Kthehu lart

Binjakët identikë, një mendje për dy trupa

Binjakët identikë, një mendje për dy trupa GazetaExpress E premte, 21 Prill 2017 03:59

Në moshën gjashtë-vjeçare Jim Lewis mori vesh se diku nëpër botë kishte një vëlla binjak identik me të. E ëma, një nënë shumë e re, i kishte dhënë për adoptim menjëherë pas lindjes, në gusht të vitit 1939.

Jim ishte adoptuar nga një çift me emrat Lewis dhe Lima, të cilët jetonin në Ohio; ndërsa vëllai nga familja Springer a Dayton, të cilët jetonin edhe ata në Ohio.

Rastësisht të dy ishin quajtur Jim nga familjet adoptuese. Në vitin 1979, në moshën tridhjetë e nëntë-vjeçare, Jim kishte vendosur të gjente gjurmët e vëllait binjak. Gjykata e të miturve, e cila ishte marrë me rastin e tyre, kishte bashkëpunuar në mënyrë deçizive, kështu që vetëm pas gjashtë javësh Jim Lewis trokiti në derën e shtëpisë së Jim Springer a Dayton.

Në momentin që kishin shtrënguar duart ishin ndier aq të afërt dhe të bashkuar saqë dukej se nuk ishin ndarë kurrë. Dhe kur filluan të tregonin historitë e tyre dolën një sërë koinçidencash shumë të çuditshme. Sa për të filluar, kishin të njëjtat probleme shëndetësore. Të dy i hanin thonjtë e vuanin nga pagjumësia.

Të dy në një periudhë të caktuar në moshën tetëmbëdhjetë-vjeçare kishin filluar të vuanin nga migrena, një bezdisje që i kishte lënë të dy në të njëjtën kohë.

Të dy kishin probleme me zemrën dhe teroidet. Kishin të njëjtën peshë, por kishin marrë disa kile të tepërta në të njëjtin vit dhe më pas ishin dobësuar në të njëjtën periudhë. Të gjitha këto duket se tregojnë se programimi gjenetik është diçka më preçiz dhe më i komplikuar sesa mund të imagjinohet. Por ngjashmëria e koinçidencave shkonte përtej aspekteve gjenetike.

Të dy ishim martuar me gra që quheshin Linda, ishin divorcuar dhe ishin martuar sërish me gra të quajtura Betty. Fëmijët e të dyve quheshin James Allan dhe kishin nga një qen të quajtur Toy.

Të dy kishin patur eksperiencë pune si asistent sherifi, punonjës karburanti dhe kamarier në McDonalds. Rastësisht të dy i kalonin pushimet verore në të njëjtin plazh të Floridas; pinin të njëjtën markë duhani dhe kishin hapur një punishte për riparimin dhe ndërtimin e mobiljeve të vogla…

Të dy ishin të afashionuar nga njëri-tjetri, jo vetëm për shkak të gjithë këtyre ngjashmërive, por edhe sepse afrimiteti zhvillohej edhe në planin mendor. Kur njëri fillonte të thoshte diçka, tjetri e përfundonte frazën me të njëjtat fjalë që do të kishte përdorur i pari. Ata shumë shpejt u bënë objekt i një interesi të madh në median masive dhe të dy vëllezërit u shfaqën si të ftuar nderi në shumë shfaqje televizive.

Një psikolog i Minnesta, i quajtur Tom Bouchard, u përfshi aq shumë nga historia e tyre saqë arriti të bindë universitetin të lidhte fonde për një kërkim shkencor mbi misterin e vëllezërve binjakë. Hapi i parë ishte të vihej në gjurmët e kopjeve të binjakëve që fati i kishte ndarë nga njëri-tjetri në një moshë të caktuar dhe që që prej asaj kohe nuk ishin takuar më.

Në vitin e parë të kërkimeve, Bouchard dhe skuadra e tij arritën të gjenin tridhjetë e katër kopje binjakësh. Edhë në këto raste u panë koinçidenca të paimagjinueshme, të tilla saqë nuk mund të shpjegoheshin në asnjë mënyrë në nivel shkencor. Dy binjake angleze, të cilat e kishin rigjetur njëra-tjetrën në moshën tridhjetë-vjeçare, ishin martuar në të njëjtën ditë në një distancë prej një ore larg njëra-tjetrës.

Dy të tjera kishin mbajtur ditar për vetëm një vit në 1962 dhe e kishin përfunduar në të njëjtën ditë. Të dyja në fëmijëri i binin pianos, por e kishin braktisur në të njëjtën moment dhe ishin të dyja të çmendura pas bizhuterive. Përveç kësaj, të gjitha kërkimet e tjera mbi binjakët e ndarë kanë shpalosur gjithnjë koinçidenca impresionante. Binjakët identikë, siç dihet, janë ata që lindin nga e njëjta vezore.

