Kthehu lart

Deputeti Islam Pacolli e fsheh çka i ndodhi me policinë, merret me mediat

Deputeti Islam Pacolli e fsheh çka i ndodhi me policinë, merret me mediat GazetaExpress

Deputeti i AKR-së, Islam Pacolli thotë se është i përkushtuar për sundim të ligjit. Ai nuk e përmend sulmin mbi policin, që u konfirmua nga vetë Policia. Pacolli kritikon mediat dhe kërkon nga to që ta heqin lajmin, si thotë ai të pavërtetë.

“Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, përmes këtij shkrimi shfrytëzoj rastin të demantoj shkrimin e disa portaleve informative të cilat kanë dezinfirmuar publikun duke konstatur se “Deputeti Islam Pacolli është arrestuar për shkak të mospërfilljes së urdhërit nga një zyrtar shtetëror”.

Konstatimi i sipërcituar nga portalet përkatëse është i pavërtetë dhe si i tillë, ky është sulm drejtuar personalisht kundër meje me tendencë të dëmtimit të imazhit tim publik.

"Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët e Republikës së Kosovës, mbetem i përkushtuar të vazhdoj të respektoj me përpikmëri Kushtetutën, Ligjet në fuqi si dhe Institucionet e shtetit tonë. Njëkohësisht u bëj thirrje personave përgjegjës të tërhiqen sa më shpejt nga dezinformimet e tilla të opinionit publik”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë Policia e Kosovës, e ka konfirmuar lajmin se Pacolli e ka sulmuar një polic të Ministrisë së Drejtësisë.

Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci ka thënë  se deputeti i AKR-së, Islam Pacolli gjatë ditës së sotme e ka sulmuar fizikisht një oficer të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas Borovcit, dyshohet se shkak për këtë rast ka ardhur për arsye se Pacolli ka refuzuar t’i zbatoj urdhërat e ligjshëm të dhënë nga oficeri policor.-

“Rreth orës 15:00 është raportuar se oficeri i sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë deri sa ka qenë në kryerjen e detyrës  është sulmuar nga një deputet. Deri te sulmi dyshohet të ketë  ardhur për shkak se deputeti ka refuzuar të zbatoj urdhërat e ligjshëm të dhëmë nga oficeri policor”, ka thënë Borovci për Gazeten Express. 

Borovci ka shtuar se Policia e Kosovës nuk e ka arrestuar deputetin Islam Pacolli, por thotë se janë duke i hetuar rrethanat e rastit, dhe do përpiqen që t’i intervistojnë personat e përfshirë në rast, duke mos e përjashtuar edhe deputetin Pacolli.

“Policia ka filluar një hetim për sqarimin e  rrethanave të rastit, ka njoftuar edhe prokurorinë e shtetit i cili ka rekomanduar intervistimin e palëve të përfshira në rast.Oficeri policor ka deponuar deklarimin e tij e përderisa policia është në përpjekje për të kontaktuar edhe deputetin e involvuar në rast”, ka përfunduar Borovci.


    Data: 12 Qershor 2018 21:03
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera