Kthehu lart

VV'ja nuk lejon vendosjen e flamurit të Kosovës, shteti gjen një rreth tjetër

VV'ja nuk lejon vendosjen e flamurit të Kosovës, shteti gjen një rreth tjetër GazetaExpress

Flamuri i Kosovës ende nuk është vendosur te Rrethi në Prishtinë, ani pse ishte paralajmëruar një ditë më parë. Nga Protokolli i Shtetit thonë për Express se janë dy opsione dhe vendosja e flamurit do të ndodhë sot ose nesër

Departamenti i Protokollit të Shtetit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme kishte paralajmëruar që sot do të vendoset te Rrethi në Prishtinë flamuri i Kosovës, pas shumë reagimeve që ishin ngritur për këtë temë.

Por, siç duket kjo nuk do të ndodhë edhe sot, ani pse ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka marrë vendimin.

Drejtori i këtij departamenti, Orhan Hajziri tha për Express se ekzistojnë dy opsione, ndërsa ende nuk është vendosur se cili nga ta do të implementohet.

“Janë dy opsione, opsioni i parë është vendosja e të dy flamujve në të njëjtin vend dhe opsioni tjetër, te rrethi tjetër, me gjasë më të madhe të ndodhë, te Banesat e Arabëve atje që lidhet magjistralja”, deklaroi ai.

Ndërsa, Hajziri tregon se flamuri kombëtar nuk do të hiqet nga vendi ku ndodhet tash e sa vite.

“Flamuri kombëtar nuk do të hiqet nga rrethi ku është por do të vendoset në rrethin tjetër edhe një flamur i shtetit të Kosovës, shumë shpejt”, shton ai.

Sipas tij, kjo do të ndodhë sot ose nesër, pasi që ashtu ka vendosur ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Në këtë mënyrë në hyrje të Prishtinës do të valëviten të dy flamujt.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Express se tashmë kanë parë të gjitha paralajmërimet në rrjete sociale për të mbrojtur flamurin kombëtar te Rrethi nëse diçka e tillë ndodh, por, thonë që deri tash nuk ka pasur në atë vend asgjë të pazakontë.

Dje, përmes rrjeteve sociale ishte krijuar edhe një grup ku deklarohej se heqja e flamurit kombëtar do të mbrohej edhe me jetë, nëse është e nevojshme.

Express kishte raportuar se një grup nga këta persona, në mëngjesin e sotëm kishin postuar fotografi nga vendi i ngjarjes duke shkruar se janë në pritje. /A.K/Express/ 

    Data: 13 Shkurt 2018 11:38
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera