Kthehu lart

Trëndafilova shpjegon si do të ndodhë arrestimi i krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale

Trëndafilova shpjegon si do të ndodhë arrestimi i krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale GazetaExpress

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në vizitën e saj të parë në Prishtinë, ka folur rreth procedurave të arrestimit dhe paraburgimit të personave, ndaj të cilëve do të ngrihen aktakuzat.

Trendafilova ka thënë se personat e arrestuar do t’u tregohen arsyet e paraburgimit dhe nuk duhet të humbet kohë për dërgimin e tyre para Gjykatës.

“Kur jemi te arrestimi dhe paraburgimi, personi që privohet nga liria nga urdhri i Prokurorit duhet të informohet për arsyet e paraburgimit dhe të nxirret para gjykatësve pa vonesë”, është shprehur ajo.

Ajo ka treguar se rregullorja parashikon rishikime të herëpashershme nga gjykatësit të përshtatshmërisë së paraburgimit dhe mbajtjes së mëtejshme në paraburgim. “Rregullorja përcakton periudhën maksimale të mbajtjes në paraburgim në fazën e hetimit deri një vit”.

I paraburgosuri, siç thotë Trendafilova, ka të drejtë të apelojë vendimin për paraburgim drejtpërsëdrejti para panelit të Gjykatës së Apelit dhe në shkallë të fundit para panelit të Gjykatës Supreme.

“Ekziston mundësia e zhdëmtimit për arrestim dhe paraburgim të paligjshëm - çdo person mund t’i paraqesë kryetarit një kërkesë të tillë brenda gjashtë muajsh pas daljes së vendimit në formë të prerë që konstaton arrestim ose paraburgim të paligjshëm”.

“Pas transferimit në DhSK i dyshuari nxirret para një gjykatësi pa vonesë të papërligjur për rishikimin e ligjshmërisë së arrestimit ose paraburgimit. Vendimi i gjykatësve jepet brenda 48 orësh”, ka thënë kryetarja e Dhomave të Specializuara. /Express


    Data: 23 Nentor 2017 15:24
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera