Kthehu lart

Mjekët e QKUK’së sfidojnë Hetem Ramadanin – themelohet “njësiti” kundër tij

Mjekët e QKUK’së sfidojnë Hetem Ramadanin – themelohet “njësiti” kundër tij GazetaExpress

Ka disa javë që ‘mjeku alternativ’, Hetem Ramadani, po i sfidon mjekët shqiptarë, saktësisht endokrinologët, duke thënë se insulina është helm dhe se diabetin mund ta shërojë brenda pak ditëve me anë të një diete rigoroze. Por, deklarimet se diabeti mund të shërohet brenda pak ditëve, si dhe largimi i insulinës nga pacientët të cilët janë të varur nga kjo terapi, po kundërshtohen nga mjekët e QKUK’së.

Këta të fundit siç duket po paralajmërojnë një aksion kundër fizikanit të kuantikës, Hetem Ramadanit. 

“Njësiti anti Hetem R. në aksion!”, kanë shkruar endrokrinologët në Facebook. Por këta të fundit nuk kanë dhënë detaje më shumë rreth fotografisë, e cila është postuar nga ta, shumica e të cilëve janë endokrinologë me profesion.

E derisa mjekët e QKUK’së po vazhdojnë me kundërshtimet për terapitë e Ramadanit, këtij të fundit po i shtohet numri i pacientëve të cilët ai po i trajton. Recetat e Ramadanit, të bazuara kryesisht me ushqime të shëndetshme po bëjnë që shumë kosovarë të fillojnë që t’i largojnë terapitë të përshkruara nga mjekët kosovarë dhe t'i futen regjimit të ‘mjekut alternativ’.

Terapitë e Ramadanit, tashmë po i përdorë edhe Ylmize Tafallari, 44 vjeçare, e cila ka shtatë vite që kur është diagnostikuar me diabet të tipit 2.

“Ka shtatë vite që kur jam diagnostikuar me diabet. E kam diabetin e tipit 2. Për dr. Ramadanin kam dëgjua përmes televizioneve. Me të pastaj kam kontaktuar në rrjetet sociale. Unë kam marrë Siofor për sheqer, e kam pas edhe gjëndrën tiroide, por atë e kam shëruar me barna bimore”, shpjegon për gjendjen shëndetësore zonja Ylmize.
Ajo thotë se vlerën e sheqerit në gjak e kishte 12. Por pas fillimit të terapive me udhëzimet e Hetem Ramadanit, ajo thotë se vlerat e larta janë ulur dukshëm. Terapitë e përshkruara nga ai, ajo thotë se po i përdorë qe 20 ditë.

“Vlera e sheqerit kohëve të fundit më shkonte deri në 12 shkallë. Tan dimrin unë kam qëndruar e sëmurë, kolli, frymëmarrja më mundonin. Ka 20 ditë që jam duke i përdorë terapitë. Unë kam pas frikë se kanë me më futë në insulinë. Unë fillova mos me pa”, rrëfen ajo për Express.

Ajo thotë se terapia e përshkruar nga ‘mjeku alternativ’, Hetem Ramadani, janë të përbëra kryesisht prej ushqimeve bimore.

“Tash në bazë të udhëzimeve të doktorit po i vazhdojë terapitë, vetëm me ushqime të shëndetshme. Ka disa elemente të tjera që po i përdorë. E falënderoj shumë doktorin për angazhimin që po e bën për të na ndihmuar”, thotë ajo. 

Por Ylmizja, nuk është e vetmja paciente e cila ka diabet e që po i përmbahet udhëzimeve të Hetem Ramadanit. Vetëm muajin e fundit janë deklaruar edhe tre pacientë të tjerë kosovarë të cilët kanë lënë terapitë e përshkruara nga mjekët vendor për diabet duke iu nënshtruar kështu një regjimi tjetër i cili ka kryesisht bazën në ushqime bimore dhe të shëndetshëm

Rreth këtyre terapive të përshkruara nga Hetem Ramadani, ditë më parë kanë reaguar edhe mjekët e QKUK’së. At besojnë se ushqimet e shëndetshme, që nuk e rrisin nivelin e glukozës në gjak, kanë efekt, por kjo nuk është parajsa për diabetikët, sepse metodat e Ramadanit nuk mund ta shërojnë sëmundjen e diabetit, e aq më pak duke ndalur komplet insulinën.

Lidhur me terapitë e Ramadanit rreth ndërprerjes së insulinës ka reaguar edhe psikiatri Jusuf Ulaj duke thënë se ai po e rrezikon gjendjen shëndetësore të pacientëve me ndaljen e insulinës. Ulaj e kishte quajtur Hetem Ramadanin person me probleme mendore.  

Ndryshe, Hetem Ramadani është njëri nga shqiptarët më të pasur në botë. Ai pohon të ketë kryer studimet për toksikologji-patologji, rrezatim, ndotje akustike... Veç kësaj, ai kishte themeluar kompaninë tregtare të naftës “Salbatring International”, pasi kishte migruar në vitet 90’të në Slloveni./Express/

    Data: 10 Maj 2018 18:19
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera