Nga "do ta heqim" në "po ua paguajmë edhe sivjet", premtimi i Kurtit për policën e sigurimit - Gazeta Express
string(87) "nga-do-ta-heqim-ne-po-ua-paguajme-edhe-sivjet-premtimi-i-kurtit-per-policen-e-sigurimit"

Lajme

Gazeta Express

23/06/2021 10:49

Nga “do ta heqim” në “po ua paguajmë edhe sivjet”, premtimi i Kurtit për policën e sigurimit

Lajme

Gazeta Express

23/06/2021 10:49

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në prag të fillimit të pushimeve verore, ka marrë vendim që t’ua paguajë mërgimtarëve shpenzimet për policën e sigurimit. Kurti ua kishte paguar të njëjtin shpenzim mërgimtarëve edhe gjatë viti 2020, sa ishte kryeministër në detyrë, derisa këtë vit ka vepruar njëjtë, pavarësisht që në fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit kishte premtuar se do ta hiqte krejt një detyrim të tillë për bashkatdhetarët.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Në mbrëmjen e 3 shkurtit të këtij viti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe udhëheqësja e Listës “Guxo”, Vjosa Osmani, ishin bërë bashkë për ta shpalosur programin qeverisës, me të cilin do të garonin më pas në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Një prej premtimeve që kishte bërë Kurti atë natë ishte edhe heqja e kartonit të gjelbër për mërgimtarët.

 “Ata kanë ndihmuar çdo vit duke dërguar remitenca e duke shpenzuar para në Kosovë, por ata mund te bëhen motori i zhvillimit tonë. Do ta heqim kartonin e gjelbër dhe do ta mundesojmë votimin në ambasada e konsullata”, kishte thënë Kurti.

Por, ndonëse kishte dhënë një premtim të tillë, ai sot ka marrë vendim për heqjen e shpenzimeve për policën kufitare, vetëm deri në fund të vitit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi në mbledhje se qeveria do ta marrë përsipër pagesën e policës nga 1 korriku.

“Shqyrtimi i Propozim-Vendimit për mbulimin e plotë të obligimeve të sigurimit kufitar nga qeveria e Kosovës për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021. Ky vendim na hap rrugën që Ministria e Financave dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme që të lidhim një memorandum me BQK-në dhe Byronë Kosovare të Sigurimit e marrim përsipër si qeveri mbulimin e kostos së policës kufitare të cilës i nënshtrohen bashkatdhetarët. Mbulimi do të fillojë prej datës 1 korrik”, tha Murati.

Ai tha se kjo është një zgjidhje e përkohshme, derisa premtoi se do të angazhohen që ky problem të zgjidhet një herë e përgjithmonë.

“Kjo është një zgjidhje e përkohshme, por ne do të angazhohemi që ky problem të zgjidhet një herë e përgjithmonë dhe të mos kemi nevojë që të bëhet ky mbulim”, tha Murati.

Vendim për mbulimin e kostos së policës kufitare Qeveria Kurti kishte marrë edhe gjatë vitit 2020, me propozimin e Besnik Bislimit, atë kohë ministër në detyrë i Financave.

“E dini se pandemia ka sjellë komplikime shtesë në transportin e udhëtarëve dhe pritet që të ketë një rritje të kostos për transportin ajror, kjo pastaj mund të sjellë një vëllim më të madh për transportin rrugor dhe sjell barrë shtesë për diasporën”, kishte deklaruar Bislimi në qershorin e vitit 2020.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës, që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, sa herë që hyjnë në Kosovë obligohen që në kufi të paguajnë një shumë të mjeteve financiare për sigurimin e veturave të tyre, meqë Kosova nuk është e anëtarësuar në Kartonin e Gjelbër.

Personat që hyjnë në Kosovë me vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 eurosh. Këto tarifa ndryshojnë nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë./Gazeta Express