Kthehu lart

Veprimi kriminal i kasapit në Kamenicë, e merr lopën e ngordhur në përrua, e shet për mish

Veprimi kriminal i kasapit në Kamenicë, e merr lopën e ngordhur në përrua, e shet për mish Gentiana Hasani Autori: Gentiana Hasani GazetaExpress

Një ngjarje e pazakontë dhe kriminale ka ndodhur në fshatin Busavatë të Komunës së Kamenicës. Një lopë e ngordhur të cilën pronari e ka hedhur në përrua, është marrë nga një kasap, i cili mishin e saj e ka nxjerrë në shitje. Gjithçka filloi kur kasapi i kërkoi një fshatari t’ia shiste lopën e sëmurë, ndërsa pronari, sipas njoftimeve të deritashme, kishte refuzuar ta shesë kafshën e sëmurë. Policia ka arrestuar të dy personat, ndërsa me rastin po merret edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Express ju sjell detaje nga kjo ngjarje morbide.

Gjatë ditës së martë, A. Maliqi nga fshati Busavatë kishte zbritur në stacionin  policor në Kamenicë, për ta denoncuar një bashkëvendësin e tij. Maliqi ka deklaruar në polici se një kasap nga Kamenica e ka marrë mishin e lopës së ngordhur, të cilën ky e kishte hedhur në përrua, për ta nxjerrë në shitje mishin e saj.

E gjithë ngjarja ka filluar kur në shtëpinë e pronarit të lopës kishte shkuar një kasap nga Kamenica, A. Rashiti, duke shprehur interesim për blerjen e lopës. Pronari A. Maliqi nuk ia kishte shitur me arsyetimin se lopa është e sëmurë dhe nuk bën të përdoret për konsum mishi i saj.

Lopa e A. Maliqit kishte ngordhur dy ditë pas ofertës së kasapit për ta blerë. Pronari me një traktor nga shtëpia e tij e kishte dërguar kafshën e ngordhur në një përrua. 
Por, A. Maliqi u shokua kur pas dy ditësh në përroin e fshatit Busavatë i pa vetëm lëkurën dhe eshtrat e lopës.  Ai thotë se lopën e ngordhur e ka marrë kasapi dhe mishin e saj e ka nxjerrë në shtije. Për këtë rast menjëherë pronari ka shkuar në stacionin policor dhe e ka paraqitur rastin.

Por edhe pse e ka denoncuar kasapin, as A. Maliqi s’ka shpëtuar lehtë pasi lopën e ka ngordhur e ka hedhur në ambient të hapur.

Policia rajonale e Gjilanit për këtë rast ka arrestuar dy persona, kasapin dhe pronarin e gjedhit. Këtë e ka konfirmuar për Express zëdhënësi i rajonit të policisë në Gjilan, Ismet Hashani. Ai thotë se të dy personat kanë kryer vepra penale.

“Dy persona janë arrestuar pasi që besohet se në bashkëpunim kanë vënë në qarkullim produkte të dyshimta. Janë ndaluar pronari i lopës dhe kasapi. Rreth këtij rasti janë ndërmarrë të gjitha masat ligjore. Është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës”, ka thënë Hashani për Express.

Ai thotë se pronari i gjedhit ka kryer veprën penale të hedhjes së produkteve të dëmshme në vende joadekuate, ndërkohë që kasapi është ndaluar për veprën penale për vënien dhe qarkullimin e produkteve të dëmshme për konsum për qytetarët.

Për rastin është njoftuar edhe   Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.  Nga ky institucion deklarojnë se me  datë 06.03.2018 rreth orës 11:30 janë njoftuar nga Policia e Komunës  së Kamenicës se një  fermer nga fshati Busavatë ka pasur një ngordhje të një kafshe, lloji gjedh (lopë) të cilën e ka hedhur në fushë (ambient te hapur) në dalje te fshatit Busavatë. Sipas informatës është dyshuar se kafsha e ngordhur është marrë nga një kasap i cili banon në një lagje ne Gjilan. 

AUV thotë se e ka inspektuar lokacionin dhe aty janë gjetur mjete pune për therje dhe se në atë objekt kryhen therje ilegal.

“Nga informatat qe ka dhënë fermeri është inspektuar praktika veterinare e cila ka kryer shërbime mjekimi tek fermeri në kafshën qe tani është e ngordhur. Veterinari në ketë rast ka ofruar të gjitha dëshmitë mbi mjekimet dhe trajtimet qe i ka bërë kafshës njëkohësisht mbi anamnezën e kafshës për gjendjen shëndetësore dhe dyshimet. Të gjitha këto janë përfshirë në procesverbal dhe i është ofruar organeve ndjekëse Policisë dhe Prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e AUV-së dhënë Expressit.

Nga Agjencia kompetente nuk tregojnë nëse mishi i lopës është vënë për konsum nga ana e kasapit. Andej thonë se po i presin kontrollet tjera nga organet ndjekëse.
“Ne si autoritet kemi kryer të gjitha kontrollet në bazë të informatave qe na janë ofruar. Jemi ne pritje dhe të gatshëm për kontrolle tjera nëse kërkohen nga organet ndjekëse. Inspektoret e AUV-së  kanë vepruar konform procedurave standarde dhe ligjeve ne fuqi ne bazë të mandatit qe kanë. Rasti është duke u hetuar dhe për të tjera informata mund t’i kontaktoni organet ndjekëse”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit.

Ndaj të njëjtëve do të ngrihen fletëparaqitje në Gjykatë për therje ilegale./Gazeta Express/

    Data: 08 Mars 2018 17:16
    Autori: Gentiana Hasani

    Të tjera