Gjenet e tyre janë krejtësisht identike, çfarë do të thotë të posedosh sy, veshë, buzë dhe çdo lloj organi krejt të ngjashëm. Termi shkencor për t'i identifikuar është monozigotë ose MZ shkurtimisht; ndërsa ata të lindur nga dy vezore të ndryshme janë quajtur dyzigota ose DZ.

Në rastin e parë, ngjashmëria është aq e theksuar saqë herë-herë ndryshimi është i padallueshëm. Si për shembull, dy çifte të krijuara nga binjakë të ndarë kishin fëmijë mashkull të quajtur përkatësisht Richard Andrew dhe Andrew Richard.

Të dy përdornin të njëjtin parfum, e linin derën e dhomës së gjumit paksa hapur, kishin një koleksion të lodrave prej pellushi dhe kishin nga një mace të quajtur Tigre. Testi i inteligjencës nxori në pah vlera absolutisht identike. Barbara Herbert dhe Daphne Doodship ishin dy motra binjake të një nëne të re me origjinë finlandeze. Pas lindjes ishin adoptuar nga dy familje të ndryshme.

Të dyja nënat adoptuese kishin vdekur në moshë të re kur ato ishin akoma të vogla. Të dyja motrat binjake kishin rënë nga shkallët në moshën pesëmbëdhjetë-vjeçare dhe kishin thyer të njëjtën këmbë, ishin takuar me njeriun i cili do të bëhej bashkëshorti i tyre në të ardhmen në një festë kur ato ishin vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe ishin martuar të dyja në moshën njëzetë-vjeçare.

Të dyja kishin abortuar një fëmijë dhe të dyja kishin nga dy djem dhe një vajzë më të vogël. Korniza shëndetësore ishte identike. Problem me zemrën dhe teroidet pak të fryra. Të dyja motrat lexonin të njëjtën revistë femrash dhe pëlqenin të njëjtën shkrimtare romanesh dashurie.

Herën e parë që kishin shkuar në takim për t'u njohur me njëra-tjetrën pas kaq shumë vitesh ishin paraqitur me të njëjtën prerje flokësh, me ngjyrë gështenjë e hapur dhe refleks të errët, kishin veshur nga një fustan ngjyrë bezhë dhe xhaketë kafe.

Në vitin 1979, Jeanette Hamilton dhe Irene Read zbulojnë rastësisht në të njëjtën kohë se kishin një motër binjake dhe në të njëjën kohë vihen në kërkim të njëra-tjetrës. Pasi e gjetën njëra tjetrën zbuluan se të dyja vuanin nga klostrofobia dhe kishin frikë nga uji, aq shumë saqë kur shkonin në plazh rrinin me kurriz nga deti.

Asnjerës nuk i pëlqente mali, vuanin nga një dhimje reomatizmale që u fillonte në kohë me shi në të njëjtin vend të njërës këmbë; në rini kishin udhëzuar grupe turistësh dhe kishin punuar për të njëjtën firmë kozmetike.

Një çift tjetë binjakësh identikë të seksit mashkull të studiuar nga Boughard, ishin rritur në ambiente kaq të ndryshme saqë nuk paraqisnin asgjë të përbashkët. Oscar Stohr dhe Jack Yufe kishin lindur në Trinidad në vitin 1933.

Direkt pas lindjes së fëmijëve prindërit e tyre ishin ndarë dhe secili kishte shkuar në rrugën e tij duke marrë nga një fëmijë. Oscar ishte rritur në Gjermani dhe ishtë bërë një nga kryengritësit nazistë; ndërsa Jack ishte rritur me frymën hebreo-ortodokse.

U takuan për herë të parë në vitin 1979 në aeroport, për të zbuluar se të dy mbanin nga një palë syze optike me numër të njëjtë, kishin veshur nga një kanatiere ngjyrë blu dhe kishin barseta identike. Një krahasim më i detajuar shpalosi koiçidenca të tjera domethënëse në mënyrën e tyre të të jetuarit.

Të dy kishin zakon të pastronin tualetin para dhe pas përdorimit, mbanin nga një fasho elastike në puls dhe pëlqenin të drekonin vetëm në restorant në mënyrë që të lexonin gazetën pa i shqetësuar njeri. Mënyra e të folurit ishte e njëjtë, megjithëse njëri fliste vetëm gjermanisht dhe tjetri vetëm anglisht. Kishin të njëjtën mënyrë të ecuri, të njëjtën mënyrë të ndenjuri ulur dhe të njëjtin sens humori.

Faktikisht, është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të arrish të shpjegosh këto "koinçidenca" pa menduar për ndonjë lloj telepatie - që është një lidhje e padukshme midis dy binjakëve - e aftë për të funksionuar në mënyrë perfekte edhe në distancë të madhe. Jung, të cilit i detyrohemi shpikjen e neologjizmit "sinkronicizëm" për të dalluar një "koinçidencë domethënëse", pranonte me kënaqësi hipotezat telepatike.

