Kthehu lart

Dhelpra dhe luani në politikën dhe shoqërinë shqiptare

Dhelpra dhe luani në politikën dhe shoqërinë shqiptare Autori: Linda Karadaku GazetaExpress E premte, 06 Janar 2017 11:36

Halli më i madh për momentin është si të garantohet pushteti dhe kjo nuk është aspak gjë e re në politikën tonë shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Në fakt, është emergjente të garantojmë stabilitetin e shtetit, qoftë për paqe, qoftë për betejë

“Nuk ndodh shpesh që kombet të mësojnë nga e kaluara, edhe më rrallë nxjerrin përfundimet e sakta prej saj,” thotë Henry Kissinger. Këtë po lexoja sot ndërkohë që bëhet gjithnjë e më e qartë se ambiciet e vogla, lokaliste, etja për pushtet e bazuar në thënien “më mirë I pari I fshatit se I fundit në qytet” qëndron në thelb të një sjellje të papërgjegjshme herë pas here në politikën dhe shoqërinë shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve. Po për shkak të këtyre ambicieve, shesim dhe blejmë njëri-tjetrin brenda dhe jashtë kufijve, duke shkatërruar në fund edhe karrigen e pushtetit ku nuk arrin më të ulet askush për një kohë të gjatë, i pa shqetësuar dhe i pa rrezikuar… Përfundimisht, ne nuk mësojmë hiç (turqisht) dhe asgje (shqip) nga e kaluara dhe vazhdojmë të flemë me mullixhiun për inat të vjehrrës. Ngushëllimi është se nuk jemi të vetmit, kemi shokë sa të duash, veçanërisht në Ballkan ku fqinjët tanë  nuk janë larg budallallëqeve tona, duke bërë marrëzi edhe më të rrezikshme, duke vënë në pikëpyetje shumë të madhe stabilitetin e gjithë rajonit dhe të miliona jetëve të njerëzve që në fund konsiderohen nga të pashpirtët dëme kolaterale. "Ne jetojmë në një kohë të mrekullueshme, në të cilën i forti është i dobët për shkak të skrupujve të tij dhe I dobëti forcohet për shkak të guximit të tij," thotë Henry Kissinger.

 Ne ishim të fortë dhe me skrupuj kur ramë dakord të bisedojmë me Serbinë për të mbyllur një kohë të gjatë, të hidhur dhe të tmerrshme konflikti dhe për tu dhënë një të ardhme në paqe brezave të rinj, por lidershipi serb, i dobët dhe i anatemuar me të drejtë për shkak të së kaluarës së vet, u forcua për shkak të guximit të tij dhe ja ku jemi sot. Urdhër-arrestet e Serbisë vazhdojnë të jenë në fuqi, Kosova reagon aq sa mund të reagojë i pari i fshatit ndërkohë që qyteti, në këtë rast Franca, nuk e ka me ngut dhe kur Serbia nuk ka mësuar “hiç dhe asgjë” nga e kaluara. A është thjeshtë grricje, test i rendit të ri post-liberal, konservator, i aleancave të vjetra apo fillimi i një sage të re të përgjakshme ku askush nuk është imun… A janë indikacione, shenjë të një ere të re dhe të frikshme apo thjesht episode kalimtare për të arritur diçka, ndoshta më shumë ndikim, ndoshta më shumë pushtet, ndoshta inat ballkanik…Kush e di, por kam frikë se nuk është aq kalimtare dhe episodike sa mund të duket në pamje të parë, me një vështrim lokal, si i pari i fshatit, sikur ne të jemi kërthiza e botës…

 Napoleon Bonaparte thoshte “kurrë mos e ndërprit armikun tënd kur është duke bërë një gabim.” A duhet lënë në këtë rast Serbia të vazhdojë me gabimin e saj duke rrezikuar shumëçka jo vetëm në Ballkan…Apo duhet ndjekur strategjia, po e Bonapartes, kur thotë se ai vetë ishte ndonjëherë dhelpër dhe ndonjëherë luan dhe se “gjithë sekreti i qeverisjes qëndron në të diturit kur të jesh njëri dhe kur të jesh tjetri,” pra kur të jesh dhelpër dhe kur të jesh luan. Po Franca vetë, cilin rol është duke luajtur tani, të dhelprës apo të luanit? Po ne, çfarë po bëjmë, a kemi ndonjë strategji të qartë se çfarë jemi në këtë histori, dhelpra, luanë apo gazela…

 Në një lloj politike ku nuk ka nevojë për mend, po për forcë, madje edhe kjo forcë lokale si i pari i fshatit, vështirë se mund të ketë ndonjë strategji të qartë për ta analizuar, për t’u përgatitur, për të pasur përgjigje, reagim. Në qytetin e madh të Evropës dhe botës luhet me rregulla të tjera, ku nuk ka miq dhe armiq, po thjesht interesa. Dhe interesat përcaktohen nga dobia, sa i dobishëm je apo jemi në këtë botë të madhe, në Evropë apo në politikën globale. Mund të jesh i dobishëm si viktimë apo si aleat. Si viktima e kemi provuar, si aleatë shumë më pak…

 Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me Kosovën dhe thjeshtë me Ramushin, kjo ka të bëjë me ne të gjithë, me atë që jemi dhe me atë që duam të jemi në këtë erë të re që po vjen dhe që nuk duket aspak episodike. Mbreti anglez George VI, duke iu drejtuar popullit në vitin 1939, tha: “Një vit i ri po vjen. Nuk e dimë çfarë do të sjellë. Nëse sjell paqe, do të jemi kaq shumë mirënjohës. Nëse na sjell betejë të vazhdueshme, duhet të mbetemi të patrembur.”

 Kjo erë e re kërkon që shoqëria dhe veçanërisht politika që e udhëheq atë të orientohet drejt politikave afatgjata të stabilitetit të vendit dhe përgatitjes së tij për të qëndruar në këmbë, “të patrembur” për tu përballur me furtunat që mund të vijnë dhe që po japin shenja të ftohta dhe të akullta dimri. Karriget e pushtetit nuk do të kenë asnjë rëndësi nëse askush nuk do të mund të ulet më në to, forcimi i shtetit do të garantojë pushtetin dhe jo e kundërta. Debatet shterpë para-zgjedhore, koalicionet, kush me kë, pse dhe qysh, lojërat e vogla dhe cicimicet me grricje politike, do të duken si përralla dimri në një situatë të re de-facto të një rendi të ri, për të cilin ne as nuk kemi filluar të mendojmë seriozisht, jo më të jemi të përgatitur dhe të gatshëm për tu përballur. Duket sikur halli më i madh për momentin është si të garantohet pushteti dhe kjo nuk është aspak gjë e re në politikën tonë shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Në fakt, është emergjente të garantojmë stabilitetin e shtetit, qoftë për paqe, qoftë për betejë, siç tha mbreti anglez!

    Data: 06 Janar 2017 11:36
    Autori: Linda Karadaku

    Merr lajmet e fundit

    • Hija e Erdoganit mbi Tiranë 0

    Të tjera