10
*
° °

Temperatura maksimale sot vetëm 14C

Sot mbi vendin tonë mbajti i mot i ftohtë, me vransira dhe riga lokale shiu. Temperaturat maksimale silleshin nga 12C deri 14C. Nesër do të ketë intervale me diell dhe do të mbajë më i ngrohtë, e gjatë mbrëmjes priten riga lokale shiu. Për uikend sërish freskët, me vransira dhe reshje shiu.

18.06.2015, 18:00 - Pas kalimit të frontit të ftohtë, vendi ynë sot ishte i mbuluar nga vransira të ulëta, të cilat kohëpaskohe shoqëroheshin edhe me riga lokale shiu. Mbajti mot i ftohtë me temperatura maksimale të cilat silleshin nga 12C deri 14C, rreth 4C më ulët se që ishte parashikuar, ndërsa era fryu nga veriu me shpejtësi 4-8m/s, me hove gjatë mëngjesit deri në 14m/s.

Sipas parashikimeve, deri nesër paradite vransirat pritet të shpërndahen dhe priten intervale me diell, e pasdite dhe gjatë mbrëmjes sërish priten vransira, e vende-vende ka mundësi për riga lokale shiu dhe ndonjë bubullimë. Temperaturat maksimale do të ngriten deri në 24C, ndërsa era do të fryejë nga veriu 3-7m/s.

Për uikend, nga Europa qëndrore, sërish pritet të depërtojë një front i ftohtë që do të sjellë vransira dhe të reshura shiu. Temperaturat maksimale, pas rritjes ditën e premte, për uikend do të zbresin deri në 18C ditën e diel. Era do të fryejë nga verilindja 4-8m/s, me hove deri në 11m/s. Temperaturat minimale do të sillen nga 10C deri 13C.