Megjithatë, edhe lloji më i fuqishëm i telepatisë nuk arrin të arsyetojë se si dy motra larg njëra-tjetrës mund të takojnë bashkëshortin e ardhshëm në të njëjtën ditë dhe në rrethana të njëjta, ose të punojnë për të njëjtën firmë kozmetike, edhe pse janë me mijëra kilometra larg njera tjetrës.

Në këto raste, edhe koinçidencat domethënëse duket se duhet t'ja lënë vendin diçkaje më të fortë, siç mund të jetë ideja e "fatit individual". Disa persona të caktuar kanë vërtet aftësi për të parashikuar të ardhmen, qoftë në gjendje gjumi apo të zgjuar, gjë që do të thotë se ne një farë mënyre gjithçka është "e programuar", si një film që tashmë është xhiruar.

Kështu që përderisa jeta e një personi është diçka e programuar, atëherë jeta e dy vëllezërve identikë - specie të monozigotëve - mund të ndjekë shumë mirë gjurmët e koinçidencave ekzistuese…

Shumë raste të tjera analogë kanë demonstruar ekzistencën e një telepatie të tillë. Në vitin 1980, dy binjake identike u shfaqën në gjykatën e New York-ut. Sjellja e tyre ishte një spektakël i jashtëzakonshëm, që pati një interes të madh nga media masive. Bënin të njëjtat gjeste në të njëjtin moment, tështinin dhe hapnin gojën nga pagjumësia në të njëjtën kohë.

Dy motrat Chaplin, Preda dhe Creta, u gjendën në debat për një motiv vërtet të çuditshëm. Ishte një histori që i lidhte me një farë Ken Iveson, një kamionist, i cili banonte pranë shtëpisë së tyre dhe e kishin ndjekur prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Të dyja kishin një mënyrë të çuditshme për t'i shfaqur dashurinë e tyre, duke e rrahur me çantë.

Kur ngjarja kishte tejkaluar çdo kufi, Ken Iveson nuk dinte ç'të bënte më dhe i ishte drejtuar trupit gjykues për të arritur drejtësinë. Publiciteti i këtij rasti zgjoi interesin e kërkimeve rreth binjakëve. Obsesioni që të dy gratë shfaqnin në konfront të zotit Iveson, u diagnostikua si eurotomani, një gjendje kur pacienti përfshihet nga ndjenjat e melankonisë dhe trishtimit për shkak të një dashurie të madhe. Ekzaminimet klinike do të zbulonin se binjaket ishin subnormal, edhe pse kjo gjë kishte dalë në pah vetëm kohët e fundit.

Në shkollë ishin të qeta dhe mësuesit i përshkruanin si të vëmendëshme, të qeta dhe të rregullta. Për gjykatësin, e gjithë kjo ishte faji i nënës adoptuese. "Është e qartë se nëna nuk ka insistuar që ato të jetonin si dy qenie të ndara dhe të pavarura nga njëra-tjetra".

Visheshin gjithomë njësoj dhe nuk kishin asnjë shok apo shoqe. Në binjakët, sidomos në ata monozigotët, është shumë i theksuar impulsi i imazhit spekular. (Çka do të thotë se në qoftë se njëri shkruan me të majtën, tjetri shkruan me të djathtën; nëse njëri i kreh flokët për nga ana e djathtë, tjetri i kreh për nga ana e majtë).

Në një periudhë të caktuar motrat Chaplin kishin vendosur të largoheshin nga shtëpia ku ishin rritur, pa e ditur as nëna dhe as ato vetë arsyen. Në moshën tridhjetë e shtatë-vjeçare ishin akoma beqare dhe të papuna.

Jetonin në dhomën e një rezidence. Gatuanin së bashku duke e mbajtur të dyja së bashku bishtin e tenxheres dhe visheshin edhe në shtëpi njësoj. Në qoftë se rastësisht rrobat identike që ato vishnin kishin kopsa me ngjyra të ndryshme, i shpërndanin në mënyrë që edhe ai detaj i vogël të ishte identik për të dyja veshjet.

Në qoftë se sapunat me të cilat furnizohej rezidenca nuk ishin të njëjta, i ndanin në dy pjesë. Gjatë një interviste që kishin dhënë për një gazetar ishin shprehur se ato kishin një kokë të vetme, sepse ishin një person i vetëm. Njëra dinte të thoshte ekzaktësisht se çfarë po mendonte tjetra. "Sjellja simultane" e tyre demonstronte ekzistencën e një përbërësi telepatik shumë të fortë. Ndonjëherë edhe grindeshin.

