Gjendet mesazhi më i vjetër në shishe

Një familje nga qyteti Perth në Australi, ka gjetur mesazhin më të vjetër në shishe që ndonjëherë ka mundur të gjendet. Ekspertët vlerësojnë se mesazhi në shishe ishte hedhur në det para 132 viteve.

GazetaExpress

Tonia Illman kishte gjetur shishen derisa po shëtiste në dunat e rërës, së një plazhi të largët në pjesën perëndimore të Australisë, transmeton Telegrafi.

Ajo së bashku me miqtë kishte shkuar në plazh për të shijuar vozitjen ekstreme në rërë me vetura, por kur një mikeshë e saj ngeci në rërë me veturë, vendosën ta vazhdojnë rrugëtimin në këmbë.

Tonia në fillim kishte paralajmëruar të gjithë që të jenë të kujdesshëm dhe të shikojnë se ku po shkelin, sepse mund të ketë mbeturina dhe copëza të thyera të xhamit.

Ajo gjeti rastësisht shishen të cilën e mori, pasi mendonte se do të mund të ishte e përkryer si dekorim në dollapin e librave. Fillimisht mendonin se brenda saj ishte një cigare, por më vonë e kuptuan të vërtetën.

 “Jemi munduar ta hapim tapën e shishes, por frikësoheshim që mund ta dëmtojmë letrën që ishte e lagët. Kështu, vendosëm të mos e prekim derisa të shkojmë në shtëpi, dhe ta fusim në furë për ta tharë”, ka shkruar Tonia.

Ashtu edhe vepruan, menjëherë pati efekt nxehtësia, dhe e hapën letrën që gjysma ishte e shkruar me dorë kurse gjysma tjetër me makinë shkrimi.

Në fillim menduan se nuk ka gjasa të bëhet fjalë për një mesazh të vërtetë, për faktin se data e saj ishte shumë e vjetër. Por, kur kontaktuan ekspertët e muzeut, kishin arsye të gëzohen.

U konstatua se mesazhi në shishe ishte hedhur në oqean më 12 qershor të vitit 1886 nga anija gjermane “Paula”, që ishte pjesë e eksperimentit të observatorit detar të Gjermanisë.

Ishin erërat e forta që ndihmuan në gjetjen e shishes, pasi rëra që e kishte mbuluar u largua.

“Ideja që është shkruar 132 vite më parë dhe është gjetur e padëmtuar, më bën të rrëqethem”, ka shtuar Tonia.

Rekordin e librit Guiness për mesazhin më të vjetër në botë të fshehur në shishe, e mbante letra e gjetur në vitin 2015 që është 108 vite e vjetër.

Të tjera

Lajmet e fundit