Kthehu lart

Vëllai i të vrarit në Siri dëshmon në Gjykatë: Ai ndiqte ligjëratat e hoxhë Bilibanit

Vëllai i të vrarit në Siri dëshmon në Gjykatë: Ai ndiqte ligjëratat e hoxhë Bilibanit GazetaExpress E enjte, 28 Shtator 2017 16:06

​Veton Krusha, vëllai i 22-vjeçarit të vrarë vitin e kaluar në Siri Hamdi Krusha, ka dëshmuar të enjten në seancën gjyqësore ndaj katër imamëve kosovarë dhe politikanit Fuad Ramiqi. 

Krusha ka dëshmuar se si vëllai i tij i vrarë, në prill të 2016-s në Siri, dy vite para se të merrte rrugën për në "Al Nussra" kishte nisur të shkonte në xhaminë në lagjen "Ortakoll" të Prizrenit, që atëkohë drejtohej nga hoxha Mazllam Mazllami, njëri prej imamëve të akuzuar në këtë proces gjyqësor për vepër penale që ndërlidhen me terrorizmin. 

Por, Krusha nuk tregoi në gjykatë nëse vëllai i tij ka dëgjuar ligjëratat e këtij imami. 

Megjithatë, ai tha se është në dijeni se Hamdi Krusha t’i ketë ndjekur ligjërimet e imamit Idriz Bilibani, po ashtu i akuzuar në të njëjtin proces gjyqësor, raporton Gazeta Express. 

Familja Krusha, edhe në aktakuzën ndaj imamit thuhet se, kishin pohuar tek autoritetet kosovare se Bilibani ka mundur të ndikojë te 22-vjeçari që të marrë rrugën ku gjeti vdekjen.

“Ka qenë në ligjërata në shoqatën e hoxhë Idriz Bilibanit. Edhe në shoqatën e Armend Kaladerit”, ka thënë Krusha. 

Veton Krusha gjatë gjykimit ka thënë se është njoftuar nga një shok i vëllai të tij për vdekjen e 22-vjeçarit, prillin e vitit të shkuar, porse ende pas kaq kohësh nuk kanë marrë ndonjë konfirmim zyrtar nga institucionet e Kosovës për vdekjen e Hamdi Krushës në Siri.

Gazeta Express, pak ditë pasi u njoftua vrasja e tij, kishte raportuar se Hamdi Krusha ishte nxënës i imamit Idriz Bilibani nga Prizreni, siç ka treguar edhe vetë vëllai i tij të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës. 

Krusha, po ashtu nga Prizreni, kishte shkuar në Siri gjatë vitit 2013, ku i ishte bashkuar organizatës terroriste "Al Nussra". Ndërsa, dëgjues i rregullt i ligjëratave të imamit prizrenas ishte që nga mosha 19-vjeçare.

Nga ana tjetër, ndaj imamit Idriz Bilibani, Prokuroira Speciale ka ngritur aktakuzë në shtator të vitit të shkuar. Në aktakuzën që u ngrit pak para se t’i kalonte afatet e parapara ligjore për hetim, Bilibani thuhet se deri kur u arrestua në pjesën e fundit të vitit 2014, përmes ligjëratave në xhaminë OJQ "El Bejan" në Prizren dhe video-mesazhe ndikoi t'i bindë shumë kosovarëve, që me xhihad ta ngrenë lart fjalën e Zotit - “Për fenë, për fenë e Allahut”.  

Madje, ligjërimet e tij, sipas Prokurorisë Speciale i kishte përdorur edhe imami i dënuar me 10 vjet për rekrutim të xhihadistëve, Zekria Qazimi, për t’ia shpërndarë xhematit të tij. 

Hoxha me prejardhje boshnjake, në këto ligjërime arsyetonte veprimet e muxhahedinëve, pohon prokurori në aktakuzë.

“[Muxhahedinët] shpërthejnë veten në xhami, i prishin xhamat, e i prishin pazaret, e i vrasin njerëzit e pafajshëm, civilët, gratë, e disa mendojnë se janë terrorista dhe këtë mendim e kanë marrë prej mediave të qufartëve”, thoshte ai në video-incizimin që e ka gjetur Prokuroria si provë kundër hoxhë Idriz Bilibanit. 

“Atyre që luftojnë për rrugën e Allahut, Allahu ua fal gabimet”, arsyetonte tutje ai veprimet e xhihadistëve. 

Në aktakuzën ndaj tij përmendet se Bilibani akuzohet edhe nga familja e Qëndrim Kovaqit se djali i tyre gjendet në Siri, pikërisht nga ndikimet që i mori nga hoxha. 

Ndryshe, në të njëjtën aktakuzë dhe proces gjyqësor me Idriz Bilibanin janë të përfshirë edhe tre imamë tjerë. Hoxha Bedri Robaj, sikurse Bilibani, akuzohet për “Shtytje për kryerjen e veprimeve terroriste”, ndërsa Enes Goga e Mazllam Mazllami, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohen të jenë kryes të mundshëm të veprës penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. I fundit, në të njëjtën aktakuzë është politikani Fuad Ramiqi, që akuzohet për “Thirrje për rezistencë”. 

Ky i fundit, në seancën e të enjtes u paraqit pa avokat, derisa përsëriti pretendimet e tij se procesi gjyqësor ndaj tij është krejtësisht politik

Seanca e radhës gjyqësore ndaj këtij grupi është caktuar të mbahet më 14 nëntor 2017. /M.Gj./GazetaExpress/

    Data: 28 Shtator 2017 16:06
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera