​Oda e burrave apo Gjykata e Apelit, kush do ta zgjidhë rastin e Donjetës së vrarë?

Gjykata e Pejës e ka dhënë vendimin për Naser Pajazitajn, i cili deri të martën akuzohej se vrau kushërirën e tij Donjeta Pajazitaj. Por, tash me këtë rast do të merren odat e burrave të Deçanit, për të pajtuar dy familjet nga Strellci që janë në lidhje gjaku mes vete. Express sjell rrëfimin e babait të Donjetës, Halil Pajazitajt, dhe vëllait të Naser Pajazitajt, dy ditë pas shpalljes së aktgjykimit për vrasjen që ka ndodhur në fund të vitit 2015.

GazetaExpress

Ofshama e Halil Pajazitajt tregon se burri nga Strellci i Deçanit ka humbur besimin në drejtësi. Para dy ditësh, Gjykata Themelore e Pejës e liroi nga burgu kushëririn e tij, Naser Pajazitajn, i cili dyshohej se në nëntor të vitit 2015 ia vrau me dy plumba vajzën 24-vjeçare Donjetën.  

Por, përkundër vendimit të gjykatës, deçanasi beson se kushëriri 55-vjeçar ia mori jetën të bijës, derisa ajo më 9 nëntor 2015 po shkonte në punë. 

“Ai duhet me kanë, s’ka pas kush tjetër”, thotë ai, derisa qëndron para dyerve të shtëpisë së tij.

Për aktgjykimin lirues ndaj Naser Pajazitajt, Halili pretendon se ka të bëjë me korrupsion në këtë rast. 

Kjo atij i shton dyshimet se edhe dikush tjetër ka mundur të jetë i implikuar në këtë rast. Por, nuk e ka idenë se pse ka mundur të kryhet vrasja mizore e të bijës.

“Paj, korrupsioni. Parja është në pyetje. Ky nuk e ka bo vetëm, s’ka pas shans me bo vetëm”, tha ai gjatë një bisede të enjten për Gazetën Express. 

Halil Pajazitaj shpjegon për momentin e fundit që është parë Donjeta më 9 nëntor 2015, ditën kur u zhduk, për t’u gjetur e vdekur dhe e mbuluar me drurë, një muaj e gjysmë më pas, breg një mali në Strellc. 

“Tanë e kan pa qetu në udhëkryq kah osht shku çika, tanë e kan pa. Ai është shku 5 minuta mas me kerr. Kerri del në kamera, çika s’del. Ajo s'u kon zog me fluturu”, rrëfen burri nga Strellci, i cili ka humbur besimin në gjyqësorin kosovar.

Por, vetëm pak metra nga shtëpia e tij, familja e Naser Pajazitajt ka krejt tjetër mendim për vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës.

Murat Pajazitaj, vëllai i personit që deri të martën u akuzua se kreu vrasjen makabre të kushërirës së tij 24-vjeçe, thotë se nga fillimi kanë qenë të bindur se Naseri nuk ka kryer krimin për të cilin u gjykua. 

“U pa që u shpall i pafajshëm, se s’ka pas të bëjë me këtë punë. Se ne jemi vllazni. Vëllai ims’ka të bëjë me këtë punë, absolut kurgjo hiç”, thotë ai. 

“Kush ua ka shti në krye atë, me çfarë qëllimi, çka kanë bo tek kanë bo, ato janë punë e tyne. Na si familjarë tanë këtu jemi, e kemi dhimtën edhe për atë si vajzë, se e kemi pas si me pas tonën, se është rritu këtu, me çikat tona”, thotë Murati.

Gazeta Express të enjten kërkoi që ta bisedojë me Naserin, por vëllai i tij tha se nuk është në gjendje të takojë dikë, pasi që është i shtrirë dhe nuk po mundet të dalë nga shtëpia.

“Është ratë. Këmben e ka keq. Me paterica është end tërë kohën. Nganjëherë duhet me e kap dy veta për krahësh për me e çu”, shpjegon Murat Pajazitaj për gjendjen e Naserit. 

Murati tregon se raportet mes këtyre dy familjeve, të cilat i ndan vetëm një livadh në mes të pronave të tyre, janë të shkatërruara. Përkundër vendimit të gjykatës, akuzat për njëri-tjetrin kanë vazhduar. Por, thotë ai, burrat e Dukagjinit, siç e do zakoni në këtë pjesë të vendit, do të mundohen të gjejnë zgjidhje.

“Ato raporte janë niherë hala çështu. Nuk kemi pasur ende kontakte”, tregoi Murat Pajaziti. 

Ai ka konfirmuar se Oda e burrave është duke u organizuar dhe se brenda pak ditësh do të ulen për të diskutuar, tash pasi që gjykata ka dhënë vendimin e saj. 

“Tuj u grumbullu oda është. Tashti këto punë shkojnë sikur kanë qenë përpara. Njëherë ka qenë derisa të vendosë gjykata - qysh, çka.. - tani këta janë”, shpjegon ai. 

Vëllai i Naser Pajazitajt shpjegon se pret që brenda dy apo tri ditëve të nisin këto punë. 

“Ata janë hala të mllefosur se nuk është dënuar Naseri, tash po presim edhe nja dy-tri ditë njëherë”, thotë Murat Pajazitaj.

Se nuk kanë biseduar ende me familjen e ish-të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, thotë edhe babai i të vrarës, Halili. 

“Jo s’kemi folur”, përgjigjet shkurt ai. 

Por, për dallim nga vëllai i Naserit, i cili po pret që burrat t’i japin zgjidhje këtij konfliktit, Halil Pajazitaj po pret që Gjykata e Apelit ta dënojë kushëririn 55-vjeçar, të ciline akuzon për vrasjën e të bijës. 

“Ne ia kemi lënë shkallës të dytë në gjyq. Le të dalë. S’di gjë çka bëhet, hiç”, tha në fund të bisedës, Halil Pajazitaj. 

Gjykata Themelore e Pejës, të martën, ka shpallur të pafajshëm Naser Pajazitajn nga Strellci i Deçanit. 55-vjeçari akuzohej për vrasjen e kushërirës së tij 24-vjeçare, Donjeta Pajazitajt.

Krimi kishte ndodhur në nëntor të vitit 2015, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur gati dy muaj pas vrasjes, në malet e fshatit Strellc të Deçanit. E njëjta gjykatë, Pajazitajn e ka dënuar me 2 vjet e katër muaj dënim unik për dy lloje të armëve pa leje që iu gjeten në shtëpi në momentin e arrestimit. /M.Gj./GazetaExpress/. 

Të tjera

Lajmet e fundit