Kthehu lart

Vrasja mizore e Zejnepe Bytyqit nga burri i saj - familjarët nuk pajtohen me verdiktin e Gjykatës

Vrasja mizore e Zejnepe Bytyqit nga burri i saj - familjarët nuk pajtohen me verdiktin e Gjykatës Në foto: Hysnije Bytyqi-Shala (Motra e Zejnepe Bytyqit) Mentor Gjergjaj Autori: Mentor Gjergjaj GazetaExpress

Familja e Zejnepe Bytyqit nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, e cila të merkurën e dënoi me vetëm 12 vjet e gjysmë burgim Nebi Berishën për vrasjen mizore të gruas së tij, dhe për plagosjen me thikë të vajzës së mitur. Motra e së ndjerës, në një bisedë me Gazetën Express, ka kujtuar vuajtjet që bashkëshorti i Zejnepes ia kishte shkaktuar viktimës për 16 vjet martesë. Ngjarja kishte ndodhur më 23 tetor të vitit 2015, në shtëpinë e tyre, në Suharekë, ku Zejnepja ishte goditur 20 herë me thikë. 

Për 13 vjet thotë se nuk kanë shkuar të njëra-tjetra në shtëpitë e tyre, ndonëse të dyja banonin në të njëjtën qytezë - Suharekë. Hysnije Bytyqi-Shala tregon se kjo kishte ndodhur pasi burri i saj kishte një marrëdhënie të keqe me Nebi Berishën, burrin e Zejnepe Bytyqi-Berishës. E, pikërisht Hysnija ishte e fundit nga familja që kishte takuar motrën 40-vjeçare, para se ta vriste bashkëshorti i saj. 

Në një rrëfim për Gazetën Express, Hysnije Bytyqi tregon se tek motra, pas kaq shumë vitesh, kishin shkuar pasi Nebi Berisha i kishte ftuar. Me të dalur nga aty, pak orë më pas, thotë se kishin marrë lajmin për masakrimin më thikë që iu bë motrës së saj, Zejnepes. 

E, për këtë, Gjykata Themelore në Prizren të merkurën ka shqiptuar 12 vjet burgim për Nebi Berishën nga Suhareka, për veprën penale “vrasje e rëndë” të bashkëshortes, dhe 1 vit tjetër burgim për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, që i njëjti i shkaktoi duke e therur me thikë vajzën e tij të mitur, mbrëmjen e 23 tetorit 2015. Gjithsej, kjo gjykatë ka llogaritur 12 vjet e gjysmë dënim unik ndaj Berishës. 

Por, motra e madhe e Zejnepes, Hysnije Shala, tregon se askush nga familja e së ndjerës nuk është pajtuar më këtë dënim. 

“Jo, jo. S’jemi të kënaqur. Asnjë hiç s’jemi të pajtimit. Na e mbajmë në mend që sa vite ka qene ajo t'u vujtë. Me kanë 16 ditë a 16 mujë, po 16 vite janë të mëdhaja”, tha ajo të merkurën, pak orë pasi gjykata kishte dhënë vendimin. 

“16 vjet ajo ka vujtë. Ky është rasti ma i fundit, por ajo 16 vjet ka vujt”, rrëfen Hysnije Shala, derisa zëri i dridhet e lotët i rrjedhin nga kujtimi i trishtë për motrën e vogël. 

“Tashti pe qesin se gjoja ai nuk është mire. Une spo muj me kuptu qysh s’ka qenë i aftë, kur fmijen i ka rritë, ka punu, kamionin e ka vozitë”, vazhdon tutje ajo, e mllefosur nga vendimi i gjykatës që e konsideron shumë të padrejtë dhe të ultë. 

Zejnepe Bytyqi - Berisha

Gjykata Themelore në Prizren, në aktgjykimin e shpallur të mërkurën, pohon se vrasja mizore e 40 vjeçares nga Suhareka, një vit e gjysmë më parë, e kryer nga bashkëshorti i saj, ka ndodhur “në rrethanat e përgjegjësisë penale esencialisht të kufizuara”, duke e arsyetuar kështu dënimin unik prej 12 vitesh e gjysmë të shqiptar ndaj Nebi Berishës. 

“Me datën 23.10.2015, rrethe orës 21:45 minuta në Suharekë, në shtëpinë e tij familjare e cila gjendet në rrugën ,,Garibaldi,, me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes bashkëshorten me iniciale Z.B. në atë mënyrë që pas një bisede dhe mosmarrëveshje paraprake lidhur me do telefonata që i merrte bashkëshortja e tij, deri sa viktima Z.B. ishte në dhomën e ndejës me një thikë të gjatësisë së tehut 10.5 cm e gjerësi 2.5.cm e sulmon bashkëshorten me thikë duke i shkaktuar njëzet (20) plagë, prej tyre dymbëdhjetë (12) plagë kanë qenë depërtuese, shtatë (7) goditje ka pësuar në zgavrën e majtë të krahërorit dhe pesë (5) goditje në zgavrën e barkut”, sqaron rrethanat e vrasjes Gjykata Themelore e Prizrenit, në një njoftim për vendimin e marrë, dërguar mediave. 

“Vajza e tyre e mitur pas britmave të nënës hyn në dhomën e ndejës dhe e sheh se babai është duke e goditur me thikë nënën, i afrohet ta mbrojë nënën duke vendosur dorën e djathtë në trupin e nënës me këtë rast e godet me thikë në dorë edhe të dëmtuarën vajzën e tij të mitur”, vijon sqarimi i ngjarjes. 

“Nga plagët e marra e ndjera Z.B. vdes në vend si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme nga dëmtimi i mushkërisë së majtë, mëlçisë, shpretkës, majës së zemrës, të gjitha këto plagë të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë dhe me maje, më për së afërmi e përshkruar si në raportin e autopsisë të datës 25.10.2015 të ekspertit mjeko-ligjor, ndërsa të dëmtuarës vajzës së tij të mitur i shkakton lëndime të lehta trupore në regjionin e shuplakës së dorës së djathtë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të gjykatës. 

Motra e madhe e Zejnepes, për Gazetën Express, edhe këtë herë ka treguar se viktima dhe vajzat e saj kishin denoncuar 16 herë në Polici dhunën e bashkëshortit, gjegjësisht babait të tyre, Nebi Berishës. Por, ajo akuzon autoritetet rajonale të sigurisë se nuk i kanë trajtuar ato raste seriozisht, deri natën e vrasës mizore të saj. 

E njëjta tregon se Zejnepe Berisha, nga torturat që i ishin bërë nga bashkëshortit i saj, më 2 janar 2012 kishte tentuar të kryente vetëvrasje. 

Gazeta Express, në një dokument që e ka siguruar, përveç rasatit të vrasjes së gruas nga fshati Semetishtë e Suharekës, Policia rajonale e Prizrenit e ka të evidentuar vetëm rastin e tentim-vetëvrasjes, dhe një rast tjetër dhune në familje, marsin e vitit 2002. 

“Në 2002, ka qenë në shtatzëni të vajzës së dytë, kur ai e ka lidhur me konop dhe e ka prerë në dorë në shenjë kryqi”, kujton ajo rastin në fjalë. 

Ndaj vendimit të së mërkurës, të gjykatës Themelore të Prizrenit, ka pasur reagime të ndryshme - vendimi është cilësuar tejet i ulët për një vrasje kaq mizore. Reagimet kryesisht kanë ardhur nga organizata që mbrojnë të drejtat e grave, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin. /Gazeta Express/

    Data: 12 Prill 2017 18:50
    Autori: Mentor Gjergjaj

    Të tjera