Kthehu lart

Viktimat e dhunës seksuale të luftës, me pensione të dinjitetshme

Viktimat e dhunës seksuale të luftës, me pensione të dinjitetshme GazetaExpress

Pas procesit aq të përfolur të identifikimit dhe verifikimit të veteranëve dhe invalidëve të luftës, Qeveria e Kosovës do të ndajë pensione edhe për një kategori tjetër të luftës: viktimat e dhunës seksuale.

Kjo pasi që më 28 prill 2017, Qeveria kishte marrë vendim për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, transmeton emisioni Cosmo në KTV.

Këtij komisioni, të përbërë prej 9’të anëtarësh, brenda tre muajsh do t'i bashkohet edhe sekretaria, si trup administrativ.

Kështu, në vjeshtë do të filloj procesi i identifikimit dhe verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Nënkryetarja e këtij komisioni, Jeta Krasniqi, ka shpjeguar se si do të bëhet ky proces dhe se cila do të jetë natyra e pensioneve që do të marrin personat e kësaj kategorie.

‘Mënyra se si do të bëhet verifikimi është me anë të një aplikacioni i cili do të shpërndahet dhe do të jetë online dhe do të shpërndahet edhe nëpërmjet OJQ’ve. Procesi i verifikimit është menduar që të jetë sa më i lehtë, të jetë sa më dinjitoz dhe në të njëjtën kohë ta ruajë edhe konfidencialitetin e personave që duan të aplikojnë dhe të marrin status. Për këtë arsye ajo çfarë është menduar është që të jenë katër organizata joqeveritare të grave të cilat punojnë drejtpërdrejt në përgjithësi me gratë e dhunuara apo me burra pasi janë edhe burrat të cilët gjatë luftës kanë qenë të dhunuar”, tha ajo

Ajo ka thënë, se ky proces është ideuar ashtu që të shmang një ritraumatizim të viktimave dhe të ruajë konfidencialitetin e tyre. Po ashtu, në këtë edicion do të emisionit COSMO, do të mund të njiheni edhe me projektin që ka prodhuar librin "Unë dua të dëgjohem", i cili është një përmbledhje e dhjetë historive të grave të dhunuara nga ushtarët dhe policët serbë gjatë luftës së viteve 1997 - 1999, të rrëfyera prej vetë atyre.

    Data: 19 Maj 2017 19:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera