10
*
° °

​Të premten shtrëngata me shi, për uikend intervale më të gjata me diell

Gjatë mbrëmjes priten riga lokale shiu dhe bubullima. Të premten do të mbajë mot me vransira, me rrebeshe shiu dhe bubullima. Vende-vende reshjet mund të jenë intenzive me breshër. Për uikend mot më i qëndrueshëm me intervale më të gjata me diell.

4.06.2015 - Me ardhjen e anticiklonit të Azoreve mbi Europën qëndrore, nga Rusia e deri në pjesët veriore të rajonit tonë, është krijuar një sistem frontal që përgjatë tij sot po zhvillohen shtrëngata të shumëta. Shtrëngata të fuqishme janë duke u zhvilluar në Rumuni, Bullgari dhe në Kroacinë lindore.

Deri në mbrëmje, sipas parashikimeve të fundit, edhe mbi vendin tonë pritet të ketë zhvillime të vransira vertikale që do të sjellin riga lokale shiu dhe mundësi për bubullima. Reshjet do të vazhdojnë edhe pas mesnate dhe gjatë ditës së nesërme do të biejnë si rrebeshe lokale të cilat do të shoqërohen edhe me bubullima. Të reshurat pritet të jenë më intenzive gjatë ditës së nesërme, e vende-vende priten mundësi edhe për breshër. Temperaturat maksimale pritet të zbresin lehtë në 23C-24C, ndërsa era do të fryejë nga verilindja 4-8m/s.

Gjatë mbrëmjes së nesërme reshjet pritet të pushojnë, e për uikend do të mbajë mot më i qëndrueshëm me intervale më të gjata me diell. Të shtunën pasdite rreth viseve malore në perëndim dhe jug të vendit mund të priten riga lokale shiu dhe ndonjë bubullimë. Temperaturat do të luhaten nga 26C-28C, e ato minimale nga 12C-13C. Era do të vazhdojë të fryejë nga verilindja 4-8m/s, me hove gjatë mbrëmjes deri në 11m/s.