Kthehu lart

Pajaziti: Qëllimi i seancës së Kuvendit ishte të tregohej shqetësimi për arrestimin e Haradinajt

Pajaziti: Qëllimi i seancës së Kuvendit ishte të tregohej shqetësimi për arrestimin e Haradinajt Morena Kokollari Autori: Morena Kokollari GazetaExpress

Pas pothuajse 11 orësh diskutim për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë, deputetët e Kuvendit nuk arritën të votojnë pro rezolutës për Haradinajn, gjegjësisht as pikën e katërt të paraqitur nga AAK-ja, e cila kishte për bazë pezullimin e dialogut me Serbinë dhe anulimin e fletarrestimeve të bëra nga Serbia në vitin 2004, pjesë e së cilës ishte edhe fletarrestimi për Ramush Haradinajn, i cili u arrestua në Francë më 4 janar. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së thotë se qëllimi i seancës ishte që të tregohet shqetësimi për Haradinajn

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të merreshin vesh për një rezolutë për lirimin e Ramush Haradinajt në Francë. Pas pauzës, dy partitë e koalicionit nuk janë pajtuar me projektrezolutën e paraqitur nga deputeti AAK-së, Pal Lekaj, ku kërkohej ndërprerja e bisedimeve me Serbinë deri në heqjen e fleta-arresteve për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

PDK dhe LDK erdhën në seancë me një projektrezolutë të tyre, por edhe kjo nuk mori votat e nevojshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, partisë së Ramush Haradinajt, Pal Lekaj ka thënë për Gazetën Express se mosvotimi i rezolutës është për të ardhur keq, pasi që koalicioni qeverisës nuk ishte në gjente të votojë këtë rezolutë.

“Mendoj që deputetët kanë gabuar shumë dhe nuk kanë treguar fuqinë e vetë për më marrë vendime politike, nga ku doli që edhe vendimi i seancës të jetë politik”, ka thënë Lekaj.

Mirëpo, Zenun Pajaziti, shefi i Grupit Parlamentar nga PDK-ja thotë se mesazhi kryesor nga seanca e djeshme ishte që të tregohet shqetësimi i të zgjedhurve të popullit lidhur me këtë çështje, duke thënë se me përgjegjësinë më të madhe e kanë pranuar mbajtjen e kësaj seance në mënyrë që të dëshmohet jo vetëm shqetësimi i deputetëve, por edhe interesimi absolut për lirimin e Haradinajt.

“Këtë mision, seanca e djeshme e ka përfunduar. Tendenca për të nxjerrë përfundime të cilat shkojnë përtej asaj që i ndihmojnë Haradinajt, më duket se është jo e mençur dhe jo korrekte”, ka thënë Pajaziti për Gazetën Express, duke thënë se besojnë se institucionet ndërkombëtare do t’i ndihmojnë Kosovës në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përkundër këtij rasti.

Rezoluta e AAK-së dje u zotua nga 36 deputetë, 28 vota dolën të ishin pro, 3 kundër dhe 5 abstenime. Ndërsa ajo e koalicionit PDK-LDK u votua nga 47 deputetë, 38 nga ta votuan për, 6 kundër dhe 3 abstenime.

Shefja e Grupit Parlamentar nga Nisma, Valdete Bajrami u shpreh se tërë diskutimi i djeshëm në seancën për Haradinajn tregoi joseriozitet dhe se deputetët po e luajnë një lojë të dyfishtë.

“Besoj që të gjithë e panë se pas tërë atyre diskutimeve të deputetëve të partive në pushtet, kanë qenë në vijë me pikën e katërt të cilën e ka përmbajt rezoluta e AAK-së. Të gjithë deputetët në fjalimet e tyre kanë pasur vërejtje për dialogun me Serbinë, e që në njëfarë forme kanë kërkuar ndërprerjen e dialogut, por në konsultim, shefat e grupeve parlamentare vijnë në përfundim se u bë politikë ditore, ku edhe nuk e përkrahën pikën e katërt”, ka thënë Bajrami, e cila shtoi se kjo ka treguar joseriozitet dhe se deputetët po luajnë lojë të dyfishtë, ashtu siç ndodhi me rastin e Gjykatës Speciale.

“Njësoj ndodhi edhe me rastin e Gjykatës Speciale, të gjithë deputetët kishin deklarime kundër kësaj gjykate, dhe po të njëjtit e votuan pro”, ka thënë Bajrami duke e quajtur hipokrizi mosvotimin e rezolutës së AAK-së për Haradinajn.

Në anën tjetër, Zenun Pajaziti thotë se kjo që po e bën Serbia është për të ardhur keq.

“Ata po manipulojnë me të gjithë procesin dhe me qytetarët e vetë, por edhe me ata që jetojnë në Kosovë. Mirëpo ata nuk mund ta manipulojnë Francën, apo ndonjë shtet tjetër”, ka thënë Pajaziti duke shtuar se është i sigurt që Franca nuk do të bie në një grackë të tillë të Serbisë.

Pal Lekaj, nga partia e Ramush Haradinajt ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës u shokuan me vendimin e djeshëm në Kuvend, meqë fjalët dhe diskutimet ishin në favor të Haradinajt, “mirëpo kur erdhi momenti i votimit, nuk dhanë përkrahje”.

“Ne nuk kërkuam asgjë më shumë sesa pezullimin e dialogut me Serbinë dhe anulimin e të gjitha listave të flet-arrestimeve të dërguara nga Serbia”, ka thënë Lekaj.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të "Nismës", Valdete Bajrami, ka thënë se beson se Franca do ta lirojë shumë shpejtë Ramush Haradinajn.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar në aeroportin e Bazelit, në zonën franceze të Mulhouse, nga autoritetet franceze. Për të njëjtin, Gjykata në qytetin e Colmar, më 5 janar kishte marrë vendim që të mbahet në paraburgim deri sa Serbia ta dërgojë dokumentin zyrtar të ekstradimit, të cilët e kishin kërkuar këtë paraprakisht në ditën e arrestimit të Haradinajt.

Në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të bërë nga Serbia në vitin 2004, Haradinaj u akuzua për krime ndaj serbëve gjatë periudhës së luftës.

Autoritetet në Serbi dje, më 10 janar, veçse dërguan dokumentin që kërkojnë ekstradimin, e bashkë me të edhe një sërë dokumentesh, që sipas tyre, gjykata franceze do t’i marrë parasysh për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Mirëpo, Gjykata në qytetin e Colmar, pritet që nesër të mbajnë seancë gjyqësore dhe të merret vendimi për Haradinajn, i cili ka 1 javë që po mbahet në paraburgim. /GazetaExpress/

    Data: 11 Janar 2017 15:04
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera