Kthehu lart

Mattis bën të njohur strategjinë e re të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara

Mattis bën të njohur strategjinë e re të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara GazetaExpress

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis thotë se Shtetet e Bashkuara po humbasin avantazhin ushtarak ndaj Kinës dhe Rusisë, duke vënë theksin tek sfidat kryesore të forcave të armatosura amerikane.

"Konkurenca e fuqive të mëdha, jo terrorizmi, është tashmë fokusi kryesor i sigurisë kombëtare të SHBA", - tha Mattis të premten, pasi prezantoi në Uashington atë pjesë të Strategjisë të Mbrojtjes Kombëtare të administratës Trump që nuk përmban informacion të klasifikuar.

Dokumenti akuzon Kinën për "ekonomi grabitqare që ka për qëllim të frikësojë fqinjët" dhe se ka ndërtuar e pajisur ushtarakisht ishuj të rremë në Detin e Kinës Jugore.

Dokumenti pohon se Rusia ka shkelur kufijtë fqinjë dhe se po kërkon të shkatërrojë NATO-n me qëllimin "për të ndryshuar në favor të saj strukturat e sigurisë dhe ato ekonomike të Evropës dhe të Lindjes së Mesme".

Zoti Mattis foli gjithashtu për "regjime mashtruese" të tilla si Koreja e Veriut dhe Irani që po vazhdojnë siç tha ai "veprimet që kërcënojnë stabilitetin rajonal, madje edhe atë botëror" ndërsa "shtypin popullin e tyre".

Terrorizmi, që konsiderohej prioritet kryesor në fushën ushtarake në dy administratat e mëparshme, është ende një shqetësim për Shtetet e Bashkuara pavarësisht nga rënia fizikisht e kalifatit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Në Strategjinë Kombëtare të Mbrotjes udhëzohet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mohojnë “parajsat” terroriste anembanë globit, ndërsa modernizojnë ushtrinë në një mënyrë që është "e përshtatshme për kohën".

Sipas dokumentit përpjekjet për modernizim do të përqëndrohen tek kapacitetet bërthamore, sistemet e mbrojtjes me raketa, hapësira, përfshirë ato virtuale.

Mattis tha gjithashtu se Departamenti i Mbrojtjes do të përqëndrohet tek puna me aleatët, të cilët "mbajnë pjesën e tyre të barabartë" të barrës për sigurinë, gjatë ndërtimit të partneriteteve të reja anembanë globit.

"Forca në rritje ekonomike e demokracive dhe partnerëve të sotëm dikton se duhet të bëjnë më shumë" tha ai.

Sekretari i Mbrojtjes Mattis tha se që proceset ushtarake amerikane duhet të jenë "miqësore ndaj aleatëve" dhe të gatshëm të ndikohen nga miqtë besnikë të Amerikës.

"Jo të gjitha idetë e mira vijnë nga vendi me më shumë aeroplanmbajtës”, tha ai./voa

    Data: 19 Janar 2018 23:07
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera