Kthehu lart

As nuk ju tutemi e as nuk ju besojmë

As nuk ju tutemi e as nuk ju besojmë Autori: Arianit Koci GazetaExpress

Nuk ju tutemi se tashmë po dëshmohet se jeni të pafuqishëm. Nuk ju besojmë sepse veproni vetëm bazuar në interesa personale. E keni harruar Shtetin. Gjykata Speciale dhe Demarkacioni po e dëshmojnë se jeni të fuqishëm vetëm kur ktheni kokën në Beograd te Lista Srpska dhe Vucic. Kjo dëshmon pafuqinë tuaj sepse s’mund të fuqizoni e as shfuqizoni as edhe një ligj pa ndihmën e deputetit goran të Listës Sprksa, Adem Hodzicit.

Jam rritë me idenë që fjala e dhënë dhe nderi janë dy virtytet më të rëndësishme për njeriun.
Pa këto dy veti mund të jetosh - në disa raste madje mund të jetosh shumë mirë. Por, me kohë e kupton që ajo jetë është jetë e mallkuar dhe e thatë.
Sidoqoftë, te ne po kultivohet vite me radhë kultura e dredhisë, rrenës dhe kërcënimit. Posaçërisht në politikë. Aty ku unë personalisht besoj që mbajtja e fjalës dhe nderi duhen me qenë të nënkuptueshme dhe të vetëkuptueshme - duhen me qenë imperativ!
Kjo frymë, fryma e rrenës, na ka sjellë në këtë situatë që jemi: të varfër intelektualisht, shpirtërisht dhe ekonomikisht.
Nuk mund ta zhvillosh familjen, shoqërinë dhe shtetin me rrena dhe dhunë.
E m’u këtë disa politikanë po tentojnë ta bëjnë: ta zhvillojnë shtetin dhe shoqërinë me rrena.
Rezultatet po shihen. Janë po ato rezultate që i ka apo i ka pasur çdo shoqëri e pasinqertë, me politikanë edhe më të pasinqertë - primitivizëm dhe vetëm primitivizëm!
Prandaj, shumica e politikanëve nuk e kanë asnjë trohë respekti te shumica e popullatës.
As nuk ju besojmë e as nuk ju tutemi.
Janë ku janë, jo pse ne kemi pasur vullnetin me qenë ata aty, por pse disa prej tyre, janë imponu dhe janë pozicionu me koalicione joparimore, shantazhe, dhunë, rrena dhe keqpërdorim të votuesve.

Prandaj, politikan të dashur: 

Nuk ju besojmë dhe nuk ju nderojmë - sado që po ju duket që po ju nderojmë. Në fakt, e dimë që ju nuk mërziteni se a po ju nderojmë, e a po ju respektojmë! 

Të gjithë ne, vdekatarët e zakonshëm, votuesit dhe përkrahësit - sipas nevojës, na konsideroni “mish për top”. Mendoni veç për interesa të juaja dhe të familjeve të juaja.
Dijeni që këtë e bëni pse mundeni - jeni “të fortë”.

Vazhdoni ju, por nuk po na bëni budallë.
Krejt po i dijmë dhe po i shohim.


    Data: 28 Shkurt 2018 18:10
    Autori: Arianit Koci

    Të tjera