Kthehu lart

Skema e mashtrimeve me viza dhe historia e përplasjes së Milaim Zekës me pronarët e Insajderit

Skema e mashtrimeve me viza dhe historia e përplasjes së Milaim Zekës me pronarët e Insajderit Donika Krasniqi Autori: Donika Krasniqi GazetaExpress

Milaim Zeka, ish-gazetar dhe aktualisht deputet i partisë NISMA, po akuzohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi me viza ndaj 920 kosovarëve, duke ua marrë atyre qindra mijëra euro. Portali Insajderi ka publikuar rrëfime dhe dëshmi, të cilat përveç Zekës e ngarkojnë edhe biznesmenin Ilir Krasniqi, i cili në emisionin televiziv PaRrotlla ishte paraqitur si ndërmarrës i ndershëm. Por, Deputeti Zeka, i cili gjatë javës që shkoi u përfshi në një rrahje me deputetin Frashër Krasniqi, në një prononcim për Gazetën Express mohon gjithçka. Ai madje thotë se është në gjendje ta paguajë me jetë nëse dikush i dëshmon krejt këto akuza.

Kanë kaluar vetëm pak ditë prej kur Milaim Zeka u përfshi në një rrahje me deputetin e Vetëvendosjes Frashër Krasniqi, ku ky i fundit e goditi me grushte Zekën, derisa po përballeshin në një emision që po transmetohej live në televizionin Klan Kosova.

Ende pa përfunduar mirë kjo ngjarje, që bëri bujë të madhe edhe jashtë kufijve, Milaim Zekës i ka trokitur në derë një telashe e re.

Ai po akuzohet se është i përfshirë në një skemë mashtrimi me viza, së bashku me një biznesmen kosovar që jeton në Gjermani.

Sipas portalit Insajderi, Zeka bashkë me biznesmenin Ilir Krasniqi, mbi 900 kosovarëve ua kanë marrë qindra mijëra euro në shkëmbim të gjoja vizave të punësimit në Gjermani.

Sipas hulumtimit, Zeka është duke u hetuar për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Aty thuhet se Zeka kishte hapur një agjenci së bashku me Ilir Krasniqin, derisa në realizimin e qëllimeve të dyshes ka punuar edhe Blerta Gashi-Sverkaj, familjare e Zekës. Kjo e fundit dyshohet se ka pranuar aplikacionet e kosovarëve duke ua marrë paratë e tyre.

Por, deputeti Milaim Zeka nuk e pranon se ka kryer ndonjërën nga këto vepra dhe i hedh poshtë akuzat për mashtrime me viza. Ai për Gazetën Express ka thënë se është në gjendje ta paguajë me jetë nëse dëshmohet nga dikush se ka qenë i përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

“Nuk kam qenë pjesë e agjencisë dhe të gjitha kontratat e nënshkruara Iliri i ka bërë në emër të vetin dhe të gruas së tij Fixhirije Krasniqi. Krasniqi ka qenë vetëm me qira tek unë te një pjesë e zyrave të mia. Nëse një njeri në këtë botë del e thotë se unë i kam marrë dikujt pare ose kam qenë i përziem në këtë punë unë me jetë e paguaj një gjë të tillë”, shpjegon ai.

Zeka akuzat ndaj tij i quan hakmarrje nga njëri pronar i portalit që i ka publikuar këto shkrime, Vehbi Kajtazi. Thotë se arsyeja e krejt kësaj është hulumtimi i tij i disa viteve më parë që zbulon, sipas tij, një aferë të Kajtazit.

“Kjo është fushatë e Insajderit e Vehbi Kajtazit për shkak të hulumtimit tim që ja kam bo para shumë kohësh”, tha Zeka për Express.

Afera, të cilën thotë Zeka që ia ka publikuar Kajtazit, ka të bëjë me jetën e tij private.

Në lidhje me këtë çështjeka folur edhe Vehbi Kajtazi, në një prononcim të dhënë të enjtën për Gazetën Express.

“Nuk kam asgjë personale ndaj Milaim Zekës. Faktet janë, dëshmitë janë aty për mashtrimet që i ka kryer. Unë nuk kam pas asgjë personale as ndaj Adem Grabovcit kur i kam publikuar punësimet që i ka bërë ai, e pse të kem personale me të?! Kështu që për krejt këtë situatë, ne kemi publikuar deri më tani tri hulumtime, nesër del edhe audioincizimi dhe aty sqarohet edhe më tutje mashtrimi me viza”, tha Kajtazi.

Milaim Zeka, nga ana tjetër, në lidhje me akuzat se është përfshirë në një skemë mashtrimi me viza, ka thënë se nuk ka asnjë informacion zyrtar.

Megjithëkëtë, në aktvendimin e prokurorit Afrim Shefkiu, që e publikoi Insajderi, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, Milaim Zeka, Ilir Krasniqi dhe F. K. si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga Ilir Krasniqi, kanë ndarë detyrat, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Por, Zeka mohon të jetë i njoftuar nga Prokuroria për këto konstatime që janë në aktvendim. Ai insiston se në këtë rast, kundër tij, është i implikuar edhe Kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

Në pjesën e dytë të hulumtimit për skemën e mashtrimit me viza pune, Insjaderi kishte raportuar se Milaim Zeka kishte marrë hiç më pak se 120 mijë euro para të thata në dorë. Për këtë portali ka publikuar një shkrim edhe një seri komunikimesh elektronike në mes të Milaim Zekës, Ilir Krasniqit, Blerta Zverkës – Gashit e personave tjerë.

Shuma prej 120 mijë eurosh që përmendet në këtë pjesë të hulumtimit, sipas Zekës, është një dezinformatë e këtij portali. Zeka kërkon që të studiohet mirë kur flitet për këtë shumë sepse siç sqaron ai, aty ku apostrofohej emri i tij, bëhej fjalë vetëm për 120 euro dhe jo 120 mijë.

“Studiojeni shkrimin e djeshëm ku Blerta Gashi thotë 50 euro ja ka dhanë dikujt, e si duket ka thanë Iliri jepja për kafe a diçka dhe 120 euro thotë ja kam dhënë Milaimit, qysh u morën vesh, d.m.th ata kanë biseduar mes veti, imagjino kur 120 euro për Insajderin bëhet 120 mijë euro, atëherë çfarë komenti mund të bëj për këtë pos se jetojmë në një vend të mjerueshëm. Si ka mundësi që unë të jem vetë i përfshirë në këtë aferë kur unë vetë e kam denoncuar Ilirin në polici”, thotë ndër të tjerash Zeka.

Në seancën e së hënës, Zeka shfrytëzoi Parlamentin për të drejtuar akuza ndaj dy drejtuesve të portalit Insajderi, duke thënë se ky medium është themeluar nga ShIK-u dhe financohet nga nëntoka serbe.

Parim Olluri, drejtor i Insajderit, sot bëri të ditur se Zeka do të paditet për shpifjet e tij në statusin e fundit.

“Ne kulmin e banalitetit te tij, Zeka abuzon me fatin tragjik të një kushëriri tim, të mashtruar nga radikalët islamik, për të më ndërlidhur mua me ISIS-in. Banaliteti i tij përfshin edhe abuzimin me foltoren e parlamentit, duke dërdëllitur shpifje për BIA e ISIS”, thotë Olluri.

Për akuzat e Zekës ndaj dy drejtorëve të portalit kosovar, nga zyra e AGK-së thonë se gjithsecili person që konsideron se mediat nuk kanë raportuar drejt apo kanë dezinformuar duhet t’i drejtohen gjykatës, për më shumë nëse ai person është deputet.

“Foltorja e kuvendit nuk duhet të shërbejë si vend ku deputetët akuzojnë mediat dhe gazetarët. Në rastin konkret, kryesuesi i seancës do të duhej që t’ia ndërpriste fjalën deputetit Zeka në mënyrë që të mos e lejonte keqpërdorimin e foltores, gjegjësisht institucionit të kuvendit”, thonë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Në pjesën e tretë të hulumtimit të publikuar sot nga Insjaderi, zbulohen bisedat në mes të Zekës dhe Ilir Krasniqit. Ndërkaq, për nesër është paralajmëruar se do të publikohen edhe audioincizimet për këto mashtrime me viza./GazetaExpress/

    Data: 05 Tetor 2017 17:57
    Autori: Donika Krasniqi

    Të tjera