Kthehu lart

OSBE-ja me rol “monitorues” për zgjedhjet e qershorit

OSBE-ja me rol “monitorues” për zgjedhjet e qershorit GazetaExpress

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk është autoriteti i vetëm që do të merret me menaxhimin e procesit zgjedhor më 11 qershor.

Sipas Kohës Ditore, një rol i cili pritet të jetë monitorues do ta ketë edhe misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Fushëveprimi i tyre do të kufizohet vetëm për katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe. Derisa në KQZ kanë heshtur përkitazi me rolin që mund t’i jepet OSBE-së, zyrtarë të këtij misioni kanë thënë se janë në bisedime për mundësinë e përfshirjes së tyre në formë të mbështetjes “teknike”.

“Viteve të fundit Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka ofruar KQZ-së forma të ndryshme të mbështetjes teknike. Kur është fjala për zgjedhjet e ardhshme, roli i mundshëm i OSBE-së nuk është përcaktuar ende, jemi në kontakt me KQZ-në e aktorët e tjerë, dhe do të jemi të gatshëm të japim çfarëdo forme të mbështetjes që mund të nevojitet dhe kërkohet”, ka thënë për “Kohën Ditore” zëdhënësi i OSBE-së, Senad Saboviq.

Anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor kanë thënë se çfarëdo angazhimi i ndonjë institucioni tjetër, përveç KQZ-së, për organizmin e zgjedhjeve, është në kundërshtim me ligjin.

Historiku i angazhimit të OSBE-së në procese të ndryshme zgjedhore edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, jo gjithmonë ka qenë miqësor në raport me KQZ-në.

    Data: 19 Maj 2017 06:53
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera