Kthehu lart

Shpend Ahmetit i ikën Drejtori për Kulturë, thotë se është me Albin Kurtin

Shpend Ahmetit i ikën Drejtori për Kulturë, thotë se është me Albin Kurtin GazetaExpress

Yll Rugova, Drejtori i Kulturës, Rinisë e Sportit në Prishtinë, e ka bërë të qartë pozicionimin e tij se në cilin krah është rreshtuar, pas dorëheqjes së Kryetarit Shpend Ahmetit mbrëmë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rugova për Express ka thënë se ai ka garuar me VV’në në zgjedhje e cila e ka kryetar Albin Kurtin.

“Unë vazhdoj me qenë  i idesë  se Vetëvendosja është tash me Albin Kurtin, e ka kryetarin. Kam garuar në këto zgjedhje në emër të Vetëvendosjes dhe e konsideroj vetën pjesë të Vetëvendosjes”, ka thënë ai.

Rugova ka  thënë se brenda VV’së formalisht nuk ka grupe të ndara. Drejtori i drejtorisë ka refuzuar ta komentojë largimin e djeshëm të Shpend Ahmetit, nga të gjitha funksionet brenda VV’së, duke thënë se kjo është çështje e tij.

Shpend Ahmeti mbrëmë deklaroi dorëheqjen e tij nga Vetëvendosje. Sipas tij, mosmarrëveshjet e fundit brenda Lëvizjes Vetëvendosje janë arsyet kryesore të largimit të tij nga partia.

“Nuk kam hyrë në Vetëvendosje për të luftuar me njëri-tjetrin brenda organizatës, duke forcuar kështu klasën e tejkaluar politike. Arsyeja për të cilën unë kam hyrë në Vetëvendosje nuk është më. 


Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin, e rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata, në gjendjen që është sot, është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia”, shkruan ndër të tjera Ahmeti në letrën e tij.

E ndërsa shkruan se letra e tij nuk është përpjekje për të fajësuar askënd, Ahmeti thekson se e ardhmja e tij politike është është e lidhur më shumë se kurrë me kryeqytetin./D.K/GazetaExpress

    Data: 08 Mars 2018 18:57
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera