Kthehu lart

Mungesa e votave dështoi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Mungesa e votave dështoi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL GazetaExpress

Problemet me ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve të 11 qershorit, kanë pamundësuar plotësimin e kushteve që vendi tash për tash të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare policore INTERPOL, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo edhe ka qenë arsyeja, sipas tyre që kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, “të shtyjë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për takimin e ardhshëm të kësaj organizate”.

Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017.

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tërheqja nga kërkesa që në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, të votohet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, është bërë për shkak se nuk është siguruar numri i mjaftueshëm i votave të vendeve që janë pjesë e kësaj organizate.

“INTERPOL-i është një organizatë që merret me terrorizmin dhe krimin ndërkombëtar. Prandaj, shumë shtete e përkrahin Kosovën në këtë hap, por nuk janë plotësuar kushtet që Kosova të votohet me një shumicë. Prandaj, kryeministri ka marrë vendim që kjo të shtyhet për mbledhjen e radhës së kësaj organizate. Por, natyrisht, kjo ka ardhur edhe si rezultat i konsultave me aleatët strategjik të Kosovës”, thotë Matoshi.

Por, vendimin e kryeministrit Haradinaj, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, nga mandati i kaluar, Valdet Hoxha, e ka vlerësuar si të ngutshëm. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se Kosova, pas aplikimit për anëtarësim në INTERPOL, kishte bërë veprime aktive në drejtim të përmbushjes së kritereve teknike, por edhe në aspektin e lotimit, si dhe amortizimit të kundër-lobimit të Serbisë, e cila mbështetej nga Rusia për të penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

“Por, tani kemi situatën tjetër, të tërheqjes së aplikimit, nga Qeveria aktuale, për të cilën unë besoj që është një hap i ngutshëm dhe është një indikator i keq se si një Qeveri e fillon punën duke u tërhequr, e jo duke i realizuar premtimet të cilat ka ardhur në pushtet”, tha Hoxha.

Megjithatë, Matoshi thekson se është humbur shumë kohë deri sa janë krijuar institucionet e reja, Kuvendi dhe Qeveria. Për pasojë, sipas tij, është humbur mundësia e shfrytëzimit të kohës për të lobuar tek vendete ndryshme, për të krijuar klimë krejtësisht të favorshme për pranimin e Kosovës në INTERPOL.

“Në këtë periudhë kohore, pak ka pasur mundësi që të kontaktohen aleatët dhe shtetet, të cilat, praktikisht, nuk kanë qëndrim armiqësor, por që institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme që t’i kontaktojnë dhe të shohin se çfarë mund të arrihet për kandidaturën e Kosovës për INTERPOL”.

Por, Hoxha thekson se për Qeveria e kaluar pati potencuar faktin se situata për pranimin e Kosovës në INTERPOL mund të arrinte në pikën që tashmë edhe është.

“Nëse kemi parasysh deklaratat e ish-kryeministrit Mustafa, në kohën kur kërkohej mocioni ndaj Qeverisë Mustafa, ishte pikërisht kjo, që një ndërprerje e hapave të sigurt dhe të mirë që po zhvilloheshin nga Qeveria Mustafa, do t’i bënte dëm, jo Lidhjes Demokratike, që e udhëhiqte Qeverinë, por do t’i bënte dëm proceseve nëpër të cilat po kalon vendi. Një nga këto temat e mëdha ishte edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, thekson Hoxha.

Megjithëkëtë, Hoxha ka pranuar se edhe në ekipin ndërministror, në Qeverinë e kaluar, i cili ishte marrë me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ka mundur të ketë edhe mospajtime dhe mungesë të bashkëpunimit, siç e quan ai, ideal. Por, sipas tij, megjithatë, ka pasur rrjedhë normale të punë, në plotësimin e kritereve teknike.

Ndryshe, gjatë ditës së enjte, ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, Nela Kuburoviq, ka deklaruar se Serbia, përmes rrugëve diplomatike, do të ndërmarrë të gjitha masat që Kosova edhe kësaj here të mos bëhet anëtare e INTERPOL-it. Ajo ka thënë se Qeveria e Serbisë do të bëjë gjithçka është e mundur që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL të mos ndodhë edhe në të ardhmen.

Qeveria e Kosovës, ka theksuar se Republika e Kosovës është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e INTERPOL-it dhe i ka ftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë, që deri në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, të punojnë së bashku me Kosovën, që ajo të votohet për tu bërë anëtare e kësaj organizate.

    Data: 22 Shtator 2017 17:01
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera