Kthehu lart

Kronika e një vrasjeje në pritë (Foto)

Kronika e një vrasjeje në pritë (Foto) GazetaExpress

38 vjeçari Ferdinand Gjini nga Gjakova, mëngjesin e 23 Qershorit 2014, mbeti i vrarë në një pritë tek ura që lidh fshatin Llukë me atë Prapaqan të Deçanit. Vetura e tij ‘Pasat’ u qëllua me një breshëri plumbash të një arme automatike, derisa ai ishte në lëvizje. Dy vjet pas vrasjes, Gjykata Themelore në Pejë është gati ta rrahë çekanin për të dhënë verdiktin final ndaj të vetmit të akuzuar për vrasjen e tij, Gjon Pnishit, nga fshati Nec i Gjakovës. Të mërkurën, mbrojtja dhe i dyshuari dhanë fjalën përfundimtare para gjykatës, derisa vendimi për të jepet në fillim të javës së ardhshme. 

Ferdinand Gjini dhe Gjon Pnishi kishin disa muaj që shoqëroheshin së bashku, gjatë periudhës së parë të vitit 2014. Atë kohë i pari drejtonte një lokal kazinoje në qytetin e Gjakovës, në afërsi te të cilit jetonte. Ndërkohë, ai ishte thelluar në disa borxhe e fajde. E Pnishi mendohet t’i ketë ofruar atij mundësinë që t’i gjente paratë e nevojshme. Për këtë, më 23 qershor 2014, Ferdinand Gjini dhe 40 vjeçari Gjon Pnishi, rreth orës 08:40 të mëngjesit, ishin nisur me vetura të ndara për në Deçan, ku do t’i takonin disa persona, të cilët ndoshta mund t’i huazonin para Gjinit. Gjini që lëvizte me veturë ‘Pasat’ te një urë në fshatin Llukë të Deçanit, u ndal nga një person që shtiu në drejtim të tij 16 herë me kallash, për ta lënë të vdekur. Pak javë pas, i dyshuari kryesor për vrasjen e Gjinit doli të jetë Gjon Pnishi, i cili edhe u arrestua pas disa javësh qëndrimi në arrati. Krejt këto thuhen në aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore e Pejës më 19.08.2016.

Vetura e tipit 'Pasat' me të cilën lëvizte viktima në momentin e vrasjes

I dyshuari, më pas, kishte pohuar se në ditën kritike kishin shkuar në drejtim të Deçanit, me vetura të ndara bashkë me viktimën, por thotë të mos ketë parë e as dëgjuar ndonjë të shtënë, derisa tutje ka deklaruar se rrugën ai e kishte vazhduar deri në destinacionin e caktuar, e që tek pasi ishte kthyer pasdite në Gjakovë, ka thënë të jetë njoftuar se ka ndodhur ekzekutimi. 

Gjykimi ndaj të dyshuarit Gjon Pnishi që akuzohet për veprat penale: vrasje e rëndë dhe posedim të armës pa leje, ka arritur në fazën përfundimtare. Derisa vendimi për të jepet të hënën që vjen, trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Pejës, të mërkurën, ka dëgjuar dëshminë përfundimtarë të të dyshuarit dhe mbrojtësve të tij, pasi javë më parë të njëjtën gjë e bënë edhe Prokuroria dhe përfaqësuesit ligjorë të palës së dëmtuar. 

Prokuroria në aktakuzën 32 faqesh ndaj Gjon Pnishit, dhe në fjalën përfundimtare të saj, shumë më pak voluminoze, të prokurores Valbona Disha-Haxhosaj, pretendon se ka gjetur mjaft dëshmi që tregojnë se i akuzuari ka kryer vrasjen makabër të 23 qershorit 2014 për të cilën ka aktakuzë. 

Përveç dëshmive të 17 dëshmitarëve, prokuroria pretendon se posedon mjaftueshëm edhe prova të tjera, si incizime të kamerave dhe SMS e telefonata të viktimës dhe të dyshuarit që tregojnë se të dy ishin bashkë në ditën dhe vendin ku ka ndodhur krimi.

Telefoni i viktimës Ferdinand Gjini, i gjetur në veturë, pas vrasjes

Sipas Prokurorisë, gjetjet tregojnë edhe imazhe me video të kamerave të sigurisë të disa lokaleve përgjatë rrugës Gjakovë-Deçan që shfaqin viktimën Gjini dhe të dyshuarin Pnishi duke ecur në kolonë me vetura të ndara, njëri pas tjetrit. 

Disa prej incizimeve në fjalë, sipas prokurores Haxhosaj, të marra nga kamerat e sigurisë në kullën e Gecëve në fshatin Llukë, pak metra para se të arrihet tek ura ku u krye vrasja me 7 fishekë të pushkës automatike, është vërtetuar se në drejtim të fshatit Prapaqan ka lëvizur fillimisht i akuzuari Gjon Pnishi me veturë të zezë, e 7 sekonda pas tij thuhet të ketë qenë në lëvizje, viktima Ferdinand Gjini me veturën ‘Pasat’. 