Pasi kishin goditur njëra-tjetrën me çanta identike, mbanin mëri për disa orë. Por, përtej gjithë kësaj, ajo çfarë dukej në çdo situatë ishte fakti që jetonin duke përjashtuar botën e jashtme, duke i strukur në një univers të tyren intim dhe privat ku ekzistonin vetëm ato të dyja.

Dy binjake nga Kalifornia, Grace dhe Virginia Kennedy, kishin krijuar me njëra-tjetrën një gjuhë sekrete që u lejonte të kuptoheshin menjëherë. Këtë lloj komunikimi kishin filluar ta përdornin që kur ishin shumë të vogla, kur ishin më pak se 2 vjeç.

Në moshën 7-vjeçare, një logopedist nga San Diego, ishte interesuar për këtë gjuhë të tyren sekrete, e cila përbëhej më shumë nga fjalë tërësisht të shpikura si p.sh: nunukid ose pulana, dhe pjesërisht nga disa fjalë në anglisht dhe gjermanisht me shkronja të ngatërruara (pasi edhe prindërit e tyre kishin këtë prejardhje).

Ndërmjet tyre e thërrisnin njëra-tjetrën Poto dhe Kabegna dhe kur përdornin gjuhën e tyre okulte flisnin rrjedhshmërisht në mënyrë të mahnitshme. Natyrisht, jeta i detyronte ato të flisnin edhe gjuhën angleze, por kurrë nuk e harruan gjuhën e tyre personale, të cilën asnjëherë nuk deshën ta shpjegonin, pasi edhe vetë ndoshta nuk ishin të afta ta bënin këtë gjë. Atyre nuk i interesonte se si flisnin, rëndësi kishte që ndërmjet tyre kuptoheshin.

Një nga rastet me unike në të cilin përfshihen dy binjakë identikë është ky: Michael dhe John të njohur thjesht si "binjakët", ishin rritur në institute që në moshën 7-vjeçare (1947). Ishin të dy të diagnostikuar si autistë, psikopatë dhe të vonuar. Megjithatë, kishin një aftësi të mahnitshme: mund të tregonin në moment se cilës ditë të javës i përkiste një datë e caktuar. Nëse e pyesje p.sh: 2 qershor 1954, të përgjigjeshin në sekondë "e mërkurë" dhe nuk gaboheshin kurrë.

Ishin, sipas Sachs, si dy objekte të animuar tërësisht identikë, e njëjta fytyrë, e njëjta sjellje, i njëjti personalitet dhe i njëjti tru i sëmurë. Mbanin syze me xham aq të trashë saqë mezi mund t'i shikoje sytë. Kishin aftësi ta përsërisnin përmendësh një listë të gjatë numrash të vështirë, pasi i kishin dëgjuar vetëm një herë, shpesh deri në treqind numra të ndryshëm.

Nuk ishin llogaritarë të zotë, të aftë të mbledhin apo shumëzojnë numra të vështirë me mend, ose të thonin rrënjën katrore të numrave njëzetshifrorë. Megjithatë, një ditë përpara një kuti shkrepëseje që iu derdh përpara këmbëve, të dy në të njëjtën kohë i pëshpëritën njëri-tjetrit 111, numër që rezultoi sigurisht i saktë për fijet e shkrepseve që u rrëzuan përtokë.

Ata arrinin të dallonin edhe se kush ishin numra prim në listën e gjatë të numrave gjashtëshifrorë që i viheshin përpara, gjë që për një njeri normal do të ishte tejet e vështirë, pasi për të dalluar nëse një numër është prim apo jo duhet që fillimisht ta pjesëtosh me të gjithë numrat më të vogël se ai që të zbulosh nëse bëhet fjalë për një numër që mund të pjesëtohet vetëm me një dhe me veten e tij.

Jo vetëm në rastin e Michael dhe John kur duket se vëllezërit kanë fuqi të larta mendore dhe një gjenialitet të lindur, por në përgjithësi çështja e binjakëve identikë ka mahnitur dhe ka intriguar shumë shkencëtarë, psikologë e filozofë në të gjithë botën për vite me radhë.

Ndodh kur ndeshemi me raste si ai i binjakëve Jim, të cilëve u kishin ndodhur të njëjtat gjëra edhe pse kishin qenë kilometra larg njëri-tjetrit dhe nuk ishin takuar kurrë, atëherë kur fillojmë të rikujtojmë ekzistencën e ligjeve dhe kodeve të paracaktuar që bëjnë të mundur ndodhitë e jetës, të cilat nuk i shpjegojnë dot as shkencëtarë dhe as filozofë. /Përgatiti: Klarita Bajraktari/Explore Univers/

 

    Data: 21 Prill 2017 03:59
    Autori: GazetaExpress
    • Zbulohet misteri që fshihet pas këtyre mureve (FOTO) 0

    Të tjera