Kthehu lart

Dekada e dytë e Kosovës: Sfidat e sigurisë

Dekada e dytë e Kosovës: Sfidat e sigurisë Autori: Burim Ramadani GazetaExpress

Përgjigja më e mirë dhe më bazike ndaj sfidave të sigurisë në dekadën e dytë të shtetit të Kosovës është konsolidimi i shtetit dhe demokratizimi i shoqërisë

Shtetet e reja, të vogla dhe në proces të konsolidimit, domosdoshmërisht duhet të identifikojnë qartë dhe saktë interesat nacionale dhe objektivat strategjike. Krahas kësaj, përcaktimi mbi partneritetet strategjike dhe të natyrshme janë detyra themelore të promovimin dhe garantimit të sigurisë nacionale.

Nuk ka dilemë se pjesa më e rëndësishme e tregimit mbetet fokusimi në konsolidimin e arkitekturës së sigurisë nacionale, rrumbullakësimit të kornizës strategjike të sigurisë, profesionalizimi dhe qeverisja e mbikëqyrja demokratike e sektorit të sigurisë.

Kosova, tashmë në 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, është në hapat e fundit të kompletimit të Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare, derisa institucionet ekzistuese brenda mandatit të tyre Kushtetues kanë arritur të jenë profesionalisht të konsoliduara dhe në partneritet të plotë me botën demokratike.

Dinamikat rajonale, në kohën që ne jetojmë, kanë ndikim deri në vendimtar në sigurinë nacionale të shteteve veç e veç.

E kemi të qartë se asnjë shtet nuk është i vetë-mjaftueshëm për sigurinë nacionale. Për këtë, na duhet bashkëpunimi ndër-shtetëror sa më i gjerë.

Kosova si shtet e ka të vendosur rrugën e vet: 1) Ne nuk jemi shtet neutral në aspektin ushtarak dhe të politikës së jashtme; 2) Duam të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO dhe NATO të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë.

Ndërkohë, synojmë që Kosova të përfshihet në Programin Partneritet për Paqe (PfP), në bazë të fushave të specializuara ushtarake, si dhe të ftohet për t’u bashkuar në “Membership Action Plan – MAP” të NATO-s.

Në këtë 10 vjetor, sfidat e sigurisë së Kosovës mund të përmblidhen në tri kategori kryesore:

Krimi i organizuar transnacional

Terrorizmi Global

Influenca dhe presioni rus në Ballkan dhe Kosovë

Sigurisht, se përgjigja më e mirë dhe më bazike ndaj këtyre sfidave është Konsolidimi i shtetit dhe Demokratizimi i shoqërisë.

Ne synojmë të bëhemi kontribuues të sigurisë rajonale dhe më gjerë, duke marrë pjesë në Misionet Paqeruajtëse nëpër kriza të ndryshme nëpër Botë. Në anën tjetërm, sfidat e vazhdueshme të sigurisë në dimension rajonal dhe global, mund të përballen në bashkëpunim midis shteteve, përmes asaj që i referohemi si “Mbrojtje e Mençur”.

Çka në 20 vjetorin e pavarësisë së Kosovës?

Disa sfida të ri-afirmuara, ndërsa sfidat tjera të reja do të mund të dalin përpara. Dekada që po hyjmë, ndërlidhet sidomos me domosdoshmërinë e fuqizimit të kapaciteteve për të arritur Sidomos, siguria kibernetike dhe siguria energjetike.

Për përballje me sfidat e sigurisë në dekadën e dytë të shtetit të Kosovës, duhet qartësuar planifikimi strategjik i orientimit të ambientit të ardhshëm të sigurisë: Strategjia e re e sigurisë kombëtare; Strategjia e mbrojtjes; Përmbyllja e Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare; Anëtarësimi në NATO; dhe Hapat e fundit në anëtarësimin në BE.

    Data: 20 Shkurt 2018 15:31
    Autori: Burim Ramadani

    Të tjera