“Pas këtyre dy automjeteve 6 minuta nuk ka pasur lëvizje të automjeteve të tjera në këtë drejtim”, thuhet në fjalën përfundimtare të prokurores, e cila pretendon se gjatë kësaj minutazhe ndodhi edhe vrasja mbi urë.

Por krejt gjetjet e prokurores Valbona Disha-Hagjosaj i ka hedhur poshtë para gjykate vetë i akuzuari dhe mbrojtja e tij gjatë fjalës së tyre përfundimtare, në seancën e fundit, para vendimit, që nisi në orën 9 të mëngjesit të së mërkurës, në Gjykatën e Pejës. 

I akuzuari Gjon Pnishi përsëriti para gjykatës se është plotësisht i pafajshëm dhe se i vjen keq për vrasjen që ka ndodhur të mikut të tij Ferdinand Gjini.

“Sa më përket mua betohem në Zot se as s’e kam vra, e as se kam pa kan duke e vrarë”, tha të mërkurën në Gjykatë, i akuzuari, duke u kthyer me kokë nga familja e viktimës që ishin në sallë. 

“Nëse ka vetëm një dëshmi se kerri im është ndalë, atëherë dënimin e përjetshëm e kisha lyp vet”, deklaroi Gjon Pnishi, duke shtuar tutje se gjatë procesit, nga vetë Prokurorja i është kërkuar atij të jetë dëshmitar bashkëpunues, gjë të cilën e tha edhe avokati i tij Haxhi Qeku. 

I akuzuari Gjon Pnishi

Sipas avokatit Qeku, Prokuroria ka ofruar në përgjithësi dëshmi administrative të cilat sipas tij nuk njihen si prova në Kodin e Procedurës Penale. Derisa thotë se ato as nuk janë elaboruar siç duhet, duke mos faktuar implikimin e të pandehurit Gjon Pnishi në vrasje. 

“Provat flasin vetëm se ka ndodhur ngjarja, gjë që të gjithë e dimë, por jo se kush e ka kryer”, tha Qekaj në fjalën e tij përfundimtare. 

Ai tutje tha se deklaratat e dëshmitarëve ishin të koordinuara mes vete dhe se disa dëshmitarë kishin pranuar të dalin në gjykatë vetëm pasi ishin takuar me vëllain e viktimës, Pashk Gjini, gjë që sipas mbrojtjes lë hapësirë për dyshime. 

Por, Pashk Gjini që ishte në sallë të Gjykimit si personi i autorizuar i familjes së viktimës mohoi të ketë ndikuar tek ndonjë dëshmitarë, ashtu sikurse u shpreh i bindur se vrasësi i vëllait të tij ishte Gjon Pnishi dhe nuk e pranoi keqardhjen tij. 

“Siç e dini, edhe unë jam rrezikuar disa muaj para vrasjes së vëllait. E mu nuk më konvenon që me nejt në burg dikush i pafajshëm e në liri me met krimineli. Se atëherë rrezikohna prap une”, i tha Pashk Gjini trupit gjykues gati në përfundim të seancës, duke e ndërlidhur atentatin ndaj tij, që thotë t’i ketë ndodhur pak kohë para vrasjes së të vëllait, Ferdinandit, dhe po ashtu edhe një vrasje tjetër të kryer në Gjakovë. 

Këto ndërlidhje përmenden edhe në aktakuzë, por që mbrojtja edhe në fjalën përfundimtare i kundërshtoi, në mungesë të provave. 

Ndryshe, në veturën ‘Pasat’ të zhbiruar nga plumbat e kallashit, të viktimës Ferdind Gjini, hetuesia, në ditën kur ndodhi vrasja, kishte gjetur dhe një telefon të të vrarit. Në të pretendohet se u gjeten mesazhe dhe thirrje telefonike të viktimës me të dyshuarin Gjon Pnishi, pikërisht në ditën kritike, dhe para nisjes për në Deçan. Këto SMS dhe pamje të celularit të siguruara nga Gazeta Express, i ka përdorur edhe prokuroria në procesin gjyqësor ndaj Pnishit, si dëshmi që implikojnë të akuzuarin me krimin e kryer tek ura që lidh fshatrat Llukë dhe Prapaqan të Deçanit. 

Një prej mesazheve që dyshohet se i dërgoi i akuzuari Pnishi viktimës Gjini

Gazeta Express, një ditë para seancës së të mërkurës ka qëndruar edhe në fshatin Nec të Gjakovës, te familja e të të dyshuarit, porse babai i Gjon Pnishit, Mirashi, nuk pranoi të flasë për gazetën pa u dhënë verdikti i gjykatës. 

“Çka me than. Djali është në burg. Është gjyqi, është prokuroria, s’ka nevojë kurgjo mu thanë për gazeta”, tha shkurt plaku Pnishi, të martën.  

Përgjigje përafrisht të njëjtë dha edhe Pashk Gjini, vëllai i viktimës që njëherit është edhe person i autorizuar i familjes Gjini.

Vendimi i Gjykatës për të akuzuarin Gjon Pnishi jepet të hënën, 27 qershor 2016, në ora 13:00, në Pejë. /M.Gj./GazetaExpress/. 

Ura e fshatit Llukë të Deçanit, ku ndodhi ekzekutimi
    Data: 22 Qershor 2016 14:25
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera