Dekorimi i histerisë së historisë

Si është e mundshme që në listën e gjatë të dekoratave nga presidenti Hashim Thaçi të jenë pak gra e vajza?! Ato kanë kontribuar në të gjitha etapat e shtet ndërtimit, por fatkeqësia është se burrat e kanë krijuar dhe uzurpuar historinë, ndaj në këtë relacion gratë megjithatë e kanë një vend- në margjina!

Sibel Halimi

Paslufta në Kosovë i rreshtoj shumë historian për të shkruar dhe rishikuar historinë. Si në pjesën dërrmuese  të vendeve postkonfliktuoze, historia, fillimisht u instrumentalizua, pastaj i vu në shërbim të politikës.

Libra historie u mbushën me profile figurash të shndërruara në kulte e mite. Hapësirat publike u pushtuan me to në çdo përvjetor e në çdo cep të territorit të Kosovës (përveç veriut dhe komunave të dominuara nga komuniteti serb).

Në këtë mozaik post luftë, një vend i zbrazët në histori mbeti për gratë, për faktin se roli i tyre në historinë kosovare nuk lidhet vetëm me periudhën e kohëzgjatjes së luftës dhe raportimit mbi të, por është një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar shtetin duke pasur role dhe pozita të ndryshme.

Njohja e rolit të grave në histori është konceptuar brenda kornizës së etabluar të burrave duke i trajtuar gratë si viktima të shtypjes. Siç do të thoshte historiania amerikane Gerda Gelner “korniza tradicionale në histori është nxjerrë prej historive politike”. Sipas saj, gratë kanë qenë grupi i cili i përjashtuar nga pushteti politik për një kohë të gjatë në histori, sidomos nga vendimmarrja ushtarake.

“Kështu që ndarja në periudha e bazuar në zhvillimin ushtarak dhe politik është jo fort e rëndësishme për përvojat e tyre historike”, konkludon Gelner.

Në këtë kontekst, gratë të cilat i kanë shërbyer linjës së politikës së uniformuar e kanë pasur të vështirë të iniciojnë dhe trajtojnë shumë çështje që lidhen me historinë e grave, sepse gjithmonë Kosovës iu krijuan probleme “madhore”, shkaku i të cilave nuk arritën të dëgjohen rrëfimet e tyre. Prandaj, si kurrë më parë, nevojitet një ridimensionin dhe rikonceptim i historisë, në fakt humanizimi i saj. Deri në këtë pikë, ajo do të jetë një shërbyese e klasave dhe pushteteve dhe si e tillë burim i urrejtjes dhe jo gjithëpërfshirëse dhe si e tillë nuk do të arrijë të ofroj ndjenjës së të qenit të secilit në vendin e saj/ të tij. Vetëm nëpërmjet rishikimit/rishkrimit të historisë, gratë mund ta konceptojnë emancipimin e tyre, ngase sipas Gelner “historia e grave është mjeti më i fuqishëm për emancipimin grave”.

Por, në kontekstin kosovar, historia nuk përbën mjet emancimi, përkundrazi, mjet anashkalimi deri në shpërfille të rolit të gruas në secilën etapë historike. Prandaj, sot ka më shumë shtatore burrash, se grash, prandaj sot ka më shumë buiste burrash se grash, prandaj sot ka më shumë emra rrugësh të burrave se sa grave!

Kjo, hapur tendencë për ta veshur historinë me atributin burrëror, siç përshkruhet në një pjesë të historisë sonë kombëtare dhe në letërsinë popullore. Ky mohim, tingëllon si projekt politik. Së fundi, një dyzinë dekoratash që u ndanë nga presidenti i Kosovës, le që përbëhen në shumicë nga emra burrash, por shpërfaqin hipokrizi të tmerrshme të pushtetit, i cili përpiqet që gratë t`i trajtojë nëpërmjet formulimeve ligjore, apo duke tundur në opinion idenë se ligjet e vendit janë të standardizuara konform atyre të BE-së, kur është çështja e respektimit të asaj që njihet si ‘barazi gjinore’.

Ndaj, si është e mundshme që në listën e gjatë të dekoratave nga presidenti Hashim Thaçi të jenë pak gra e vajza?! Ato kanë kontribuar në të gjitha etapat e shtet ndërtimit, por fatkeqësia është se burrat e kanë krijuar dhe uzurpuar historinë, ndaj në këtë relacion gratë megjithatë e kanë një vend- në margjina!

Në këtë listë, përpos disa emrave të grave të tjera, do të duhej të ishte edhe ai i znj. Shyhrete Berisha, e cila humbi familjen, u përball me padrejtësinë institucionale që ia mohoi të drejtën e pronësisë ndaj një cope historie (kujtimeve). 

Përpara se për bashkëpartiakë, familjar e farefis, dekorata duhet për ata që bën diçka për këtë vend jo për ta regjistru analet historike, por për ta përjetuar brezat.

Përpara se t`i bëjnë njerëzit pjesë të rrëfimeve historike, shpërndarësit e këtyre dekoratave duhet ta kenë parasysh se nuk ka derë emergjente në histori. Historia dhe bërja pjesë e saj janë proces. Kronikanët e politikanët duhet të jenë më vigjilentë. Historia nuk ka filluar dje e as sot. Prandaj, rrëfimet historike, zakonisht fillojnë si në përralla. “Na ishte njëherë...”. Ishte edhe një grua. Ishin edhe shumë gra...! Ose ta pranojmë se ato janë  para dyerve të historisë. Apo, siç shkruan Gelner “...e tërë historia e deritashme për gratë është thjesht parahistori”.

(autorja është sociologe dhe aktiviste për të drejtat e grave)

Të tjera

Lajmet e fundit