10
*
° °

Nga nesër përmirësim i motit dhe rritje temperaturash

Ditëve të para të verës pritet përmirësim i motit dhe rritje graduale e temperaturave deri në 27C ditën e martë. Të mërkurën mbrëma dhe të enjten sërish pritet kalimi i një fronti të ftohtë, që do të sjell mundësi për riga lokale shiu dhe bubullima, por jo edhe ulje të theksuar të temperaturave.

21.06.2015 - Në hemisferën veriore, sot në orën 18:38 zyrtarisht fillon stina e verës. Por, në Prishtinë stina e verës po fillon me mot më të freskët dhe të reshura shiu që ranë sot herët në mëngjes. Temperatura gjatë ditës shënoi 14C, rreth 10C më ulët se vlerat mesatare për muajin qershor. Gjatë mëngjesit sot ranë 11 litra për metër katror shi.

Sipas parashikimeve, prej nesër nga Mesdheu pritet të depërtojnë zona më stabile dhe masa më të ngrohta ajrore, të cilat do të sjellin përmirësim të motit dhe rritje graduale të temperaturave.

Të hënën e të martën do të mbajë mot pjesërisht i vranët dhe me intervale më të gjata me diell. Temperaturat maksimale do të rriten në 23C, të hënën, e të martën deri në 27C, e minimalet nga 9C deri në 11C. Era të martën do të fryejë nga jugperëndimi 2-8m/s.

Të mërkurën mbrëma dhe të enjten një front i ftohtë sërish pritet të depërtojë mbi rajon duke sjellur mundësi për riga lokale shiu, e vende-vende edhe mundësi për bubullima. Temperaturat maksimale do të zbresin lehtë në 23C-26C, por do të mbesin rreth vlerave mesatare mujore, ndërsa era do të fryejë nga verilindja 3-9m/s.