Kthehu lart

Vrasja e gjakovarit Ferdinand Gjini: Urdhër-arrest edhe për dy të tjerë në lidhje me rastin

Vrasja e gjakovarit Ferdinand Gjini: Urdhër-arrest edhe për dy të tjerë në lidhje me rastin GazetaExpress

Urdhër-arrest i ri ndaj dy personave të tjerë është lëshuar, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, për vrasjen në pritë të gjakovarit Ferdinand Gjini, qershorin e vitit 2014. Bekim Raja dhe Leonard Pnishi janë emrat e dy të dyshuarve të tjerë, që çon në 5 numrin e të dyshuarve për këtë vrasje që ndodhi mes fshatit Llukë dhe Prapaqan të Deçanit. Gjon Pnishi, vitin e kaluar ishte dënuar me 18 vite burgim për këtë vrasje, derisa Apeli e kishte kthyer rastin e tij në rigjykim pasi Pnishi kishte pranuar të bashkëpunonte me prokurorinë për zbardhjen e krimit. Në fillim të këtij muaji, Policia ka arrestuar edhe Avni e Murat Sinanin, si të dyshuar tjerë për të njëjtin rast. 

40 vjeçari Gjon Pnishi nga Gjakova, vetëm pasi u dënua me 18 vite burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, qershorin e 2016’ës, pranoi të bashkëpunojë me Prokurorinë për vrasjen në pritë të Ferdinand Gjinit, që ndodhi tre vite më parë në afërsi të Deçanit

Pnishin, Gjykata e kishte dënuar me pretendimet e prokurorisë se ai ishte personi që shtiu me automatik në veturën e 38 vjeçarit Gjini, po ashtu nga Gjakova, duke e lënë të vdekur, mëngjesin e 23 qershorit 2014, tek ura që lidh fshatin Llukë me atë Prapaqan të Deçanit.

Por, pak muaj më pas, kur mbrojtja e Pnishit çoi rastin në Apel, kjo gjykatë e ktheu atë në rigjykim. Krejt kjo, pasi Gjon Pnishi kishte thënë në prokurori se ai e dinte se kush kishte urdhëruar dhe kryer vrasjen e gjakovarit, por se krimin s'e kishte kryer vetë, raporton Gazeta Express.

Pretendimet e Pnishit quan në dy arrestime të reja në fillim të marsit 2017. Në ditën e parë të këtij muaji, Policia arrestoi Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj nga Deçani, për të njëjtin rast

Gati një muaj pas këtyre arrestimeve, Prokurorja e rastit Valbona Disha-Haxhosaj, në seancën e rigjykimit të Gjon Pnishit, e cila u shty më kërkesë të prokurores, bëri të ditur se hetimet dhe pretendimet e Pnishit për këtë rast kanë nxjerrë edhe dy urdhëresa të reja për arrestimin e dy personave tjerë të dyshuar për të njëjtin rast.

Bekim Raja dhe Leonard Pnishi janë emrat e të dyshuarve tjerë që prokuroria po heton dhe tashmë ka lëshuar urdhër-arrest ndaj tyre, që dyshohen se bashkë me Avni e Murat Sinanaj kryen veprën penale “vrasje e rendë në bashkëveprim”. 

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit, Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës ka paralajmëruar aktakuzë të re, në të cilën do të përfshihen katër të dyshuarit e fundit, dhe Gjon Pnishi, gjithashtu. 

“Prokuroria për momentin është duke zhvilluar hetimet ndaj të pandehurve Avni Sinanaj, Murat Sinanaj, Bekim Raja dhe Leonard Pnishi për veprën penale të vrasjes së rendë të kryer në bashkim kriminal dhe meqenëse jemi në fazën e hetimeve kërkoi nga gjykata që të na jap mundësi që seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Gjon Pnishi të shtyhet në afat të pacaktuar dhe atë në momentin kur prokuroria do të vendos se a do të ngrisë një aktakuzë të re”, ka deklaruar prokuroria Disha-Haxhosaj në seancën e të enjtes.

Kërkesën e Prokurores e kanë përkrahur edhe mbrojtja e Pnishit dhe përfaqësuesit ligjorë të familjes Gjini. 

“Gjon Pnishi është shpallur fajtor dhe është dënuar për veprën penale të vrasjes të kryer në dëme të Ferdinand Gjinit, dhe pasi që lënda ka shkuar në Apel, me ankesë dhe e njëjta është kthyer në rigjykim është intervistuar me autorizimin e prokurorisë i pandehur Gjon Pnishi dhe pas marrjes së intervistës nga i njëjti me bashkëpunim me hetuesit në Prishtinë kemi punuar edhe jemi duke punuar në vërtetimin e pretendimeve të të pandehurit Gjon Pnishi.  Po ashtu, gjatë punës hetimore janë arrestuar të pandehurit Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj, dhe jemi në pritje të arrestimit edhe të dy të dyshuarve tjerë Bekim Raja dhe Leonard Pnishi”, ka deklaruar nder tjera Prokurorja. 

“Por ekziston mundësia që edhe të zgjerohet hetimi për persona të tjerë të cilët në mënyrë direkte apo indirekte kanë pasur mundësi që të jenë të implikuar në rast”, ka paralajmëruar prokurorja Disha-Haxhosaj, te enjten, në Gjykatën Themelore të Pejës. 

Dy të dyshuarit e fundit, Bekim Raja dhe Leonard Pnishi janë nga Gjakova. Leonard Pnishi është familjar i Gjon Pnishit, të dy nga fshati Nec. 

Pnishi dhe Raja jetojnë në Zvicër, derisa i fundit njihet si biznesmen i suksesshëm, shkruan Gazeta Express. 

Ferdinand Gjini, 38 vjeç, ishte vrarë mëngjesin e 23 Qershorit 2014, në një pritë tek ura që lidh fshatin Llukë me atë Prapaqan të Deçanit. Vetura e tij ‘Pasat’ u qëllua me një breshëri plumbash të një arme automatike, derisa ai ishte në lëvizje. 

Hetuesit dhe Prokuroria kishin siguruar imazhe me video të kamerave të sigurisë të disa lokaleve përgjatë rrugës Gjakovë-Deçan që shfaqin viktimën Gjini dhe të Gjon Pnishin duke ecur në kolonë me vetura të ndara, njëri pas tjetrit

Disa prej incizimeve në fjalë, të marra nga kamerat e sigurisë në kullën e Gecëve në fshatin Llukë, pak metra para se të arrihet tek ura ku u krye vrasja me 7 fishekë të pushkës automatike, është vërtetuar se në drejtim të fshatit Prapaqan ka lëvizur fillimisht i akuzuari Gjon Pnishi me një veturë të zezë, e 7 sekonda pas tij ka qenë në lëvizje, viktima Ferdinand Gjini me veturën ‘Pasat’, thuhet në aktgjykimin e Gjon Pnishit, që më 27 qershor 2016 u dënua me 18 vite burgim

Po ashtu, në veturën ‘Pasat’ të viktimës Ferdind Gjini, hetuesit, në ditën kur ndodhi vrasja, kishin gjetur dhe një telefon të të vrarit. Në u gjeten mesazhe dhe thirrje telefonike të viktimës me të dyshuarin Gjon Pnishi, pikërisht në ditën kritike, dhe para nisjes për në Deçan. 

Këto SMS dhe pamje të celularit i kishte siguruar edhe Gazeta Express, që i kishte publikuar në një kronikë, gati një vit më parë. /M.Gj./GazetaExpress/.

    Data: 30 Mars 2017 18:16
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera