Kthehu lart

Vdekja e 50 vjeçarit në Gjykatë po trajtohet si e dyshimtë nga Policia

Vdekja e 50 vjeçarit në Gjykatë po trajtohet si e dyshimtë nga Policia GazetaExpress E mërkurë, 11 Janar 2017 17:43

Policia e Kosovës është duke e trajtuar si “vdekje të dyshimtë” rastin e 50 vjeçarit F.Sh. që ndërroi jetë të martën në Pallat të Drejtësisë derisa ishte pjesë, si palë, e një procedure civile në Gjykatën Themelore të Prishtinës. 

Trupi i burrit 50 vjeçar që u raportua se ndërroi jetë një ditë më parë në një nga sallat e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Pallatin e Drejtësisë, është dërguar për obduksion, derisa rastin Polica e Kosovës është duke e trajtuar si vdekje të dyshimtë.

Për këtë ka treguar për gazetën Express zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci. Ai tha se ende nuk kanë marrë konstatim për shkaqet e humbjes së jetës së F.Sh.. 

“Ngjarja ka ndodhur në një seancë gjyqësore. Menjëherë pasi është konstatuar vdekja e tij nga mjekët, trupi është dërguar dje nga në obduksion dhe po presim rezultatet e obduksionit për ta përcaktuar shkakun e vdekjes”, tha të mërkurën për Gazetën Express, zëdhënësi Borovci. 

Nga ana tjetër, Gazeta Express nga burime brenda organeve të Mjekësisë Ligjore, merr vesh se, vdekja e 50 vjeçarit ka ardhur natyrshëm për shkak të problemeve shëndetësore me zemër, të shfaqura edhe më parë. 

Ndryshe, F.Sh., sipas dëshmitarëve, ditën e djeshme derisa ishte i pranishëm si palë në një procedurë civile në gjykatën e kryeqytetit, për një moment nuk është ndier mirë dhe është alivanosur, për t'u konstatuar më pas vdekja e tij, nga mjekët e ndihmës së shpejtë, shkruan Gazeta Express. 

Rastin ishte konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi. 

“Dje në Departamentin e Përgjithshëm -Divizioni për çështje Civile ka ndërruar jetë një person me inicilat F.Sh., rreth moshës 50-vjeçare, i cili ka qenë palë në procedurë në një çështje civile”, i pati thënë Gashi, të mërkurën, Gazetës Express.

    Data: 11 Janar 2017 17:43
    Autori: GazetaExpress

    Merr lajmet e fundit

    Të tjera