10
*
° °

​Uikendi i freskët, me vransira dhe shi

Ditëve të uikendit masa të ftohta ajrore sërish pritet të depërtojnë mbi vendin tonë, duke sjellur mot më të freskët me vransira dhe kohëpaskohe me reshje lokale shiu. Temperaturat maksimale do të zbresin në 18C-22C. Gjatë fillimit të javës së ardhshme pritet përmirësim i motit dhe rritje e temperaturave rreth vlerave mesatare për muajin qershor.

19.06.2015 - Sot gjatë paradites vransirat e ulëta filluan të shpërndahen, ndërsa gjatë ditës kishte edhe intervale me diell. Temperatura maksimale sot u ngrit deri në 23C, 10C më e lartë se ditën e djeshme, ndërsa era fryu nga verilindja 2-4m/s.

Nga Europa qëndrore, ditëve të uikendit do të fillojnë të depërtojnë masa të ftohta ajrore mbi rajon, duke i paraprirë me një front të ftohtë që pritet të kaloj gjatë ditës së shtunë edhe mbi vendin tonë. Si rrjedhojë do të mbajë mot i freskët, me vransira dhe kohëpaskohe me reshje lokale shiu. Reshjet pritet të jenë më prezente në orët e para të mëngjesit të së shtunës, gjatë mbrëmjes dhe natën e së shtunës, të dielen paradite, e vende-vende edhe pasdite. Temperaturat maksimale do të pësojnë zbritje të lehtë në 18C deri 22C, e ato minimale do të sillen nga 10C deri 13C. Era do të fryejë nga veriu me shpejtësi 3-6m/s, e të dielen në mëngjes me hove deri në 8m/s.

Por, nga dita e hënë, sipas parashikimeve të fundit, pritet përmirësim i motit dhe ngrohje graduale me temperatura maksimale deri në 23C, ditën e hënë, dhe 27C të martën.