Kthehu lart

A do ta lejojë Evropa Gjermaninë të udhëheqë?

A do ta lejojë Evropa Gjermaninë të udhëheqë? Autori: Marcel Fratzscher GazetaExpress E hënë, 09 Janar 2017 11:15

Gjermania ka nevojë që partnerët e saj të ulen në tryezë, dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv në lidhje me zgjidhjet konkrete për krizën gjithnjë e në thellim të Evropës.

Votimi pro Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, humbja e kryeministrit italian Mateo Renci në referendumin mbi ndryshimet kushtetuese dhe dorëheqja që pasoi, dhe zgjedhja e Donald Trampit si president i Shteteve të Bashkuara, kanë krijuar një vakum pushteti në Perëndim, dhe në Evropë. Në një kohë kur Evropa ka nevojë të marrë vendime të rëndësishme të përbashkëta ekonomike dhe në politikën e jashtme, çështjet e brendshme janë duke shqetësuar shtetet e mëdha anëtare të Bashkimit Evropian si Franca, Britania e Madhe, Spanja, dhe Italia. Për pasojë, ekziston një presion në rritje mbi kancelaren gjermane Angela Merkel dhe qeverinë e saj për t’u ngritur dhe udhëhequr.

Por ndërsa Gjermania dëshiron të dëshmojë lidership, ajo ka nevojë për partnerë evropianë që janë të gatshëm të angazhohen dhe bëjnë kompromise. Kritikët e Gjermanisë, kanë të drejtë kur thonë se Berlini mund të jetë më i hapur ndaj propozimeve mbi politikat e ndryshme nga ana e shteteve të tjera anëtare, por shumë nga ankesat kundër Gjermanisë kanë qenë të padrejta – dhe shpesh vetë-shërbyese.

Për shembull, qeveria gjermane është akuzuar shpesh për shmangien e solidaritetit evropian, në përgjigje të krizës financiare të vitit 2008. Por, ndërsa masat gjermane kanë qenë ndonjëherë të vonuara, apo të keq-konceptuara – si propozimi për një “Grexit të përkohshëm” – qeveria gjermane ka rënë ndërkaq dakord edhe mbi programet e shumta të shpëtimit, për krijimin e Mekanizmit për Stabilitet Evropian, si dhe një bashkimi bankar të BE-së. Për më tepër, Gjermania ka mbajtur barrën më të madhe financiare.

Gjermania është kritikuar gjithashtu pse nuk ka rënë dakord për të nënshkruar eurobonot, dhe për kundërshtimin e një unioni të transfertave. Por këto kritika nuk janë bërë gjithmonë në mirëbesim:shtete anëtare si Franca duan të ndajnë rrezikun, pa dorëzimin e sovranitetit të mjaftueshëm mbi politikëbërjen ekonomike. Qeveria dhe qytetarët e Gjermanisë janë më të hapur se shumë të tjerë për një integrim më të thellë në kuadër të BE-së, që kërkohet për ta bërë euron më të qëndrueshme, duke përfshirë edhe bashkimin fiskal.

Por për të arritur këtë, të gjithë partnerët duhet të ecin përpara sa i përket ndarjes së sovranitetit të politikës dhe rrezikut. Një kritikë e tretë që bëhet ndaj Gjermanisë, është se ajo angazhohet në sjellje të tipit “lypi fqinjit tënd”, duke ndjekur politika kufizuese fiskale, të cilat kanë krijuar një tepricë anormale të llogarisë korrente, afërsish sa 9 përqind e PBB-së.

Kjo ka qenë realisht e gabuar. Por mbetet para së gjithash një problem i Gjermanisë. Ndërsa Gjermania ka një boshllëk të madh investimesh, që godet produktivitetin e brendshëm dhe rritjen ekonomike, nuk është fajtorja kryesore prapa rritjes së vakët, papunësisë së lartë, konkurrencës së ulët, dhe të këqijave të tjera ekonomike në vendet e eurozonës.

