Verdikti për vrasjen e Donjeta Pajazitit: Çka ndodhi sot brenda dhe jashtë gjykatës në Pejë

Naser Pajaziti nga Strellci ka dalë i pafajshëm nga Gjykata e Pejës për akuzat se vrau kushërirën e tij 24-vjeçare, Donjeta Pajaziti. Krimi kishte ndodhur në nëntor të vitit 2015, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur gati dy muaj pas vrasjes, diku në malet e fshatit Strellc të Deçanit. E njëjta gjykatë, të martën e ka dënuar me 2 vjet e katër muaj dënim unik Naser Pajazitin, për dy vepra penale të armëmbajtës pa leje.

GazetaExpress

Pas gati dy orësh vonesë, Gjykata Themelore e Pejës, të enjten rreth orës 16:00, ka shpallur aktgjykim lirues për Naser Pajazitin. Burri nga Strellci akuzohej se vrau në mënyrë mizore kushërirën e tij, shumë më të re në moshë, Donjeta Pajazitin.

24-vjeçarja nga Strellci i Deçanit ishte gjetur e vdekur në dhjetor të vitit 2015, gati dy muaj pasi ishte zhdukur më 9 nëntor 2015, pa lënë asnjë gjurmë.

Pak ditë pas vrasjes mizore, trupi i Donjetës u gjet në një mal në Strellc, i mbuluar me drunj. Policia arrestoi Naser Pajazitin, si të dyshuar për vrasje. Kushëriri i viktimës, deri më sot u akuzua për vrasje të rëndë, por që prokuroria themelore e Pejës nuk arriti ta argumentojë me prova.

“Hetuesia dhe prokuroria nuk kanë arritë me dëshmu as me të vetmen provë elementin për vrasjen e Donjeta Pajazitit”, ka arsyetuar vendimin e gjykatës, kryetari i trupit gjykues.

Vendimi ka nxitur reagim të ashpër të familjes së viktimës. Madje i nervozuar nga aktgjykimi, vëllai i Donjeta Pajazitit ka përplasur me shkelmë derën e gjykatores në Pejë, derisa po dilte nga salla. I njëjti është arrestuar menjëherë nga pjesëtarët e policisë speciale, që ishin të shumtë në numër.

Gjyqtari kryesor, gjatë leximit të aktgjykimit, tha se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se i akuzuari ka hipur viktimën në veturën e tij xhip, në ditën kritike, për ta vrarë më pas të rejën, pak kilometra në periferi të fshatit prej nga vinin të dy. Po ashtu, në arsyetim u tha se është dëshmuar se në kohën kur pretendohet se është kryer krimi, i akuzuari Naser Pajaziti ka qenë në një të pame tjetër në fshat.

“Në kamera shihet se ai ka qenë vetëm në veturë”, ka thënë gjyqtari. Ai më pas ka treguar se edhe një fije floku e bardhë, që është gjatuar në veturën e të akuzuarit, pas ekzaminimit në SHBA, ka dalë se nuk i ka takuar ADN’së së Donjeta Pajazitit.

“Dëshmitë, video-incizimet e kamerave private në rrugën kah ka kaluar viktima e pas saj vetura e të akuzuarit, nuk është provuar se viktima ka hy në veturën e të akuzuarit sikur që pretendohet me akuzë”, arsyetoj gjykata.

Donjeta Pajaziti, herën e fundit ishte parë më 9 nëntor 2015, derisa ishte përcjellë për në punë nga axha i saj. Një muaj e 18 ditë më pas ajo u gjet e qëlluar me plumb pas koke, në një mal të fshatit Strellc të Deçanit.

Megjithatë, i njëjti trup gjykues i Gjykatës Themelore të Pejës ka dënuar Naser Pajazitin për dy vepra penale për armë mbajtje pa leje. Atij ju shqiptuan 2 vite e 4 muaj burim unik për dy armë zjarri që i janë gjetur gjatë bastisjes, që kishte rezultuar me arrestimin e tij, në shtëpinë e tij, në dhjetor të vitit 2015.

Gjykata në arsyetim të aktgjykimit të shpallur të martën pasdite specifikoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor gjithashtu nuk është provuar se armët e konfiskuara nga i akuzuari të kenë lidhje me krimin, përkatësisht vrasjen e viktimës.

E nervozuar, por i dhimbshëm ka qenë edhe reagimi i nënës së Donjeta Pajazitit. Për dallim nga i biri i saj që shkelmoi dyert e gjykatores, ajo mëllefin e ka shfaqur me fjalë pasi ka dalë nga objekti i gjykatës.

“S'ka shtet as s'ka kurgjo këtu hiç”, thoshte ajo, derisa qëndronte breg rrugës, ndonëse lagej nga shiu që binte.

“Korruptim është krejt kjo. Mallkue ju koftë u zot. Qysh çika tu shkue në punë e me mardh në arkivol edhe mas mromi kurgjo. Po qysh shkon more kështu, a jeni në veti”, thoshte nën lot nëna e të rejës 24 vjeçare të vrarë.

Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditësh pasi ta marrin në formë të shkruar dhe me arsyetim të përpiluar. /Express/

Të tjera

Lajmet e fundit