Kthehu lart

​Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thotë se legalizimet e banesave do të bëhen falas

​Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thotë se legalizimet e banesave do të bëhen falas
GazetaExpress E mërkurë, 26 Mars 2014 22:14

Qeveria në Shqipëri miratoi sot ndryshimet në ligjin e legalizimeve gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili në një takim me banorët e Paskuqanit ka thënë se qeveria e mbajti premtimin.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e një nga zonave më informale, në Paskuqan, Rama theksoi se ky vendim, që pritet të miratohet në Kuvend, do të hapë një epokë të re për mbi 200 mijë familje që presin prej vitesh legalizimin e shtëpive të tyre.

“Sot në mbledhjen e qeverisë ne miratuam ndryshimet me themel që i kemi bërë ligjit të legalizimeve. Këto ndryshime, do ti kalojnë për miratim përfundimtar parlamentit dhe do të na garantojnë që ne t’i qëndrojmë atij zotimi që ju kemi dhënë dhe që ju dhe mbi 200 mijë familje që presim prej vitesh legalizimin të mund të bëhen pronarë të shtëpive të tyre.

Dhe shtëpitë të kthehen nga kapitale të vdekura, në kapitale të qarkullueshme që do ndihmojnë ekonominë e familjes suaj. Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj që unë personalisht bashkë me Lamen dhe disa të tjerë kemi qenë të parët që kemi folur për legalizimet, kur ishim në bashkinë e Tiranës në fillim të rrugëtimit tonë për të transformuar Tiranën”,- u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, ndryshimi themelor që i është bërë ligjit ekzistues, parashikon të mos kërkohet asnjë lek nga asnjë familje për procesin e legalizimit, por duke u organizuar që shteti të vijë tek ju dhe jo ju të shkoni tek shteti.

Ai theksoi gjithashtu se, qeveria e tij e njeh legalizimin si detyrim vetëm për ata që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, ndërsa për shtëpitë e dyta legalizimi do të bëhet me faturë të plotë.

“Ne morëm vendimin që gjithë procesin ta bëjmë falas. Ndryshimet do të na bëjnë t’i qëndrojmë zotimit që kemi dhënë për legalizimin. Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj, ne kemi qenë të parët në Shqipëri që kemi bërë plan për legalizimet.

Por, plani pësoi një ndryshim të rëndësishëm në fund të fushatës, ku duke dëgjuar qytetarët u përballëm me faktin se familje të panumërta kishin përgatitur letra deri edhe 3 herë. Shtëpitë do të kthehen në kapital të qarkullueshëm. Në 8 vjet 160 mijë familje nuk kishin marrë përgjigje.

Ne morëm vendimin që gjithë procesin ta bëjmë falas. Veç faturës së shtetit u është dashur të paguani edhe atë të pushtetit. Në dy vjet janë hapur shumë gjyqe prej legalizimeve kuturu.

Nëse ne do të bëjmë legalizimin falas, do të marrim lekët nga ata që kanë dhënë. Legalizimi bëhet si një borxh ndaj gjakut dhe sakrificave ndaj atyre që janë pronarë të një shtëpie ku kanë hedhur të gjithë djersën”, u shpreh kryeministri.

“Paketa jonë është shumë e plotë. Gjëja e parë që ndryshon është skema e veprimit e cila kthehet në të kundërt. Tashmë nuk shkon qytetari tek shërbimi por shërbimi që vjen tek familja. Skema e vlerësimit të trojeve, përsa i përket atyre trojeve që janë me pronarë apo shtetërorë do të ndryshojë se nuk mund të ketë të njëjtën vlerë toka.

Nga ana tjetër ne kemi ndryshuar skemën e dokumentacionit. Kush do të bëjë dokumentacion, do të shkojë në hipotekë dhe do të bëhet pronar i shtëpisë.

Këtë proces e kemi të përqendruar të zonat informale, sepse ka shumë familje që janë në vështirësi ekonomike, edhe për këto do të ketë trajtim të veçantë.

Legalizimi bëhet në radhë të parë si një borxh ndaj gjakut, sakrificave dhe mundit të atyre që janë sot pronarë të një shtëpie ku kanë hedhur gjithçka kanë pasur. Për ata bëhet legalizimi në radhë të parë, të tjerët të rrinë në radhë dhe të paguajnë”, tha ai.

Data: 26 Mars 2014 22:14
Autori: GazetaExpress

Te tjera