“Me Shpendin”, si shkoi Kurti në zyrat e Komunës për një takim të ftohë me ish-kolegun e Lëvizjes - Gazeta Express
string(94) "me-shpendin-si-shkoi-kurti-ne-zyrat-e-komunes-per-nje-takim-te-ftohe-me-ish-kolegun-e-levizjes"

“Me Shpendin”, si shkoi Kurti në zyrat e Komunës për një takim të ftohë me ish-kolegun e Lëvizjes

Gazeta Express

28/05/2020 12:42

Gjithçka mes tyre kishte përfunduar në vitin 2017, kur kishte shpërthyer përplasja brenda VV-së, që çoi në ndarjen e partisë dhe krijimin e PSD-së. Një nga ata që ishin larguar nga VV-ja ishte edhe Shpend Ahmeti, i cili si pjesë e këtij subjekti kishte arritur të bëhet kryetar i Prishtinës. Ahmeti vite më parë ka treguar se pas ndarjes, kur Kurti ishte i sëmurë, kishte provuar ta kontaktojë, por pa sukses. Kurti pas kritikave, sot gjeti kohë, kah fundi i pandemisë, t’i shkojë për vizitë, ku demonstroi një raport të ftohtë ndaj ish-bashkëpartiakut. Ndërkohë që gazetarët nuk e lanë pa e thumbuar pak Ahmetin për “ish-shefin”. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më në fund ka vizituar edhe Komunën e Prishtinës kur kanë kaluar pothuajse 3 muaj qëkur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19.

Lexo Edhe:

Kurti sot pas një kohe të gjatë, për herë të parë që nga ndarja e VV-së ka takuar ish-bashkëpartiakun e tij, Shpend Ahmeti, me të cilin për shkak të frikës nga koronavirusi nuk mundën t’i shtrëngonin as duart.

Mosshkuarja e Kurtit si kryeministër në Komunën e Prishtinës që drejtohet nga Shpend Ahmeti ishte komentuar jashtëzakonisht shumë jo vetëm për shkak të raporteve politike mes të dyve, por edhe për shkak të rëndësisë që ka Prishtina si kryeqytet dhe koncentrimit të madh të njerëzve.

I vetmi kontakt në mes të Kurtit dhe Ahmetit gjatë periudhës së pandemisë ka qenë një telefonatë e zhvilluar më 23 mars, për të cilën kishte njoftuar vetë Ahmeti në Twitter.

“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin. E informuam njëri-tjetrin për masat e ndërmarra dhe për atë se çka mendojmë se duhet bërë. Koordinimi i institucioneve është kyç në këtë betejë të përbashkët. Por edhe koordinimi i qytetarëve për #rriNshpi edhe më shumë”, kishte shkruar kreu i Komunës së Prishtinës.

Ahmeti ndërkohë në intervista të ndryshme kishte theksuar rëndësinë që do të kishte vizita e kryeministrit në Komunë.

Në Pressing të T7, kreu i Prishtinës, kishte thënë se një vizitë e Kurtit do të ishte një infuzion për Komunën dhe për menaxhimin e pandemisë.

E shumëkush faktin që Kurti vizitonte komuna më të vogla dhe jo Prishtinën si kryeqytet e ndërlidhin me një hatërmbetje të mundshme mes dy politikanëve pas ndarjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, vetë Kurti kur ishte pyetur se pse nuk po e viziton Komunën e Prishtinës kishte thënë se s’është vetëm Prishtina që nuk e ka vizituar dhe se një vizitë të tillë do ta realizojë.

Madje, kishte thënë se ka treguar interes duke e telefonuar kreun e Prishtinës.

“Nuk është vetëm Prishtina që s’kam qenë, do të shkoj edhe në Prishtinë. Jam unë ai që e kam thirrë në telefon kryetarin e Prishtinës”, kishte thënë Kurti në RTV Dukagjini.

Kurti kishte mohuar të kishte ndonjë inat me Shpend Ahmetin

“Nuk do të mbaj inat sepse nuk kam inat”, u shpreh kryeministri në detyrë.

E sot kur iu dha rasti të flasin Ahmeti tha se brenga kryesore është ekonomia ku, sipas tij, duhet të ketë koordinim që gjithçka të menaxhohet “edhe më mirë”.

Kurti dhe Ahmeti kishin ndarë rrugët pas çarjes në dysh të Lëvizjes Vetëvendosje si pasojë e përplasjeve të brendshme. VV-ja dhe Ahmeti kishin bërë depërtim serioz në skenën politike duke e mundur LDK-në në Komunën e Prishtinës në një fushatë për të cilën VV-ja ishte mobilizuar shumë përfshirë vetë Kurtin nën moton “Me Shpendin”.

Shpend Ahmeti bashkë me Dardan Molliqajn kishin vazhduar rrugëtimin e tyre politik duke iu bashkuar dhe marrë në dorë Partinë Socialdemokrate të Kaqusha Jasharit.

Pavarësisht takimit të sotëm Kurti – Ahmeti, mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD-së që tashmë drejtohet nga Dardan Molliqaj nuk ka kurrfarë raportesh. Madje nga PSD-ja në mënyrë konstante kritikojnë VV-në dhe kreu i kësaj partie Kurtin e konsideron si të rrezikshëm për Kosovën.

Aktualisht Kosova është futur në fazën e tretë të lehtësimit të masave. Numri i të infektuarve aktiv me COVID-19 është rreth 200, janë shëruar mbi 800 dhe 30 kanë vdekur. Nga data 8 shkurt deri më 27 maj janë testuar 13 mijë e 992 persona. /Express/