Kthehu lart

Rasti i dy gjyqtarëve nga Veriu i Kosovës: Marrin më shumë se 1 mijë euro rrogë në muaj pa asnjë ditë pune

Rasti i dy gjyqtarëve nga Veriu i Kosovës: Marrin më shumë se 1 mijë euro rrogë në muaj pa asnjë ditë pune Objekti i Gjykatës Themelore të Mitrovicës Mentor Gjergjaj Autori: Mentor Gjergjaj GazetaExpress

Dy gjyqtarë serbë për gati 10 vjet nuk dalin në punë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ndonëse marrin pagë çdo muaj. Për këtë është njoftuar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por kryetari i këtij institucioni nuk ka pranuar të flasë  për rastin në fjalë. Pagat për gjyqtarë në Gjykatën Themelore kalojnë mbi 1000 euro në muaj. Secilit prej këtyre i derdhen në konto mbi 14 mijë euro në vit, ani pse nuk vijojnë punën. 

Ruzhica Simiq dhe Zoran Paviq, që nga viti 2008, vetëm për një muaj kanë kryer punën e tyre si gjyqtarë në Mitrovicë. Asnjëri prej tyre, për gati 10 vite, nuk kanë marrë mbi supe gjykimin e asnjë rasti as në Gjykatën e Qarkut të Mitrovicës kur ishte funksionale, e as tash që është Gjykatë Themelore. 

Megjithatë, gjyqtarët serb Simiq dhe Paviq gjatë gjithë këtyre viteve janë paguar çdo muaj nga buxheti i Kosovës.

Vetëm nga viti 2013 kur janë angazhuar si gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës ata janë paguar rreth 1.200 euro në muaj pagë të plotë të gjyqtarëve, pa ushtruar funksiononin e tyre. 

Se dy gjyqtarët serbë nuk kryen punën e tyre në gjykatë, për Gazetën Express e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Ali Kutllovci. 

“Vallah që 10 vjet, jon gjyqtarë që u duftë me punu me neve, po pos nja 1 muaj kom mrri mi pru ktu. Rrogat i marrin, me punu s’punojnë”, ka thënë të mërkurën Kutllovci për Gazetën Express.

“S’punojnë kurrë. Rrogat i marrin”, ka përsëritur përmes telefonit ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës. 

Ai gjithashtu ka treguar se vetëm vitin e shkuar kishte arrituar t’i detyronte këta gjyqtarë të dilnin në punë në këtë gjykatë, porse kjo kishte zgjatur vetëm një muaj dhe pas kësaj, sipas Kotllovcit, nuk janë paraqitur më.

“Arsyetimi i tyre ka qenë se nuk po na krijoni kushte në Zubin Potok dhe Leposavic, se na nuk mundemi me udhtu”, tregon për Gazetën Express drejtuesi aktual i Gjykatës në Mitrovicë, e cila me objekt është e vendosur në qendër të Vushtrrisë.  

Ali Kutllovci po ashtu konfirmon se gjatë gjithë kohës është njoftuar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për mungesat e tyre. 

Madje, thotë se për dy vite sa ushtron detyrën e Kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, personalisht ka njoftuar KGJK’në çdo muaj për këtë rast. 

“Çdo muaj, Këshilli është raportuar që ata s’po punojnë”, tregon Kutllovci, duke lënë të kuptohet se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje apo masë për ankesat e tij ndaj dy gjyqtarëve serb të Kosovës. 

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me kryetarin e KGJK’së, Nehat Idrizin. Ai përmes telefonit ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me e-mail, porse deri të enjten pasdite nuk është përgjigjur.  

Ndryshe, Zoran Paviq është i dekretuar si gjyqtar në departamentin e përgjithshëm penal të Gjykatës Themelore të Mitrovicës qysh kur kjo gjykatë funksiononte si Gjykatë e Qarkut. 

Në seksionin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, në ueb-faqen e KGJK’së, nuk ka asnjë të dhënë për gjyqtarin serb në fjalë. Derisa, për gjyqtaren Ruzica Simiq kjo faqe jep disa informacione, porse janë shumë të mangëta dhe të papërditësuara. Fotografi të saj nuk ka. 

Aty thuhet se Simiq është e angazhuar si gjyqtare në Departamentin e Krimeve të Rënda. Por, Gazeta Express merr vesh se që nga viti 2013 kur gjykata e Qarkut e Mitrovicës u shndërrua në Gjykatë Themelore, Simiq është gjyqtare në departamentin e përgjithshëm të kësaj gjykate. 

Secili prej këtyre dy gjyqtareve serb, Ruzhica Simiq dhe Zoran Paviq, llogaritet t’i marrin gjithsej nga buxheti i shtetit të Kosovës nga mbi 14 mijë euro në vit për ndarjen e drejtësisë në Mitrovicë, funksion që asnjeri prej tyre nuk e kreu që nga viti 2008. Paga mujore për gjyqtarë në Gjykatat Themelore në Kosovë llogaritet diku rreth 1200 euro në muaj. 

Me mungesat e tyre në punë, nga 1 shtatori i vitit 2016, kur nisi zbatimi i Kodit të ri të Etikës për Gjyqtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, këta gjyqtarë llogaritet t’i kenë shkelur disa nga pikat e këtij kodi qysh nga dita kur hyri në fuqi pas shfuqizimit të Kodit Etik dhe Sjelljes Profesionale për Gjyqtarë, i amandamentuar më 5 shtator 2006.

“Funksioni i gjyqtarit ka prioritet kundrejt të gjitha aktiviteteve tjera të gjyqtarit”, thuhet në piken e parë të paragrafit të Kodit Etik për Gjyqtarë që rregullon Zbatimin e Profesionalizmit dhe përgjegjësisë në punë për gjyqtarët. 

Pika tjera që llogariten të jenë shkelur nga kodi i etikes, në rastin e gjyqtarëve Simic dhe Pavic janë edhe pika 5.2, 5.5 dhe 5.6. /M.Gj./GazetaExpress/.

    Data: 12 Tetor 2017 16:49
    Autori: Mentor Gjergjaj

    Të tjera