqeverisur në dy mandate me PDK’në, thua se ndërmjet tyre nuk ka ndodhur asgjë, thua se ndërmjet tyre nuk qëndron një mal i tërë akuzash e dyshimesh madje edhe për vrasje e të tjera krime.

Andaj tingëllojnë hipokrite kërkesat e LDK’së të cilat, në fakt, shpërfaqin mosgatishmërinë e kësaj partie për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen.

LDK është renditur subjekti i tretë politik në zgjedhjet e 11 qershorit. Por, në vend se të reflektojë dhe të kërkojë përgjegjësi për humbjen, zyrtarët e saj shfaqin hipokrizinë për të cilën njihen tashmë.

* * *

Më pak hipokritë me deklatatat e tij nuk po tregohet as Behgjet Pacolli i AKR’së. Falë koalicionit me LDK’në para zgjedhjeve, AKR ia doli t’i ketë katër deputetë në Kuvendin e Kosovës. Po të kishte garuar e vetme, me siguri nuk do të kishte kaluar pragun zgjedhor. Edhe ashtu, AKR është një parti me fuqi shumë të vogël.

Por, fuqinë e vet modeste politike, Pacolli po dëshiron që tash ta vendosë në anën e koalicionit PAN, në mënyrë që institucionet të krijohen.

Është e drejtë e tij të veprojë si të dojë, por do të ishte shumë më korrekte që ta thotë hapur se dëshiron t’i bashkohet PAN’it, e jo të jep ultimatume se ai do të veprojë, po që se LDK e Vetëvendosje nuk arrijnë të krijojnë shumicën.

Pacolli e di mirë se këto dy parti e kanë problem për të bashkëpunuar në mënyrë korrekte. Deklarata e Avdullah Hotit se Vetëvendosje duhet të kërkojë falje për veprimet e veta, vetëm sa e ka zbehur edhe më shumë mundësinë për bashkëpunim.

Megjithatë, nëse ka dashur që të bëhet pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, atëherë Pacolli ka mundur fare lehtë t’i bashkohet PAN’it para zgjedhjeve. Ose PDK’së. Lojërat e tilla hipokrite e joparimore nuk i bëjnë nder politikës.

* * *

Nder politikës, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, nuk i bën as ideja që të bashkëpunohet me LDK’në, ndërkohë që e ka pasur në shënjestër të kritikave dhe akuzave gjatë gjithë mandatit të Isa Mustafës kryeministër. LDK është po ajo e para zgjedhjeve, po ajo e qeverisjes me PDK’në, madje ende formalisht është në koalicion me PDK’në. Çfarë ndryshoi kaq shpejt që LDK u bë “e mirë” për Vetëvendosjen?

Qasja e tillë e partive politike dëshmon për të satën herë për një skenë politike aspak parimore në Kosovë. Një skenë politike inatesh të ndërsjella, që nuk prodhon zgjidhje e alternativa, por vetëm zhurmë, ndërskamca e bllokada.

Këtë po e dëshmon çdo ditë edhe koaliconi PAN me lojën e ndytë të mungesë në seancat e Kuvendit, me deklarimet, në njërën anë, se i ka votat e nevojshme për t’i krijuar institucionet dhe, në anën tjetër, me fajësimin e rivalëve politikë për mossigurimin e votave.

Këta njerëz që e bëjnë politikën dhe do të duhej t’ua bënin më të lehtë jetën qytetarëve që i kanë zgjedhur me votë, kanë dështuar të jenë në shërbim të tyre. Ata janë në shërbim të interesave vetjake dhe të partive të veta. Ata janë, thjeshtë, hipokritë dhe dështakë. 

    Temat:
    Data: 11 Gusht 2017 16:50
    Autori: Imer Mushkolaj
    • Game of Thrones për Kurorën e Kalifit

      Game of Thrones për Kurorën e Kalifit 0

    Të tjera