Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar menjëherë pas paralajmërimit të Driton Selmanajt se mund të largohet nga LDK, nëse ajo hyn në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
Kjo deklaratë e Selmanajt, njëri prej anëtarëve më të rinj të LDK'së, dhe njeriu i tretë më i votuar në LDK në zgjedhjet e 11 qershorit, duket të mos i ketë pëlqyer aspak shefit të partisë, Mustafa.
Ky i fundit ka thënë se "LDK është parti e cila nuk vepron as sipas kushtezimeve dhe as sipas shantazheve individuale. As me kutin e propozimeve dhe projeksioneve ad hoc".
"Fushatën e kaluam dhe jam i bindur se, pavarësisht deklaratave të individëve për tu protagonizuar para opinionit, të gjithë e kanë të qartë qëndrimin e organeve dhe strukturave të LDK-së, të cilat janë të vetmet që vendosin për këto çështje", ka thënë Mustafa.