Manchester Unitedi ia ka ndërprerë Manchester Cityt ecurinë prej 21 fitoreve radhazi duke ia shkaktuar disfatën e parë pas 28 ndeshjeve pa humbje, pasi e mposhti 2:0 të dielën në Premierligë.
Bruno Fernandes dhe Luke Shaw i shënuan golat e fitores për Unitedin në Etihad, duke ia humbur shpresat rivalit të qytetit për ta thyer rekordin për më së shumti fitore radhazi, raporton Gazeta Express.
Rekordi për më së shumti fitore radhazi në futbollin evropian mbahet nga klubi uellsian The New Saints, i cili në vitin 2016 i fitoi 27 ndeshje radhazi.
Humbja e fundit e skuadrës së Pep Guardiolës erdhi në fund të nëntorit 2020, kur Tottenhami e mundi 2:0 duke e lënë Cityn në pozitën e 11-të me tetë pikë më pak se skuadra e Jose Mourinhos, që ishte lidere e Premierligës në atë kohë.
Që prej atëherë City i fitoi 21 ndeshje radhazi në të gjitha garat dhe ishte e pamposhtur në 28 në përgjithësi.
Qëllimi i Unitedit për t’u bërë skuadra që e ndal skuadrën u pa sapo gjyqtari fishkëlleu për fillimin e takimit.
Fernandes e kaloi Unitedin në epërsi pas vetëm dy minutave lojë, duke shënuar nga penalltia të cilën e fitoi Anthony Martial pasi u rrëzua në zonë pas ndërhyrjes së Gabriel Jesusit.
City e kontrolloi ndeshjen dhe krijoi shumë por i mungoi efikasiteti para portës.
Shaw e dyfishoi epërsinë e vizitorëve pesë minuta brenda pjesës së dytë, pas një kombinimi fantastik me Marcus Rashford.
Kjo humbje nuk pritet të ketë ndikim në përpjekjet e skuadrës së Guardiolës për ta rikthyer trofeun e Premierligës në Etihad, pasi City vijon të jetë lider me 65 pikë pas 25 ndeshjeve.
Unitedi e ndjek nga pas me 11 pikë më pak, ndërkohë që Leicester City renditet në vendin e tretë me një pikë më pak se djajtë e kuq. Top katërshen e mbyll Chelsea me 47 pikë. /Gazeta Express/