Duhet pranuar se shumë nga politikëbërësit gjermanë kanë shkuar në rrugë të gabuar, me fiksimin e tyre ndaj masave shtrënguese fiskale, dhe me kritikat e tyre ndaj politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane. Por ata janë me të drejtë të frustruar nga ritmi i ngadaltë i reformave ekonomike në të gjithë BE-në. Në përgjithësi, gjermanët janë thellësisht pro-evropianë, dhe qeveria gjermane ka bërë më shumë për Evropën se sa i njihet si meritë.

Gabimet e lidershipit janë të lehta për t’u identifikuar dhe kritikuar në retrospektivë. Një ushtrim më konstruktiv, është që këto vendime të gjykohen në kuadrin e informacionit që ishte në dispozicion në kohën kur ato janë marrë, dhe të përdoren mësimet e të shkuarës për zgjedhjet e ardhshme.

Me përftimin e kësaj përvoje, qeveria gjermane – dhe në fakt çdo qeveri – do të kishte vepruar ndryshe në lidhje me krizën e borxheve greke, politikën fiskale, referendumin Brexit, e kështu me radhë. Pra, një pikë më e drejtë referimi për udhëheqjen gjermane, janë gjurmët e ndjekura nga qeveritë e tjera të mëdha evropiane. A do të qe Evropa vërtet më mirë sot, nëse qeveria gjermane do të kishte ndjekur rrugën që ndoqën qeveritë franceze, britanike apo italiane gjatë viteve të fundit?

Edhe nëse Merkeli qe e vonuar në reagimin e saj ndaj krizës në Itali dhe Greqi, ajo ka treguar nga ana tjetër një tolerancë të jashtëzakonshme, mendje të hapur, dhe largpamësi. Në dy fusha kryesore – adresimin e krizës së refugjatëve dhe përballjen me agresionin rus – qeveria e saj ka treguar më shumë solidaritet evropian, se sa shumica e shteteve të tjera anëtare.

Për më tepër, Merkel dëshmoi një lidership të shëndoshë në përgjigjen e saj ndaj fitores së Tramp. Ajo e uroi këtë të fundit, dhe i ofroi atij marrëdhënie të ngushta pune, por vetëm mbi bazën e “vlerave të përbashkëta” si “demokracia, liria, si dhe respektimi i sundimit të ligjit dhe dinjitetit të secilit dhe të çdo personi”. Ajo është gjithashtu partnerja më e rëndësishme, dhe më dashamirëse për qeverinë britanike në prag të negociatat të ardhshme mbi Brexit.

Vlerësimi popullor për Merkelin, mbetet zilia e udhëheqësve të tjerë evropianë, dhe ajo mund të kreytarja e vetme jopopuliste e qeverisë në mesin e vendeve më të mëdha perëndimore. Referendumi i 4 dhjetorit i vitit të shkuar mbi ndryshimet kushtetues në Itali, mund të ketë qenë këmbana finale e alarmit për zgjimin e Evropës, për të vepruar së bashku me qëllim adresimin e ndarjeve sociale, ekstremizmit politik, si dhe thellimin e krizave ekonomike dhe politike.

Qeveria gjermane duhet të mësojë nga gabimet e saj të fundit, duke vazhduar të jetë një udhëheqëse për Evropën. Por s’mund ta bëjë këtë e vetme. Qeveritë e tjera të BE-së duhet të ndalen së godituri Gjermaninë, si një mënyrë për të shmangur vëmendjen nga dështimet e tyre. Në vitet e fundit, sulmet e tyre kanë shkuar shumë larg, dhe kanë qenë kundërproduktive. Gjermania ka nevojë që partnerët e saj të ulen në tryezë, dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv në lidhje me zgjidhjet konkrete për krizën gjithnjë e në thellim të Evropës. 

/Project Syndicate
/bota.al

    Data: 09 Janar 2017 11:15
    Autori: Marcel Fratzscher
    • A është NATO shumë e madhe për të pasur sukses? 0

    Të tjera