Kthehu lart

Zyrtarisht Shpendi humb shumicën në Asamble: VV-ja thotë se nga sot del në opozitë

Zyrtarisht Shpendi humb shumicën në Asamble: VV-ja thotë se nga sot del në opozitë GazetaExpress

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tashmë i larguar nga Vetëvendosja, është përballur dje me opozitë serioze në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ku pos opozitës, atë e kritikuan edhe vetë asamblistët e VV-së

Me 33 vota kundër, 9 për e 3 abstenime, Kuvendi i Komunës së Prishtinës e ktheu mbrapshtë raportin buxhetor të ekzekutivit për tremujorin e katërt për vitin 2017, nga ku kundër këtij raporti votuan edhe pjesa më e madhe e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj të koalicionit qeverisës.

Në gjithë këtë situatë, Shpend Ahmeti vendosi të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat brenda Lëvizjes duke e humbur kështu shumicën në Asamblenë Komunale të Prishtinës.

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin e tyre sot në faqen zyrtare të Facebook-ut, ku e godet ashpër Shpend Ahmetin. Ia përmend atij, se më shumë ka fituar nga Lëvizja se që ka dhënë për të.

Vetëvendosja ia kujton Ahmetit se tash padrejtësisht Lëvizja do të jetë në opozitë aty ku thonë se në fakt fituan.

“Përvetësimi i privilegjeve duke u distancuar nga obligimet është apetit tejet afatshkurtër me dobishmëri jetëshkurtër.

Sakrificat, puna e palodhur e aktivistëve dhe vullnetarëve dhe buxheti i ndarë për zgjedhjet lokale në Prishtinë nuk ka qenë për ta patur kryetarin vetëm 100 ditë, por për katër vjet. Tash padrejtësisht Lëvizja do të jetë në opozitë aty ku në fakt fituam. Kjo është gjendje e pazakontë dhe e padrejtë për votuesit, mbështetësit dhe aktivistët e Lëvizjes”, shkruan VV-ja.

Megjithatë, VV-ja thonë se janë në dijeni se Lëvizja ka kaluar sfida më të mëdha se kjo, dhe bashkë me mbështetjen e qytetarëve thekson se Lëvizja do t'i prijë ndryshimeve të domosdoshme e të shumëpritura në Kosovë.

Sipas tyre, goditjet mbi Lëvizjen nuk i ndihmojnë Kosovës por as nuk e zmbrapsin Lëvizjen në përballjen me regjimin. ”Ne kalitemi nëpër sfida. Dhe, fitojmë. Dhe, do të fitojmë”, kanë shkruar ata.

Përplasja që rezultoi në ndarjen e Vetëvendosjes "unike" në dy taborë, atë të Albin Kurtit dhe të Krahut të Molliqajt, ka çuar po ashtu që një ndarje të ndodhte edhe brenda asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal.

Aktualisht, pas largimit të Qëndron Kastratit, kryetar i Kamenicës nga VV-ja që është rreshtuar kah Molliqaj dhe Shpend Ahmetit që udhëheq Prishtinën. Partia e Albin Kurtit ka mbetur vetëm me një komunë, atë të Prizrenit në të cilën udhëheq Mytaher Haskuka. /Gazeta Express/

    Data: 08 Mars 2018 11:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera