Trupat amerikane po trajnohen në Gjermani para nisjes për Kosovë

Një kontingjent i ri i trupave amerikane do të mbërrijë në Kosovë së shpejti.

GazetaExpress

Ushtarët e Gardës Nacionale të Ushtrisë së Kalifornisë po trajnohen këto ditë në Gjermani, para nisjes për një mision në Kosovë.

Ata do t’i bashkohen trupave paqeruajtëse të Forcës në Kosovë (KFOR) të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e cila është përgjegjëse për ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë, njofton DVIDS.

I njohur si KFOR-24, ky do të jetë ekipi i 24’t i ushtarëve amerikanë që dislokohen në Kosovë, pas përfundimit të trajnimit në Hohenfels të Bavarisë.

Ushtarët po stërviten për ndërveprim me subjekte qeveritare dhe joqeveritare, duke mësuar për operacionet e përditshme brenda Kosovës, dhe për t’u përballur me trazira të mundshme civile, transmeton Gazeta Express.

Llejtënant-kolonel Steve Gventer, trajnues i ushtarëve, po angazhohet që forcat t’i nënshtrohen trajnimit më realist të mundshëm për kontrollimin e trazirave.

“Trajnimi për KFOR’in është shumë i rëndësishëm për njësitet, teksa ato po përgatiten për misionin në Kosovë”, ka treguar Gventer.

“Ai i mundëson atyre t’i njohin kufijtë, dhe i mëson si t’i ndërmarrin masat e sigurisë bashkë me njësitet e tjera të NATO’s që ndodhen atje”, ka theksuar ai.

E, rreshteri Paul Zadzura, ka thënë se “trajnimi për KFOR’in i teston ushtarët fizikisht, mendërisht dhe taktikisht”.

“Ata i ekspozohen niveleve të ndryshme të përshkallëzimit – nga protestat paqësore, dhe barrikadat e mundshme me vetura në rrugë, që pengojnë transportin publik, deri te forcat armiqësore, që sulmojnë drejtpërdrejt forcat lokale policore dhe trazojnë paqen që ne përpiqemi ta ruajmë në atë rajon”, është shprehur ai. /Express/

Të tjera

Lajmet e fundit