Kthehu lart

​Punonjësit e shkollave të Gulenit po refuzojnë t’i mbyllin llogaritë në bankën turke BKT

​Punonjësit e shkollave të Gulenit po refuzojnë t’i mbyllin llogaritë në bankën turke BKT GazetaExpress

Punonjësit e Kolegjit “Mehmet Akif”, nuk e kanë ndërmend të nënshkruajnë detyrimin që Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ua ka bërë për t’i mbyllur xhirollogaritë e tyre në këtë bankë, para se ato t'u çaktivizohen automatikisht

Gazeta Express ka mësuar se drejtuesit e rrjetit të shkollave të Fetullah Gulenit në Kosovë, kanë kërkuar që stafi i tyre të mos japin pajtimin e tyre për t’u larguar nga banka në fjalë, edhe pse BKT-ja ka njoftuar përjashtimin e tyre si klientë të kësaj banke. 

Të martën, BKT-ja ka njoftuar klientët e saj punonjës të shkollave “Mehmet Akif” se brenda 30 ditësh llogaritë e tyre do të çaktivizohen, ndaj u ka bërë thirrje atyre që brenda këtij afati të kryejnë procedurat e nevojshme për mbylljen e rregullt të xhirollogarive. 

Express ka provuar të marrë qëndrim nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nëse mbyllja e këtyre xhirollogarive është ligjore, dhe nëse ky institucion është njoftuar për rastin, por nuk ka marrë përgjigje.

Vendimi i kësaj banke ka ardhur vetëm tre javë pasi në Kosovë u ndërmor një aksion i fshehtë dhe joligjor i AKI-së dhe inteligjencës turke për deportimin e gjashtë gulenistëve nga Kosova, 5 prej tyre drejtues dhe arsimtarë të shkollave “Mehmet Akif” në Prishtinë dhe Gjakovë. 

Banka Kombëtare Tregtare, e cila prej vitit 2009 funksionon në Kosovë, është pronë e kompanisë “Çalik Holding” e biznesmenit Ahmet Çalık. Ky i fundit njihet si oligark i afërm me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan. 

“Çalik Holding”, përveç që ka në pronësi BKT-në, në partneritet edhe me “Limak”, janë pronarë edhe të kompanisë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë - KEDS. /GazetaExpress/

    Data: 19 Prill 2018 15:05
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera