Kthehu lart

Zyra e Kryeministrit përforcohet edhe me një iPhone 7 në vlerë 890 euro

Zyra e Kryeministrit përforcohet edhe me një iPhone 7 në vlerë 890 euro © GazetaExpress Foto: Kushtrim Ternava GazetaExpress

Zyra e Kryeministrit ka shpenzuar 890 euro për të blerë telefonin e serisë së fundit të kompanisë Apple, iPhone 7. Ky telefon është një ndër telefonat e mençur më të shtrenjtë që qarkullon në treg. Zyra e Kryeministri nuk ka dhënë detaje se për kë është blerë ky telefon

“Kabineti i Kryeministrit”, është përgjigja e Qeverisë në pyetjen se kush do ta shfrytëzojë këtë telefon.

Përveç Isa Mustafës si kryeministër, në Zyrën e Kryeministrit janë edhe tre zëvendëskryeministra: Hajredin Kuçi, Ramiz Kelmendi dhe Branimir Stojanoviq. Gjithashtu, në Zyrën e Kryeministrit bëjnë pjesë këshilltarët e kryeministrit dhe ata të zëvendëskryeministrave.

Për këtë tender, të iniciuar më 28 mars të këtij viti, është aplikuar procedura e mbyllur. Kjo zyre kishte arritur në afat rekord t’i pranojë ofertat. Tri oferta i ka pranuar, të cilat janë hapur në të njëjtën ditë, pra më 28 mars. Ndërsa, të nesërmen (me datën 29 mars 2017) është bërë nënshkrimi i kontratës. E njoftimi për nënshkrim të kontratës është publikuar disa ditë më vonë në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit, përkatësisht me datën 6 prill.

Kompania që e ka fituar tenderin për të furnizuar me telefon kabinetin e Kryeministrit është “City Computers”.

Në anën tjetër, Kreu i Qeverisë, Isa Mustafa, dhe kabineti qeveritar kanë folur disa herë për kursimin e parasë publike.

Në shkurt të këtij viti, ministri i Financave, Avdullah Hoti, kishte shkruar në Facebook se shpenzimet për mallra dhe shërbime kishin rënë me 17.8% ose prej 660 mijë euro.

“Shpenzimet për paga dhe mëditje janë rritur me 0.6%, ato për mallra dhe shërbime kanë rënë me 17.8% (që është një kursim prej 660 mijë euro)”, kishte shkruar ministri Hoti.

Blerja e fundit e raportuar është ajo e Ministrisë së Integrimeve, të cilët kanë shpenzuar 1,210 euro për blerjen e dy telefonave, iPhone 6 plus dhe Black Berry. /kallxo.com/

 

    Data: 21 Prill 2017 11:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera