Kthehu lart

U hap ekspozita tradicionale e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve në Kolegjit AAB

U hap ekspozita tradicionale e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve në Kolegjit AAB GazetaExpress E premte, 10 Qershor 2016 17:04

Sot, në ambientet e Teatrit “Faruk Begolli”, të Kolegjit AAB në Prishtinë, me hapjen e ekspozitës kolektive tradicionale, me promovimin e dy librave dhe me një program artistik, studentët e të dy niveleve të studimit në Fakultetin e Arkitekturës dhe të Arteve të Kolegjit AAB mbyllën aktivitetet e tyre për këtë vit akademik.

Në këtë ekspozitë, studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve të këtij institucioni kanë ekspozuar punime të shumta nga të gjitha gjinitë e arteve pamore: arkitekturë dhe interier, dizajn grafik, përgatitje e librit, grafika reklamuese, ilustrim, grafikë reklamuese, multimedia, fotografi, pikturë, vizatim, art konceptual, etj..

Kurator i ekspozitës tradicionale të studentëve, e dhjeta me radhë, është prof. Fitim Aliu, ndërsa atë e shpallën të hapur Prorektori për Çështje Mësimore, prof. dr. Shemsedin Vehapi dhe profesori Shyqyri Nimani.

“Këto organizime shërbejnë për promovimin e arritjeve të studentëve. Siç po shihet, studentët kanë punuar profesionalisht dhe me një përkushtim të madh, por edhe angazhimi i mësimdhënësve nuk ka munguar duke kontribuar në ngritjen e kuadrove të reja”, ka thënë prorektori Vehapi, në fjalën e tij të rastit, duke shtuar se krahas ngritjes së kapaciteteve Kolegji AAB, ka vendosur që në vazhdimësi të bëjë promovimin e punës artistike të studentëve dhe profesorëve të këtij institucioni.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Shtëpia Botuese AAB dhe Fakulteti i Muzikologjisë, promovuan edhe dy tituj të rinj të librave nga lëmi i muzikës të dy mësimdhënësve të Fakultetit të Muzikës në AAB: “Hyrje në kontrapunktin instrumental” i autorit Kushtrim Jakupi, me recensentë dr. Adhurim Rasimi dhe prof. komp. Isak Jakupi, dhe “Këndimi koral në edukimin e përgjithshëm muzikor”, i autorit Adhurim Rasimi, me recensentë prof. dr. Besa Luzha dhe mr. sc. Violetë Krasniqi.

Po ashtu në kuadër të këtij aktiviteti është dhënë edhe një program artistik me pika të zgjedhura muzikore, interpretuar nga studentët e Fakultetit të Muzikologjisë të AAB-së dhe “Kori AAB” në bashkëpunim me shkollën e Muzikës në Gjilan, dhe interpretime në piano, flautë, kitarë dhe videoamanacione.

Po ashtu, është promovuar edhe katalogu, në të cilin janë të përmbledhura punimet e studentëve nga kjo ekspozitë.

Ekspozita është e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të shohin në objektin III, të Kolegjit AAB.


    Të tjera