Kthehu lart

Limaj pret që nesër të votohet demarkacioni

Limaj pret që nesër të votohet demarkacioni GazetaExpress

Kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj, ka thënë se muajt e fundit kanë punuar shumë për të krijuar kushte dhe atmosferë për të biseduar me gjithë deputetët rreth çështjes së ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Zëvendëskryeministri Limaj, ka thënë se në seancën e nesërme ku pritet të votohet kjo marrëveshje, deputetëve të parlamentit po iu ofrohet një produkt, një angazhim prej pesë muajsh të qeverisë për të zgjidhur këtë problem.

“Kemi dhënë maksimumin dhe nuk besoj që ka telashe që të mbyllet çështja e demarkacionit. Mendoj që janë krijuar kushtet që nesër të shkohet në parlament, dhe pres që demarkacioni të votohet”, ka thënë Limaj në Zona B në Klan Kosova.

“Vazhdimisht kemi pas dy qasje në kuvend për dhe kundër. Njëra kemi qenë kundër tjetra për dhe ashtu situata ishte e pazgjidhshme. Mënyra e vetme për të dalë nga kjo çështje ishte të bëhen biseda me Malin e Zi. Edhe ata ishin në pozitë të vështirë sepse bëhej fjalë për një çështje që ata e kanë të ratifikuar”, tha ai.

“Duke parë situatën jemi ulë me miqtë tanë nga Mali i Zi për të gjet zgjidhje. Kjo zgjidhje ishte marrëveshja. Kemi ardh aty ku pika 7 – ajo që vazhdimisht e kemi kërkuar, që komisionit t’i jepet mundësi për rishikim dhe korrigjim të lëshimeve të mundshme”, theksoi Limaj.

Limaj ka pohuar se  pas nënshkrimit të deklaratës mes dy presidentëve është hap rruga të bisedohet me grupet parlamentare në Kosovë.

“Përveç Vetëvendosjes që ka dhënë qëndrimin menjëherë. Albin Kurti në takimin me QUINT, ka thënë se nuk pajtohet me atë deklaratë. Aty janë zbeh shpresat që mund të arrijmë një situatë për një konsensus absolut. Por ne nuk jemi ndal, kemi biseduar me deputetët e ndarë nga VV, deputetët tjerë, të komunitetit serbë po ashtu”, tha kryetari i Nismës Social Demokrate.

    Data: 19 Mars 2018 21:31
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera