Kthehu lart

Banda “e mirë” e lagjes

Banda “e mirë” e lagjes Autori: Arben Idrizi GazetaExpress

Shteti është plaçkë, pronar i së cilës është kryeministri dhe banda e tij e gjerë. E përdorin për qëllimet dhe nevojat e veta dhe vetëm të veta. Për këtë, them se kryeministri është ai gangsteri i lagjes sipas filmave, që bëhet se kujdeset për mirëqenien e lagjes, kundër rendit dhe ligjit. Vlejnë ata që shkojnë pas tij, të tjerët janë armiq, spiunë, frikacakë, të këqij. Dhuna, fuqia, muskujt janë virtyt. Mashtrimi, gënjeshtra janë vlera. Zhvatja, shantazhi janë shpërblim

Skena klasike e filmave gang është e thjeshtë dhe e amshueshme: banda me në krye kriminelin më të tmerrshëm bëhet se u ofron siguri banorëve të lagjes; u shpërndahen ndihma nevojtarëve; punësohen të papunët; secili është i angazhuar për mirëqenien e lagjes, familjeve; nuk ka asnjë ndërhyrje nga jashtë; kundërshtarët nga brenda janë frikacakë, spiunë dhe të këqij; forca, dhuna janë virtyt; mashtrimi,  gënjeshtra janë vlera; haraçi, zhvatja, shantazhi janë shpërblim për punën e bërë, etj.

Në vetëm njëqind ditët e para të qeverisjes, kryeministri Haradinaj ka marrë vendime krye në vete, prej kapoje të një bande, të cilat do të kenë pasoja për mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë.

Natyrisht, e keqja e parë na erdhi kur ai u zgjodh kryeministër. Për pasojë, vendimi i tij i parë prej kapoje të bandës që bëhet se kujdeset për lagjen e vet, ishte tërheqja e shumës së grumbulluar për sigurimet shëndetësore.

Vendimi i dytë ishte ndarja e një fondi për familjet e një bande kriminelësh që kishin sulmuar dhe terrorizuar vendin fqinj, Maqedoninë. Kjo ishte pak a shumë në linjë me skandalin e pashoq të fryrjes së listave të veteranëve të luftës. Interpretimi i vetëm që më bind është se ti mund të jesh kriminel, ti mund të sulmosh vendin fqinj, për çfarëdo qëllimesh, në fund do të nderohesh në vendin tënde, do të shpërblehesh, do të glorifikohesh.

Vendimi i tretë ishte rritja e numrit të zëvendësministrave dhe këshilltarëve.

Mes parantezash, mund t’iu shtohen këtyre veprimeve të sipërpërmendura edhe disa deklarime prej kapoje, si ai në mbrojtje të ministrit dhe njëkohësisht zëvendësministrit, matrapazit të rëndomtë, Dardan Gashit, i cili kishte gjuajtur me armë në një ndejë banditësh. Kryeministri e kishte cilësuar gjuajtjen me armë një traditë për t’u respektuar, duke iu referuar një mbetjeje zakonore që është në kundërshtim të plotë me organizimin shtetëror, në krye të të cilit është. Për kryeministrin dhe bandën e tij, kjo kundërthënie nuk paraqet skandal. Shkelja nuk është e ndaluar. Ajo thirrja e policisë që të mos përdoren armë në ahengje është absurde dhe qesharake, kundër kanunit, traditës. Mund të përdorni armë, thotë kryeministri. Thirrjet dhe urdhrat e policisë nuk vlejnë. Ose, interpretuar më tej dhe më qartë: rendi dhe ligji vlejnë për vdekatarët e shkretë, jo për gjysmëperënditë, do të thotë banditët.

Dhe tash, vendimi i fundit, rritja në shumëfish e pagave për veten dhe stafin e gjerë përreth vetes. Vendimi, kaq arbitrar dhe banditor, sipas ligjit, duhet të ndikojë, me automatizëm, që ajo rritje page të vlejë edhe për sektorë të tjerë shtetërorë. Ndërkohë, e keqja tjetër, vendimi ka ardhur ende pa u miratuar buxheti në Kuvend. Kjo nënkupton, ndër të tjera, se Qeveria do të bëjë trysni që të tërheqë për personelin e vet një shumë të konsiderueshme buxheti që do të duhej të shkonte për të rritur sado pak mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi. Në vend se një shumë e caktuar të shkojë për shëndetësi ose arsim, do të shkojë për pagat e bandës kryeministrore.

Shteti është plaçkë, pronar i së cilës është kryeministri dhe banda e tij e gjerë. E përdorin për qëllimet dhe nevojat e veta dhe vetëm të veta. Për këtë, them se kryeministri është ai gangsteri i lagjes sipas filmave, që bëhet se kujdeset për mirëqenien e lagjes, kundër rendit dhe ligjit. Vlejnë ata që shkojnë pas tij, të tjerët janë armiq, spiunë, frikacakë, të këqij. Dhuna, fuqia, muskujt janë virtyt. Mashtrimi,  gënjeshtra janë vlera. Zhvatja, shantazhi janë shpërblim për gjoja punën, për gjoja shërbimet.

    Data: 22 Dhjetor 2017 15:52
    Autori: Arben Idrizi

    Të tjera