Rreziku nga objekti që po shembet në Zonën Historike të Prizrenit

Stomatologu Dodë Dulaj që jeton në Rrugën “Papa Gjon Pali II” të Prizrenit ankohet se po jeton me frikë se një objekt i mbrojtur në Zonën Historike të Prizrenit, ngjitur me shtëpinë e tij, në çdo çast mund të shembet.

GazetaExpress

“…Ky objekt i vjetër faktikisht kulmi ka ra, është kalbur tanë kohën kam problem, një shi me ra kam lagështi, por edhe uji më hyn në orëmatësin e rrymës elektrike ashtu që jam me frikë gjithnji mos po më kallet shtëpia, apo diçka”, tha Dulaj.

Ai tregoi për KALLXO.com se nuk ka mundur të merret vesh me pronarët e këtij objekti që prej tij të mos i dëmtohet shtëpia.

“Me pronarët nuk kam mujt me gjet një gjuhë të përbashkët. Një pronar është jashtë vendit kurse motra e vet është në Prizren, nuk dojnë me komunikua, ata thonë që do ta rrëzojmë, po kjo ka mbetur kështu që disa vite”, tha Dulaj.

KALLXO.com ka kontaktuar Marsel Çollakun, njërin nga bashkëpronarët e objektit, i cili jeton në Francë.

Çollaku tha se çështja e objektit do të rregullohet së shpejti.
“…Arkitekti është duke i punuar planet për ndërtim … por shpresoj se pas Pashkëve do rregullohet situata sipas rregullave të administratës i cili në këtë situatë është prioritet”, tha Çollaku.
Ndërsa Dulaj bëri të ditur se është ankuar në Inspektoratin Komunal, por ai nuk ka vepruar.
“Inspektoratit komunal ju kam drejtuar në vitin 2015, ekziston edhe dokumenti që jam ankua, edhe ata e prolongojnë situatën, nuk guxojmë, është zonë e mbrojtur historike duhet me konservua…”, tha stomatologu Dulaj.

E kontaktuar nga KALLXO.com inspektorja komunale Dashuri Memçaj tha se kishte nxjerrë një aktvendim për evitimin e rrezikut në këtë objekt, por pas ankesës së pronarëve të tij Ministria e Ambientit e kishte shfuqizuar aktvendimin.
Inspektorja Memçaj tha për KALLXO.com se pas fillimit të zbatimit të Ligjit pë Qendrën Historike të Prizrenit, inspektorët nuk mund të marrin vendime për objektet e kësaj qendreje.

“Tani inspektorati mund vetëm të kërkojë leje për zonat ku kryhet aktivitet apo veprimtari ndërtimi në Zonën Historike të Prizrenit, nuk jemi më kompetentë për këtë punë”, tha Memçaj.

KALLXO.com e pati të pamundur të kontaktojë pronarët e objektit për të cilin ankohet stomatologu Dulaj që ta marrë edhe versionin e tyre.

Sipas aktvendimit të Drejtorisë së Inspektorateve, inspektori komunal i Komunës së Prizrenit kishte urdhëruar bashkëpronarët e objektit që të bëjnë rrënimin apo mënjanimin e tërësishëm të objektit si dhe të pajisen me leje përkatëse nga Drejtoria e Urbanizmit për rrënimin e këtij objekti.

Në arsyetimin e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i cili e ka shfuqizuar aktvendimin e Inspektoratit Komunal të Komunës së Prizrenit është sqaruar se Inspektorati në Prizren gabimisht ka konstatuar gjendjen faktike dhe ka bërë aplikim të gabueshëm të dispozitave ligjore, me ç’rast lëndën e ka kthyer në rivendosje.
Derisa të dihet se kush duhet të mënjanojë rrezikun, Dulaj thotë se fatkeqësisht vetëm aksidentet mobilizojnë organet kompetente.
“…Faktikisht objekti është rrëzu krejt, veç një ditë duhet me zanë dikënd për me u ba e madhe që me intervenu kuvendi komunal”, tha Dulaj.

Të tjera

Lajmet e fundit