Kthehu lart

Serwer për Express: Demarkacioni e ka futur Haradinajn në vrimë lepuri

Serwer për Express: Demarkacioni e ka futur Haradinajn në vrimë lepuri Autori: Donika Krasniqi GazetaExpress E enjte, 09 Nentor 2017 18:04

Analisti i çështjeve të Ballkanit Daniel Serwer e ka këshilluar Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, që sa më shpejt që të jetë e mundur të dalë nga, siç e quan ai, “vrima e lepurit” ku është futur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Serwer për Express, thotë se Kryeministri Haradinaj është dashur që të largohej nga kjo situatë me demarkacionin që kur e mori pozitën e kreut të ekzekutivit. Analisti amerikan i ka komentuar edhe deklaratat e Hoyt Yee që Washingtoni dhe Brukseli të mos i ftojnë zyrtarët e korruptuar për vizita në këto dy qendra.

Analisti dhe ish- diplomati amerikan Daniel Serwer, në një deklaratë për Gazetën Express, e ka dhënë vështrimin e tij për situatën aktuale në Kosovë si dhe paralajmërimet që i shprehu të mërkurën zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, për liderët e korruptuar në Ballkan.

Serwer duke e komentuar ngërçin që e ka kapluar Kosovën me rastin e shënimit të kufirit me Malin e Zi, proces ky që ka bllokuar dhe liberalizimin e vizave, thotë se kryeministri Haradinaj është mirë që sa më shpejt të largohet nga kjo situatë dhe të mos i rezistojë demarkacionit. Siç shprehet ai, Kosova ka çështje shumë më të mëdha për të cilat duhet shqetësuar.

“Këshilla ime është që të dalë nga kjo vrimë lepuri sa më shpejt të jetë e mundur. Kosova ka çështje shumë më të mëdha dhe më të rëndësishme për t'u shqetësuar. Kjo është një çështje që Ramush Haradinaj duhet ta kishte braktisur sapo mori detyrën. Kosova ka pak për të fituar dhe një marrëveshje të madhe për të humbur, nëse ai vazhdon t'i rezistojë demarkacionit”, vlerëson analisti i çështjeve të Ballkanit Daniel Serwer.

Ish-diplomati amerikan ka folur edhe për kërcënimet e vazhdueshme që zyrtarët e lartë serbë i bëjnë për një luftë të mundshme me Kosovën. I fundit që bëri deklarata të ngjashme ishte Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Gjuriq tha se janë të gatshëm të luftojnë në Kosovë për t’i mbrojtur ato që, siç thotë ai, janë të tyre.

Megjithëkëtë, Serwer vlerëson se Gjuriq duhet ta dijë më mirë se nuk do të ketë luftime për Kosovën, për aq kohë sa forcat e NATO-s janë atje. 

“Unë shpresoj se ata do të qëndrojnë deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë anëtarësimin në OKB për Kosovën dhe shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh. Vërejtjet e Gjuriqit më bëjnë të pyes veten nëse ai është djaloshi i duhur për të kryer një dialog të brendshëm serb mbi këtë temë”, ka shtuar ai.

Serwer thekson se Serbia ka nevojë për introspeksion dhe realizëm, e jo për fantazi dhe kërcënime.

Përveç situatës me Kosovën, Serwer ka folur edhe për deklaratat e Hoyt Yee, zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, i cili të mërkurën ngriti shqetësime duke thënë se perëndimi duhet të jetë më i prerë me liderët e korruptuar ballkanikë duke mos i ftuar ata në Washington dhe Bruksel. 

Serwer thotë se Hoyt Yee dukej serioz kur bënte deklarata të tilla duke e ndërlidhur këtë me anulimin e datave të referendumeve nga ana e Milorad Dodik, kryetarit të Republikës Serbe.

Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, i angazhuar nga afër së fundmi me Ballkanin Perëndimor, tha se perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre, duke shtuar se është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe./GazetaExpress/

    Data: 09 Nentor 2017 18:04
    Autori: Donika Krasniqi

    Të tjera